Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
09:54 13.3.2022

Trupat e ushtarëve rusë “po mbushin morgjet bjelloruse"

Trupat e ushtarëve rusë të vrarë në luftën në Ukrainë, janë duke mbushur morgjet në Bjellorusi, ka thënë një banor lokal për Radion Evropa e Lirë.

Ushtarët e vdekur rusë janë duke u dërguar me kamionë nëpër morgje dhe më pas po dërgohen në Rusi me trena apo aeroplanë, kanë thënë banorët.

Ata e kanë përshkruar tmerrin kur kanë parë gjithë ata trupa të vdekur në një tren, i cili i ka transferuar trupat në Rusi.

“Numri i trupave është jashtëzakonisht i madh. Njerëzit në stacionin Mozir kanë qenë të shokuar me numrin e trupave në tren”, ka thënë një banor i Mozirit për Radion Evropa e Lirë.

Morgjet në Homel dhe Naroulia janë duke u mbushur po ashtu, kanë thënë banorët.

Mjekët bjellorusë janë kërcënuar me humbje të vendeve të punës nëse kapen duke përhapur informacione për ushtarët e vrarë apo të plagosur nga Rusia.

Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se disa mijëra ushtarë rusë kanë vdekur në luftën që ka hyrë në javën e tretë.

10:21 13.3.2022

Raportohet për sulm ndaj një treni për refugjatë

Një tren për pasagjerë, i cili ka qenë në rrugë për të evakuuar refugjatët nga lindja e Ukrainës, është sulmuar nga forcat ruse, duke vrarë një punëtor në të, ka thënë kompania kombëtare hekurudhore e Ukrainës.  

Një punëtor është vrarë dhe të tjerë janë dërguar në spital me plagë, pas sulmit ndaj trenit në rajonin Donjeck, ka thënë kompania.

Treni ishte planifikuar që të evakuonte banorët nga rajonet Donjeck dhe Luhansk, përfshirë 100 fëmijë.

Kompania ka thënë se po bën “çdo përpjekje” për të evakuuar të gjithë refugjatët.

10:43 13.3.2022

Sulmet ajrore shkatërrojnë një ndërtesë banimi në Çernihiv

Sulmet ajrore ruse kanë shkatërruar një ndërtesë të lartë banimi në Çernihiv, ka thënë Shërbimi Shtetëror i Emergjencës në Ukrainë.

Të paktën një person është vrarë dhe të tjerë janë plagosur.

Sipas Shërbimit, shtatë persona janë shpëtuar.

Disa pamje të paverifikuara në rrjetet sociale kanë treguar tym të zi duke dalë nga ndërtesa nëntëkatëshe, derisa zjarrfikësit kanë tentuar të ndalin zjarrin.

 

10:55 13.3.2022

Duda: Përdorimi i armëve kimike mund të nxisë intervenim të NATO-s

Përdorimi i armëve kimike nga Rusia në Ukrainë mund të nxisë NATO-n të rishqyrtojë vendimin e saj për të mos intervenuar në konflikt, ka thënë presidenti polak, Andrzej Duda për transmetuesin britanik, BBC.

I pyetur nëse beson se presidenti rus, Vladimir Putin mund të jetë duke u përgatitur për përdorim të armëve kimike, Duda ka thënë se “kjo është diçka që bota nuk e ka parë në këtë shkallë prej Luftës së Dytë Botërore”.

“Nëse më pyesni nëse Putin mund të përdorë armë kimike, mendoj se Putin mund të përdorë gjithçka tani, sidomos kur është në këtë pozitë të vështirë”.

“Politikisht ai e ka humbur këtë luftë, dhe në aspektin ushtarak, ai nuk po e fiton atë”.

I pyetur nëse përdorimi i armëve të tilla mund të nxisë intervenim të NATO-s, ai ka thënë: Natyrisht, secili shpreson që ai nuk do t’i përdorë ato.

“Mirëpo… nëse ai përdor armë të shkatërrimit masiv, kjo do të ndryshonte rregullat e lojës”.

“Natyrisht, (NATO) do të duhej të ulej në tavolinë dhe të mendonte seriozisht si të vepronte, sepse atëherë fillon që situata të bëhet e rrezikshme, jo vetëm në Evropë, por në gjithë botën”.

Presidenti polak, Andrzej Duda.
Presidenti polak, Andrzej Duda.

 

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG