Ndërlidhjet

Avionët për Ukrainën dhe frika për një konfrontim NATO-Rusi


Një avion i Polonisë i tipit MiG-29. Fotografi nga arkivi.
Një avion i Polonisë i tipit MiG-29. Fotografi nga arkivi.

Reuters

Uashingtoni ka refuzuar propozimin e Varshavës për transferimin e avionëve polakë luftarakë MiG-29 në Ukrainë përmes bazës ushtarake amerikane në Gjermani, teksa Perëndimi po tenton të gjejë mënyra për ta ndihmuar Kievin që t’i kundërvihet pushtimit rus, por ka frikën e përfshirjes në një luftë me Moskën, e cila ka armë bërthamore.

Janë disa aleatë të NATO-s që po e shqyrtojnë mundësinë e furnizimit të Ukrainës me avionë luftarakë. Që prej 24 shkurtit, Ukraina po sulmohet nga Rusia përmes ajrit, detit dhe tokës.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Moska ka shënjestruar qytetet ukrainase, duke detyruar që mbi 2 milionë civilë të largohen nga vendi. Si kundërpërgjigje për sulmin ndaj Ukrainës, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj bankave ruse, ndaj sektorit të tregtisë, por gjithashtu kanë vendosur në listë të zezë zyrtarë rusë dhe oligarkë.

Polonia

Polonia është shteti më i madh ish-komunist në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ky shtet, po ashtu, ka një histori të gjatë të luftës kundër Rusisë dhe përpjekjeve për t’u integruar me Perëndimin. Po ashtu, gjendet në kufirin lindor të dy blloqeve dhe është në kufi me Ukrainën, me të cilën ka lidhje kulturore dhe historike.

Por, Polonia ka refuzuar që e vetme t’i ofrojë avionë luftarakë Ukrainës, për shkak të frikës se mund të jetë cak i hakmarrjes ruse pa pasur mbështetjen e të gjithë aleancës së NATO-s.

“Një vendim kaq serioz, siç është për të furnizuar me avionë, duhet të jetë vendim i marrë në mënyrë unanime nga e gjithë aleanca e Veri-Atlantikut”, tha kryeministri polak, Mateusz Morawiecki.

Më herët Varshava ka paralajmëruar për një hapësirë që njihet si Hendeku Suvalki, një kufi prej 100-kilometrash i gjatë që kalon nëpër toka bujqësore dhe pyje në kufirin midis Polonisë dhe Lituanisë dhe që është vija e vetme që e ndan aleaten e Rusisë, Bjellorusinë me enklavën e Moskës, Kaliningradin, që gjendet në Baltik.

Gjermania

Gjermania i kishte dhënë Polonisë 22 avionë MiG-29 më 2003 dhe 2004. Në bazë të klauzolës për rishitje, Polonia do të duhej të marrë miratimin e Berlinit që këta avionë t’ia japë Ukrainës.

Pushtimi rus i Ukrainës veçse ka detyruar Berlinin që të rimendojë vendimin e tij të kamotshëm për ndalimin e eksportimit të armëve në zonat e luftës, një politikë e krijuar për të ndërprerë trashëgiminë historike të këtij shteti për nxitjen e luftërave në Evropë në shekullin e 20-të.

Gjermania ka njoftuar se do të furnizojë Kievin me armë kundërtanke dhe kundërajrore nga rezervat e saj ushtarake, si dhe do të autorizonte Estoninë që të dërgonte obusët e vjetër të prodhimit në kohën e Gjermanisë Lindore dhe Holandës, ndërsa i ka ofruar raketahedhës të prodhimit gjerman.

Përderisa Gjermania ka shkuar shumë larg prej ndihmës së parë që i ofroi Ukrainës në fund të janarit, prej 5,000 helmetave, Berlini gjithashtu është i prirë që të shmangë lëvizje që mund të shihen si provokim nga presidenti rus, Vladimir Putin, e që do të pasoheshin me ndonjë përgjigje ushtarake.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi më 9 mars se Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë.

Vendi i tij, po ashtu, ka bazën ushtarake në Ramstein, që është baza më e madhe e ushtrisë amerikane në Evropë, me rreth 50,000 personel, punëtorë civilë dhe familjarë të ushtarëve.

NATO

Të tridhjetë shtetet e NATO-s ligjërisht e kanë për obligim ta mbrojnë njëra-tjetrën nëse ndonjëra prej tyre sulmohet. Por, aleatët janë të kujdesshëm ndaj kërcënimit bërthamor të Putinit dhe veçse kanë refuzuar thirrjet e Ukrainës që të krijojë një zonë ndalim-fluturimi për ta ndihmuar Ukrainën që të mbrohet nga sulmet me raketa dhe nga avionët luftarakë rusë.

“Ne nuk jemi pjesë e këtij konflikti”, tha javën e kaluar shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Dy burime të NATO-s gjatë kësaj jave i kanë thënë agjencisë Reuters se furnizimi i Ukrainës me avionë luftarakë gjithashtu rrezikon që aleanca ushtarake perëndimore të futet në një konfrontim të plotë ushtarak me Rusinë.

“Ju mund të ndryshoni ngjyrat në avionë, por nuk mund ta fshihni këtë nga Rusia”, tha një burim, që foli në kushte anonimiteti.

“Pyetja është nëse ne jemi të gatshëm të pranojmë që Rusia të lëshojë raketa drejt Talinit ose Rigës, ose diku në shtetet nordike, apo në Poloni. Nuk ka oreks politik për këtë”, tha burimi.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG