Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
14:37 12.3.2022

Rusia thotë se mund të shënjestrojë armët e Perëndimit në Ukrainë

Një zyrtar i lartë rus ka paralajmëruar më 12 mars se Moska mund të shënjestrojë pajisjet ushtarake që po dërgon Perëndimi në Ukrainë.

Duke folur për televizionin shtetëror, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov ka thënë se Moska ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se do t’i konsiderojë armët e Perëndimit në Ukrainë si shënjestra.

Ryabkov ka thënë se Rusia “ka paralajmëruar SHBA-në se dërgimi i armëve nga disa shtete, nuk përbën vetëm veprim të rrezikshëm, or edhe është veprim që i bën konvojet si shënjestra legjitime”.

Ai ka kritikuar sanksionet amerikane kundër Moskës - për shkak të pushtimit të paprovokuar në Ukrainë - si “tentim të pashembullt për të goditur sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse”.

Moska është përballur me sanksione të ndryshme ndërkombëtare për shkak të luftës së nisur në Ukrainë.

Ryabkov ka thënë se Rusia nuk synon të dëbojë mediat dhe bizneset e Perëndimit, në kohën e rritjes së tensioneve, duke shtuar se “ne nuk do të përshkallëzojmë situatën”.

15:00 12.3.2022

Gjermania synon të jetë pothuajse e lirë nga nafta ruse këtë vit

Gjermania ka thënë të shtunën, 12 mars, se synon të bëhet pothuajse e lirë nga importet e naftës ruse këtë vit, teksa Perëndimi synon të ndëshkojë Moskën për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

“Çdo ditë, çdo orë, ne jemi duke iu thënë lamtumirë importeve ruse”, ka thënë ministri për Ekonomi dhe Klimë, Robert Habeck sipas gazetës, Frankfurter Allgemeine Zeitung.

“Nëse e arrijmë këtë gjë, ne do të jemi të pavarur nga thëngjilli rus deri në vjeshtë dhe pothuajse të pavarur nga nafta ruse deri në fund të vitit”.

Statistikat qeveritare kanë treguar se Gjermania importon rreth një të tretën e naftës që i duhet dhe 45 për qind të thëngjillit nga Rusia.

Gazi është më problematik, pasi Gjermania importon më shumë se gjysmën e sasisë që i duhet nga Rusia.

Habeck u ka rezistuar kërkesave për ndalje të plotë të energjisë nga Rusia, duke paralajmëruar se kjo gjë mund të shkaktonte mungesa në dimër dhe inflacion.

Shtetet e Perëndimit kanë vendosur sanksione të ashpra kundër Rusisë prej shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë thënë më 8 mars se do të ndalin importin e naftës ruse.

 

15:30 12.3.2022

Jahti i Abramovichit arrin në Mal të Zi

Jahti “My Solaris” i miliarderit rus, Roman Abramovich ka lundruar në portin e Tivatit në Mal të Zi të shtunën, më 12 mars.

Anija, e gjatë 140 metra, arriti në Mal të Zi disa ditë pasi Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione dhe vendosi të ngrijë asetet e oligarkëve rusë, përfshirë edhe pronat e Abramovichit.

Jahti i oligarkut, Roman Abramovich në Mal të Zi. 12 mars 2022.
Jahti i oligarkut, Roman Abramovich në Mal të Zi. 12 mars 2022.

Sanksionet ndaj pronave të miliarderëve rusë, që gjenden në mbarë botën, u vendosën për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës. Jahti i Abramovichit është ankoruar jo fort larg marinës së Malit të Zi, pranë Kepit të Seljanovës në Tivat.

Sipas ueb-faqes “Marine traffic”, jahti paraprakisht ishte i ankoruar në Barcelonë. Pas Spanjës, ky jaht lundroi drejt jugut të Italisë dhe më pas arriti në Gjirin e Kotorit.

*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

15:47 12.3.2022

Macron dhe Scholz i bëjnë thirrje Rusisë për armëpushim të menjëhershëm

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i kanë bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të pajtohet për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë.

Dy liderët evropianë zhvilluan një bisedë telefonike 75-minutëshe me Putinin gjatë së shtunës.

“Biseda është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, tha zëdhënësi i Scholzit, por shtoi se pjesëmarrësit janë pajtuar që të mos japin detaje lidhur me diskutimet që kanë pasur.

Zëdhënësi tha se kancelari Scholz po ashtu ka biseduar më herët me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, lidhur me situatën.

Ndërkaq, Kremlini tha se Putin ka dënuar, atë që e ka cilësuar si “shkelje flagrante” të ligjit humanitar ndërkombëtar nga forcat ukrainase, edhe pse në deklaratë nuk u saktësua se për çfarë shkelje ka folur Putini.

“Putin i informoi ata për situatën reale”, tha Kremlini. “Në veçanti për një mori faktesh të shkeljeve flagrante të normave të ligjit humanitar ndërkombëtar të forcave të sigurisë së Ukrainës”, u tha në deklaratën e Kremlinit.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Fotografi nga arkivi.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Fotografi nga arkivi.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG