“Kievi mund të jetë Stalingradi i Rusisë”
Beteja për kryeqytetin e Ukrainas, Kiev, mund të bëhet Stalingradi i ri i Rusisë, ka thënë deputeti ukrainas, Sviatoslav Yurah për transmetuesin britanik, BBC.
Ai ka thënë se Kievi është përballur me sulme me raketa gjatë natës dhe se ka beteja të vazhdueshme në afërsi të qytetit.
Mirëpo ai ka paralajmëruar se Rusia duhet të përgatitet për humbje të mëdha nëse avancon në qytet.
“Është qytet masiv me miliona banorë dhe nëse rusët tentojnë të hyjnë, ata do të përballen me luftime të mëdha – kjo mund të shndërrohet në Stalingradin e tyre”, ka thënë ai, duke iu referuar betejës më të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore, në të cilën rreth 1.1 milion trupa sovjetike dhe 800,000 gjermanë nazistë dhe rumunë kanë vdekur.
Beteja e periudhës 1942-43 kanë qenë pikë kthese, pasi ka ndalur avancimin e nazistëve në Rusi.
“Askush nuk do të dorëzohet – mund të garantoj për këtë gjë”, ka thënë ai.
Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, forcat ruse tani janë rreth 25 kilometra larg qendrës së Kievit.
Italia konfiskon superjahtin e një oligarku rus
Autoritetet italiane kanë konfiskuar superjahtin e një miliarderi rus, i cili është përfshirë në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian, pas pushtimit rus në Ukrainë.
Anija e quajtur 'A', i përket miliarderit rus, Andrey Igorevich Melnichenko, i cili ka edhe kompaninë EuroChem Group dhe atë të thëngjillit, SUEK.
Jahti, i cili besohet se ka vlerën e rreth 578 milionë dollarëve, është më i madhi në botë, ka thënë Qeveria italiane.
Zyrtarët policorë e kanë konfiskuar atë më 11 mars, ka thënë agjencia e lajmeve, ANSA.
Javën e kaluar, Policia italiane ka konfiskuar vila dhe jahte në vlerë të 156 milionë dollarëve nga pesë rusë të profilit të lartë, të cilët po ashtu janë sanksionuar nga blloku evropian.
Ukraina pret valë të re të sulmeve ruse në Kiev, Harkiv dhe Donbas
Një këshilltar i Presidencës ukrainase, ka thënë të shtunën se Ukraina pret valë të re të sulmeve në Kiev, Harkiv dhe rajonet Donbas, pas ngadalësimit të ofensivës ruse në ditët e fundit.
Kievi ka nisur 12 marsin me raportimet për luftime në pjesën veriperëndimore, teksa Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se forcat tokësore ruse tani janë 25 kilometra larg qendrës së kryeqytetit ukrainas.
Britania akuzon Rusinë për krime lufte
Mbretëria e Bashkuar ka dërguar gjashtë aeroplanë tjerë me ndihma mjekësore dhe pajisje tjera për Ukrainën, teksa Ministri britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid ka akuzuar Rusinë për krime lufte pas sulmeve në objekte shëndetësore.
Javid ka thënë se janë kryer më shumë se 25 sulme në qendrat shëndetësore dhe spitale, prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë në 24 shkurt.
“Ky është krim lufte dhe Rusia do të paguajë për krimet që po kryen”, ka thënë ai.
Rusia ka pretenduar, pa ofruar të dhëna, se raportimet për sulme me bomba në spitale kanë qenë të rreme.
Një sulm është kryer në një spital materniteti në Mariupol të enjten, duke lënë të vdekur tre persona, përfshirë një fëmijë.
Duke folur në një vizitë në spitalin e fëmijëve në Birmingem, Javid ka thënë se “Rusia duhet të ndalë agresionin”.