Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
17:30 12.3.2022

Zyrtari francez: Putin nuk është i gatshëm t’i japë fund luftës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kanë zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me luftën në Ukrainë.

Sipas Presidencës franceze, Macron dhe Scholz kanë kërkuar që t’i japë fund luftës. Por, një zyrtar i Presidencës franceze, i citur nga Reuters, ka thënë se Putin nuk dukej i gatshëm që t’i jepte fund luftës.

Macron po ashtu ka kërkuar që Rusia të heqë dorë nga rrethimi i qytetit ukrainas të Mariupolit, ku banorët tash e sa ditë janë pa ujë dhe pa energji elektrike.

Nga Presidenca franceze kanë thënë se biseda ka qenë e vështirë, ku liderët e Francës dhe Gjermanisë kanë bërë thirrje për armëpushim.

*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

17:57 12.3.2022

Qyteti Volnovaha “më nuk ekziston”  

Qyteti juglindor i Volnovahas është shkatërruar plotësisht që prej nisjes së pushtimit rus, tha guvernatori i rajonit të Donjeckut, Pavlo Kyrylenko.

Ai tha se që prej nisjes së pushtimit, banorët e këtij qyteti janë larguar dhe shumica e ndërtesave janë shkatërruar, duke thënë se praktikisht ky qytet më nuk ekziston.

“Në përgjithësi Volnovaha me infrastrukturën që ka pasur më nuk ekziston”, tha ai për televizionin ukrainas Direct.

Megjithatë, Kyrylenko shtoi se ka ende luftime për të parandaluar që Rusia të rrethojë këtë territor me rëndësi strategjike.

Volnovaha ka qenë cak i granatimeve, sulmeve me raketa, që sipas zyrtarëve ukrainas, kanë shkatërruar pothuajse çdo ndërtesë në këtë qytet.

Një tank rus në Volnovaha. 11 mars 2022.
Një tank rus në Volnovaha. 11 mars 2022.

 

18:34 12.3.2022

Afër 2,000 të evakuuar nga rajoni i Kievit

Afër 2,000 persona janë larguar nga rajoni i Kievit të shtunën, tha Shërbimi Shtetëror i Emergjencës.

Dyzet autobusë me civilë arritën në fshatin Bilohorodka në orët e pasdites të së shtunëns, tha ky shërbim përmes një njoftimi për media.

Ekipet e shpëtimit kanë ofruar ndihmë personave të evakuuar, përfshirë ndihmë shëndetësore dhe psikologjike, u tha në njoftim.  

Banorët duke u evakuuar nga Irpini, në rajonin e Kievit. 11 mars 2022.
Banorët duke u evakuuar nga Irpini, në rajonin e Kievit. 11 mars 2022.

 

19:08 12.3.2022

Përshëndetje të nderuar lexues. Nëse jeni kyçur tani në blogun tonë, më poshtë mund të mësoni për zhvillimet e fundit në Ukrainë:

  • Bisedimet ndërmjet liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Rusisë nuk sollën asnjë rezultat konkret. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, i kërkuan homologut të tyre rus, Vladimir Putin që të arrijë armëpushim, por ky i fundit nuk shfaqi vullnet për dhënien fund të luftës, tha zyra e Macronit
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u tha gazetarëve se afër 1,300 trupa ukrainase janë vrarë në 17 ditët e pushtimit rus. Burimet perëndimore kanë vlerësuar të premten se afër 6,000 trupa ruse janë vrarë gjatë luftës në Ukrainë
  • Korridoret humanitare janë bërë gati në Mariupol, Sumi dhe në qytete e fshatra jashtë kryeqytetit ukrainas, Kiev. Por, granatimet ruse në disa zona, përfshirë edhe pranë Kievit, kanë vështirësuar evakuimin e civilëve
  • Autoritetet ukrainase bën të ditur se afër 2,000 persona janë evakuuar të shtunën nga rajoni i Kievit
  • Luftime të ashpra po zhvillohen në periferi të Kievit. Inteligjenca britanike tha se një korpus i forcave ruse gjendet 25 kilometra larg qendrës së Kievit. Zyrtarët ukrainas kanë shprehur frikën se Rusia po përgatitet të nisë një sulm të madh ndaj kryeqendrës ukrainase   

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG