Mirëmëngjesi të gjithëve!
Do të raportojmë sërish në kohë reale për luftën në Ukrainë.
E diela ka nisur me aktivizim të sirenave në disa pjesë të Ukrainës, kanë raportuar agjencitë e lajmeve në këtë shtet.
Alarmet janë dëgjuar në Zhitomir, në perëndim të kryeqytetit Kievit, si dhe në Ternopil, Rivne dhe Ivano-Frankivisk në perëndim.
Sirenat janë dëgjuar edhe në rajonin Vollin dhe Kramatork në lindje të Ukrainës.
Qëndroni me ne!
Zyrtarët ukrainas: Baza e stërvitjeve ushtarake afër Lvivit është goditur nga raketat
Në orët e para të së dielës ka pasur raportime për shpërthime në rajonin e Lvivit.
Zyrtarët ushtarakë të qytetit kanë thënë se forcat ruse kanë kryer sulme ajrore dhe kanë lëshuar tetë raketa në Qendrën Ndërkombëtare për Ruajtjen e Paqes dhe Sigurisë, sipas transmetuesit britanik, BBC.
Qendra gjendet në distriktin Javoriv, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Lvivit dhe është zonë e stërvitjeve ushtarake.
Shtëllunga të mëdha tymi është thënë se kanë dalë nga ajo zonë.
Qendra, e cila është më pak se 25 kilometra larg kufirit me Poloninë, ka thënë se njoftojë për hollësitë më vonë.
Moldavia: Na duhet ndihmë për fluksin e refugjatëve
Refugjatët kanë vazhduar të marrin rrugë nga Ukraina drejt Moldavisë, duke e nxitur lideren moldave të bëjë thirrje për ndihmë ndërkombëtare, ashtu që shteti të përballet me këtë fluks.
“Ne kemi tani mbi 270,000 njerëz që kanë kaluar kufirin”, ka thënë kryeministrja moldave, Natalia Gavrilița për transmetuesin britanik, BBC.
“Me shumë se 100,000 njerëz kanë vendosur të qëndrojnë – të paktën përkohësisht. Për një shtet si Moldavia këto janë shifra të larta”.
Moldavia, shtet i vogël me rreth 2.5 milionë banorë, gjendet mes Ukrainës dhe Rumanisë, dhe ka një prej ekonomive më të brishta në Evropë.
Numri i refugjatëve përbën rreth 4 për qind rritje në popullsinë e saj.
Gavrilița ka thënë se qytetarët moldavë janë duke ndihmuar në strehimin e refugjatëve.
“Ne jemi shumë të shqetësuar për pasojat ekonomike të luftës.. e cila është duke goditur rëndë një shtet si Moldavia, ndër më të varfrit në Evropë. Neve na duhet ndihmë nga jashtë”, ka thënë mes tjerash ajo.
Britanikëve u ofrohen 350 funta në muaj për të strehuar refugjatët ukrainas
Banorët e Mbretërisë së Bashkuar, të cilët strehojnë refugjatët ukrainas, do të pranojnë një pagesë falënderuese prej 350 funtash në muaj, ka thënë Qeveria britanike.
Sipas skemës Shtëpi për Ukrainën, britanikët do të mund të caktojnë një individ apo familje që do të qëndrojë me ta, apo të ofrojnë një pronë ndaras që refugjatët ta përdorin pa qira.
Ata që do të ofrojnë strehim do të verifikohen dhe do të duhet të jenë të angazhuar për të paktën gjashtë muaj.
Mirëpo Këshilli për Refugjatë – organizatë bamirëse që mbështet refugjatët dhe azilkërkuesit – ka thënë se skema nuk ofron mbështetje të mjaftueshme.