Mbretëria e Bashkuar sanksionon 386 ligjvënës rusë lidhur me Ukrainën
Britania vendosi të premten një valë të re sanksionesh ndaj Moskës, duke synuar 386 anëtarë të parlamentit rus që mbështetën pushtimin e Ukrainës nga presidenti, Vladimir Putin.
Sanksionet e reja i ndalojnë ata të udhëtojnë në Britani, si dhe të kenë qasje në çdo pasuri që ata mbajnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ligjvënësit u sanksionuan pasi votuan në shkurt për njohjen e republikave separatiste të Luhansk dhe Donjeck në Ukrainën lindore, duke ofruar një pretekst për luftën, tha ministrja e jashtme e Britanisë.
“Ne po shënjestrojmë ata që janë bashkëpunëtorë në pushtimin e paligjshëm të Putinit në Ukrainë dhe ata që mbështesin këtë luftë barbare”, tha Sekretarja e Jashtme Liz Truss.
Kremlini: Luftimet në Ukrainë do të ndalen kur Perëndimi ta marrë seriozisht Rusinë
Të premten, më 11 mars, Kremlini tha se konflikti në Ukrainë do të përfundojë kur Perëndimi të ndërmarrë veprime lidhur me shqetësimet e ngritura vazhdimisht nga Rusia për vrasjen e civilëve në lindje të Ukrainës dhe zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i pyetur nga gazetarët se si mund të përfundojë kriza, përcaktoi pozicionin e Rusisë dhe tha se besonte që Ukraina po diskutonte për kërkesat e Moskës me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë.
"Rusia formuloi kërkesa konkrete ndaj Ukrainës për t'i zgjidhur këto çështje. Me sa kuptojmë, ato kërkesa po diskutohen nga ukrainasit me këshilltarët e tyre, kryesisht Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian", tha ai.
Trupat ukrainase përpiqen t’i zmbrapsin forcat ruse nga fshati afër Kievit
Trupat ukrainase kanë nisur një kundërsulm, për të zmbrapsur forcat okupuese ruse nga një fshat në rajonin e Kievit, më 10 mars.
Maryan Kushnir, gazetar i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, i është bashkuar atyre teksa ata luftonin për kontrollin e territorit.
Për arsye sigurie, vendndodhja e saktë e fshatit nuk mund të zbulohet. Ushtria e Ukrainës nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë për të treguar për pasojat, apo nëse misioni ishte i suksesshëm.
OKB thotë se 564 civilë janë vrarë deri më tani në Ukrainë
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut (OHCHR) tha të premten se ka konfirmuar vdekjen e 564 civilëve në Ukrainë që nga 24 shkurti, duke përfshirë 41 fëmijë.
Numri i vërtetë mendohet të jetë dukshëm më i lartë pasi nuk ka qenë ende në gjendje të vërtetojë raportet nga zonat ku luftimet intensive po vazhdojnë, tha OHCHR.
Shumica vdiqën nga përdorimi i armëve shpërthyese, duke përfshirë granatimet e rënda me artileri, raketa dhe sulme ajrore, shtoi ai.