Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
08:58 13.3.2022

Mirëmëngjesi për ju që na jeni bashkuar tani!

Këto janë zhvillimet e fundit rreth luftës në Ukrainë:

Sulmet afër kufirit të NATO-s: Zyrtarët ukrainas kanë thënë se forcat ruse kanë hedhur raketa në një bazë ushtarake në perëndim të Ukrainës, rreth 25 kilometra larg kufirit me Poloninë – vend anëtar i NATO-s. Nuk ka raportime për viktima në bazën në Javoriv, e cila gjendet afër qytetit të Lvivit. Kryetari i qytetit tjetër perëndimor, Ivano-Frankvisk, ka thënë se aeroporti i qytetit është sulmuar po ashtu.

Kievi: Banorët e kryeqytetit ukrainas janë zgjuar sërish nën zhurmën e sirenave. Transmetuesi britanik, BBC ka thënë se sulmet me artileri janë të vazhdueshme. Për më shumë sulme është raportuar në pjesën veriore të qytetit, ku po afrohen forcat ruse.

Zëvendësohet kryetari i “rrëmbyer”: Është raportuar se ushtria ruse ka instaluar një kryetare të re në qytetin Metitopol – pas dyshimeve për marrjen peng të kryetarit të qytetit ditën e shtunë. Galina Danilchenko është shfaqur në një televizion lokal duke iu bërë thirrje banorëve që të mos marrin pjesë në “veprime ekstremiste”.

Vazhdojnë evakuimet: Korridoret humanitare për t’iu ndihmuar njerëzve që të evakuohen nga rajonet e rrethuara të Ukrainës, janë duke funksionuar, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Numri i evakuimeve ditore ka arritur në rreth 13,000. Furnizimet humanitare në qytetin e Mariupolit pritet të arrijnë më vonë gjatë ditës së diel.

Ndërkohë në Uashington: Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë në Ukrainë armë të vogla, anti-tanke dhe armë tjera për mbrojtje kundër sulmeve ajrore në vlerë të 200 milionë dollarëve. Rusia ka paralajmëruar se mund të godasë këto furnizime.

09:16 13.3.2022

Britania: Rusët po tentojnë të rrethojnë forcat ukrainase

Në përditësimin e fundit, Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se forcat ruse janë duke tentuar të rrethojnë forcat ukrainase në lindje të shtetit, teksa avancojnë në drejtim të Harkivit në veri dhe Mariupolit në jug.

“Forcat ruse që po avancojnë nga Krimeja, janë duke tentuar të rrethojnë Mikollaivin, teksa tentojnë të nisen në perëndim drejt Odesas”, ka thënë Ministria britanike.

 

09:24 13.3.2022

Ukraina: Instruktorë të huaj ushtarakë punojnë në bazën e sulmuar

Ministri i Mbrojtjes në Ukrainë, Oleksii Reznikov, ka thënë se instruktorë të huaj ushtarakë punojnë në një bazë ushtarake në Ukrainë, e cila është goditur nga Rusia.

“Informacioni për viktima është duke u verifikuar”, ka thënë Reznikov.

Një dëshmitar ka thënë për agjencinë e lajmeve, Reuters, se ka parë 19 ambulanca me sirena të lëshuara duke lëvizur nga drejtimi i bazës ushtarake.

“Ky është një tjetër sulm terrorist ndaj paqes dhe sigurisë afër kufirit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, ka thënë Reznikov në Twitter.

Ministri i Mbrojtjes në Ukrainë, Oleksii Reznikov.
Ministri i Mbrojtjes në Ukrainë, Oleksii Reznikov.

 

 

09:41 13.3.2022

Guvernatori: Nëntë të vdekur pas sulmit në bazën ushtarake

Nëntë persona kanë vdekur dhe 57 janë plagosur si pasojë e sulmit në një bazë ushtarake afër Lvivit, ka thënë guvernatori rajonal.

Ai ka thënë se Rusia ka hedhur 30 raketa në bazën ushtarake në Javoriv, sipas transmetuesit britanik, BBC.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG