Putin: Nuk ka asgjë që ne nuk mund të zgjidhim
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se “njerëzit do ta kuptojnë se nuk ka asgjë që ne nuk mund ta zgjidhim”.
Duke folur për sanksionet e vendeve perëndimore që ai i quan “hapa jomiqësorë” kundër Rusisë, Putin tha se “Rusia po përmbush detyrimet e saj për furnizimin me energji dhe nuk është fajtore për rritjen e çmimeve”.
Putin tha se Moska po vazhdon të eksportojë naftë dhe gaz, duke përfshirë përmes Ukrainës, ku Kremlini dërgoi trupa tre javë më parë, duke nxitur një valë sanksionesh të kushtueshme perëndimore.
“Ne po respektojmë të gjitha detyrimet tona për sa i përket furnizimit me energji”, tha Putin gjatë një takimi të qeverisë mbi pasojat e sanksioneve.
Ai shtoi se, “edhe sistemi i transportit të gazit në Ukrainë është 100 për qind i mbushur sipas kontratave”.
Në Mariupol janë mbledhur në rrugë 1,207 trupa
Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Sergei Orlov, tha se ende nuk e di se sa njerëz janë vrarë në total në këtë qytet, por shifra më e fundit është 1,207.
“Këta janë vetëm trupat që kemi i mbledhur në rrugë”, tha Sergei Orlov për BBC-në.
Ai tha se 47 persona ishin varrosur në një varr masiv, pasi ishte e pamundur të shkonin në vendet e varrimit jashtë qytetit.
“Jo të gjithë ata u identifikuan”, shtoi ai.
Orlov tha se nuk ka qenë e mundur të evakuohen njerëzit nga qyteti ose të sillen ndihma.
Rreth 100 njerëz që përpiqeshin të iknin me vetura private u detyruan të ktheheshin të mërkurën, tha ai, pasi forcat ruse në një pikë kontrolli filluan të qëllojnë “jo drejtpërdrejt në makina, por rreth makinave”.
Ukraina u bën thirrje ushtarëve rusë që të dorëzohen
Në një postim në Twitter të faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, u bëhet thirrje ushtarëve rusë që të dorëzohen.
Në foton e postuar është edhe Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Alexei Reznikov.
“Lidershipi i vendit, i udhëhequr nga presidenti, anëtarët e Qeverisë - të gjithë punojnë, të gjithë janë në vendet e tyre. Sa irrituese është për Rusinë. I bëj thirrje çdo ushtari rus të ndjekë anijen ruse, ose të dorëzohet para se të jetë shumë vonë”, thuhet në postim.
Vullnetarët thonë se Ukraina ka nevojë për ushqim dhe ujë
Ukrainasit kanë nevojë të madhe për ushqim dhe ujë, ka thënë për BBC-në, Christina Katrakis, që ndihmon në koordinimin e mbështetjes humanitare në Ukrainë.
Ajo thotë se ajo dhe ekipi i saj udhëtojnë drejt kufirit të Ukrainës me Rumaninë çdo ditë për të marrë ndihma humanitare dhe më pas për t’i shpërndarë ato në qytetet dhe fshatrat e Ukrainës.
Sipas saj, pjesa më e madhe e ndihmës nuk po shkon në zonat që janë më të prekura nga konflikti për shkak të rrezikut.
“Nevoja është e madhe. Nevoja për ushqim dhe ujë është shumë e madhe, dhe gjithashtu nevoja për pajisje mbrojtëse sepse ne kemi ushtarë që nuk kanë jelek, as helmetë”, thotë ajo.