Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 15-të. Më poshtë mund të gjeni disa nga zhvillimet kryesore gjatë të premtes, deri më tani.
- Zona me civilë ishin cak i granatimeve ruse në qytetin qendror të Ukrainës, Dnipro në orët e para të së premtes.
- Forcat ruse goditën një spital psikiatrik pranë qytetit lindor të Ukrainës, Izyum.
- Agjencia e Kombeve të Bashkuara e migracionit tha se më shumë se 2.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina deri më 11 mars, që nga nisja e luftës.
- Kryeministri kinez, Li Keqiang, ka bërë thirrje për përmbajtje në konfliktin në Ukrainë për të shmangur një fatkeqësi humanitare.
- Britania e Madhe vendosi të premten një valë të re sanksionesh ndaj Moskës, duke shënjestruar 386 anëtarë të parlamentit
- Kremlini tha se konflikti në Ukrainë do të përfundojë kur Perëndimi ta marrë seriozisht Rusinë
- Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të premten se ka disa "ndryshime pozitive" në bisedimet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës
- Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut (OHCHR) tha të premten se ka konfirmuar vdekjen e 564 civilëve në Ukrainë që nga 24 shkurti, duke përfshirë 41 fëmijë.
BE-ja ndanë 500 milionë tjera ndihmë ushtarake për Ukrainën
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të dërgojnë një tjetër ndihmë ushtarake prej 500 milionë eurosh në Ukrainë, tha të premten presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.
Ky lajm vjen pak më shumë se një javë pasi blloku njoftoi për herë të parë në historinë e tij se BE-ja do të financojë blerjen dhe shpërndarjen e armëve dhe pajisjeve në një vend jo anëtar të Bashkimit Evropian.
Harris: Çdo sulm i Rusisë ndaj një shteti të NATO-s është sulm ndaj të gjithëve
Zëvëndëspresidentja amerikane, Kamala Harris tha se çdo sulm i Rusisë ndaj një shteti anëtar të NATO-s “do të thotë sulm ndaj të gjithëve”. Këtë koment ajo e bëri të premten gjatë vizitës së saj në Rumani, ku u takua me presidentin e këtij vendi, Klaus Iohannis.
E pyetur për mundësinë e shtrirjes së luftës edhe në Rumani, Harris tha se nuk mund të spekulojë rreth veprimeve të ardhshme të presidentit rus, Vladimir Putin. “Ne jemi të qartë në qëndrimin tonë, që është se [Rumania] si anëtare e NATO-s, një sulm kundër njërit është një sulm kundër të gjithëve”, deklaroi Harris.
Macron kundër anëtarësimit të përshpejtuar të Ukrainës në BE
Presidenti francez, Emmanuel Macron, thotë se përgjigjja e Bashkimit Evropian ndaj ofertës së Ukrainës për anëtarësim të shpejtë në bllok është "jo".
"Unë mund ta kuptoj reagimin emocional dhe pritjet që janë atje", tha Macron në një samit të liderëve të BE-së në Versajë të Francës.