Gazetari i REL-it plagoset nga sulmi rus
Gazetari i Shërbimit Ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Maryan Kushnir, ka pësuar tronditje në kokë dhe humbje të dëgjimit gjatë një sulmi rus, në orët e hershme të mëngjesit të 11 marsit. Teksa gjaku i rridhte nga koka, ai ka xhiruar menjëherë një video të shkurtër, duke thënë: “Nuk e di se ku jam saktësisht. Kështu duket gjendja afër Kievit. Ne do të përpiqemi të ikim nga këtu”. Kushnir planifikon të kthehet në terren për të raportuar për luftën, sa më parë që të mundet.
Paralajmërohet pezullimi i Rusisë në FMN dhe Bankë Botërore
Bashkimi Evropian do të vendosë një pako të re të sanksioneve ndaj Rusisë si përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës.
Të shtunën, blloku "do të vendosë një pako të katërt masash për të izoluar më tej Rusinë dhe për të shteruar burimet që përdor për të financuar këtë luftë barbare", tha në një deklaratë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Kompanitë ruse nuk do të gëzojnë privilegje në ekonominë evropiane tha ajo.
Si e godasin Rusinë këto sanksione sipas Von der Leyen?
Masë tjetër do të jetë angazhimi për pezullim të Rusisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar si dhe në Bankën Botërore.
“Do të sigurohemi që Rusia të mos mund të marrë asnjë financim, kredi apo përfitime tjera nga këto institucione”, tha Von der Leyen.
Disa nga sanksionet e fundit të BE-së ndaj Rusisë janë të shpjegura në lajmin e mëposhtëm:
YouTube bllokon mediat shtetërore ruse
Platforma YouTube ka njoftuar se ka bllokuar qasjen në kanalet e lidhura me mediat shtetërore ruse.
Gjigandi i transmetimit të videove iu referua politikës për bllokimin e përmbajtës që mohon ose banalizon ngjarjet e dokumentuara.
YouTube tha se pushtimi rus i Ukrainës bie nën këtë politikë dhe se do të bllokojë qasjen në kanalet, duke përfshirë Russia Today dhe Sputnik.
DASH paralajmëron qytetarët amerikanë që shkojnë në Ukrainë
Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët që udhëtojnë në Ukrainë – përfshirë ata që do të marrin pjesë në luftime se përballen me një rrezik shumë real të kapjes apo vdekjes.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i departamentit të shtetit Ned Price tha se Uashingtoni nuk do të jetë në gjendje të lehtësojë evakuimin e tyre.
"Ata mund të jenë subjekt i përpjekjeve të mundshme për ndjekje penale dhe mund të jenë në rrezik të shtuar për keqtrajtim", u tha Price gazetarëve.
Mijëra persona nga mbarë bota po raportohet se kanë udhëtuar drejt Ukrainës për të luftuar forcat ruse.