Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
15:57 12.3.2022

Ukraina: Afër 1,300 trupa ukrainase janë vrarë dhe 500 rusë janë dorëzuar

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të shtunën se afër 1,300 trupa ukrainase janë vrarë gjatë 17 ditëve të pushtimit rus.

Burimet perëndimore kanë thënë të premten se afër 6,000 trupoa ruse janë vrarë që prej nisjes së luftës në Ukrainë.

Në një konferencë për media nga Kievi, Zelensky pretendoi se afër 500-600 trupa ruse janë dorëzuar ndaj forcave ukrainase të premten.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

 

16:15 12.3.2022

OKB thotë se 579 civilë janë vrarë që prej se ka nisur lufta në Ukrainë

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se të paktën 579 civilë janë vrarë në Ukrainë që prej nisjes së luftës më 24 shkurt, dhe mbi 1,000 të tjerë janë plagosur.

Sipas këtij institucioni, 42 prej viktimave ishin fëmijë, ndërkaq 54 të tjerë janë plagosur.

Një ditë më parë, OKB-ja tha se ka dokumentuar vdekjen e 564 civilëve dhe plagosjen e 982 të tjerëve.

Shumica e viktimave janë shkaktuar nga përdorimi i armëve shpërthyese “me një zonë të gjerë ndikimi”, siç janë granatimet me artileri të rëndë dhe sulmet me raketa.

Zyrtarët e OKB-së thanë se besojnë se numri real i viktimave të jetë shumë më i lartë.

Evakuimi i ukrainasve nga Irpini më 11 mars 2022.
Evakuimi i ukrainasve nga Irpini më 11 mars 2022.

 

16:31 12.3.2022

Zelensky: Armëpushimi duhet t’i paraprijë negociatave të paqes

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të shtunën se çdo negociatë me Rusinë nuk mund të fillojë para se të arrihet një marrëveshje e armëpushimit ndërmjet forcave të Kievit dhe Moskës.

“Diplomatët tanë po punojnë dhe ata kanë biseduar për disa pika të agjendës së mundshme midis nesh dhe Federatës Ruse. Unë dua që kjo të materializohet dhe procesi i dhënies fund të luftës, procesi i paqes 100 për qind duhet të fillojë me armëpushim”, tha Zelensky gjatë një konference për gazetarë.

Por, lideri ukrainas tha se është i hapur për diskutime me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe shtoi se ai e ka diskutuar mundësinë që negociatat të mbahen në Jerusalem me kryeministrin izraelit, Naftali Bennett.

*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

16:53 12.3.2022

Rusia: Autokolonat e Perëndimit që dërgojnë armë në Ukrainë mund “të shënjestrohen”

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, paralajmëroi se autokolonat perëndimore që dërgojnë armë në Ukrainë mund të jenë “shënjestra legjitime” për Forcat e Armatosura të Rusisë.  

Duke folur për median shtetërore ruse, Ryabkhov tha se: “Ne kemi paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se dërgimi i armëve në Ukrainë, që ata e kanë orkestruar, nga një numër i shteteve, është një lëvizje e rrezikshme – është një lëvizje që i kthen ato autokolona në shënjestra legjitime”.

“Ne kemi paralajmëruar për pasojat që mund të prodhojë ky transferim i pamatur në Ukrainë i armëve, të tilla si sistemet portative të mbrojtjes ajrore, sistemet raketore, kundërtanket e të tjera”, shtoi ai.

Ryabkov pretendoi se SHBA-ja nuk i ka marrë seriozisht paralajmërimet e Rusisë.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG