Vazhdojnë sulmet, pavarësisht planeve për evakuim
Guvernatorët e Kievit dhe Donjeckut kanë thënë se sulmet ruse po vazhdojnë në rajonet ku ishte planifikuar evakuimi i civilëve, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.
Për të shtunën, 12 mars, është planifikuar hapja e korridoreve humanitare dhe largimi i banorëve nga zonat e sulmit, përfshirë Mariupolin që gjendet në rajonin Donjeck.
“Ngarkesa humanitare është duke lëvizur drejt Mariupolit, ne do të informojmë për zhvillimet. Situata është e komplikuar, ka bombardime të vazhdueshme”, ka thënë guvernatori i Donjecut, Pavlo Kyrylenko sipas mediave lokale.
“Situata është jashtëzakonisht e vështirë”.
Izraeli mohon se i ka kërkuar Ukrainës t’ua vë veshin kërkesave të Rusisë
Zyrtarët izraelitë kanë hedhur poshtë raportimet e mediave se Izraeli i ka kërkuar Ukrainës “të dorëzohet” ndaj kërkesave ruse gjatë negociatave.
Izraeli është përfshirë në përpjekjet për tentim të dhënies fund të luftës në Ukrainë.
Kryeministri i tij, Naftali Bennett ka udhëtuar në Moskë për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus, Vladimir Putin të shtunën e kaluar, dhe ka biseduar përmes telefonit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Në disa raportime të mediave është sugjeruar se Bennett ka tentuar të shtyjë Ukrainën që t’ua vë veshin kushteve ruse për dhënie fund të luftës.
Mirëpo një zyrtar i lartë izraelit kanë thënë se raportimet janë “të rreme”.
“Bennett nuk i ka treguar kurrë Zelenskyt si të veprojë, dhe as nuk synon diçka të tillë”, ka thënë ky zyrtar për agjencinë e lajmeve Reuters.
Në fakt, “Izraeli është duke sugjeruar se Rusia duhet t’i vlerësojë ngjarjet në mënyrë në adekute”, ka thënë këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhaylo Podolyak, përmes një postimi në Twitter.
Zelensky: Humbjet më të mëdha të ushtrisë ruse në dekada
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë një adresim të ri para kombit, përmes rrjeteve sociale.
Ai ka thënë se ushtria ruse ka shënuar humbjet më të mëdha në dekada – duke pretenduar se 31 grupe taktike të batalioneve ruse janë bërë tani të paafta për të luftuar.
Ai ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të kryetarit të Melitopolit, i cili është raportuar se është rrëmbyer nga forcat ruse.
Zelensky ka thënë se ka diskutuar këtë çështje me liderët e Francës dhe Gjermanisë.
Ai ka thënë se Ukraina është duke punuar me Komisionin Evropian për anëtarësim të përshpejtuar në bllokun evropian.
Dita e 17-të e pushtimit rus në Ukrainë:
- Luftime intensive në veriperëndim të kryeqytetit ukrainas, Kiev
- Forcat ruse tani janë 25 kilometra larg kryeqytetit
- Mikollaiv, qyteti në jugperëndim të Ukrainës po përballet me bombardime të ashpra
- Qyteti jugor Mariupol vazhdon të jetë i rrethuar dhe pa rrymë
- Sulmet të reja ajrore në qytetet, Nikollaev, Dnjipro dhe Kropavnajtski