Ukraina: Është rrëmbyer kryetari i Dnjiprorudnes
Forcat ruse kanë rrëmbyer kryetarin e qytetit jugor, Dnjiprorudne, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Yevhen Matveyev mund të jetë kryetari i dytë ukrainas që dyshohet se është rrëmbyer, pasi njëjtë është raportuar të ketë ndodhur edhe me kryetarin e Melitopolit.
Kuleba ka thënë se “kriminelët rusë të luftës” kanë rrëmbyer Matveyevin.
“Nga mosmarrja e mbështetjes lokale, pushtuesit i kthehen terrorit. U bëj thirrje të gjitha shteteve dhe organizatave ndërkombëtare që të ndalin terrorin rus kundër Ukrainës dhe demokracisë”, ka thënë ai.
Kompanive britanike u bëhet thirrje të largohen nga Rusia
Ministri i Financave në Britani të Madhe, Rishi Sunak, u ka bërë thirrje më shumë kompanive britanike që të zvogëlojnë investimet ekzistuese në Rusi, dhe ka thënë se investimet e reja duhet të ndalen, pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën.
“Ndonëse e dimë se mund të jetë sfidues zvogëlimi i investimeve, besoj se nuk ka argument për investime të reja në ekonominë ruse”, ka thënë Sunak në një video-mesazh në Twitter.
“U bëj thirrje pronarëve të aseteve që të mendojnë me shumë kujdes për ndonjë investim të ri, që në ndonjë mënyrë do të mbështeste Putinin dhe regjimin e tij”.
Disa kompani të mëdha britanike kanë njoftuar se do të shesin apo do të zvogëlojnë interesat e tyre në Rusi.
Në mesin e tyre janë kompanitë e energjisë Shell, BP dhe ajo për investime, Aviva.
Të paktën 35 viktima në bazën ushtarake në Javoriv
Të paktën 35 persona kanë vdekur dhe 134 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore ruse në një bazë ushtarake të Ukrainës afër kufirit me Poloninë, ka thënë guvernatori rajonal i Lvivit, Maksym Kozytskiy.
Sipas tij Rusia ka hedhur 30 raketa në bazën ushtarake në Javoriv.
Rusia - një kundërshtare që rriti ndjeshmërinë për refugjatë
Vendet që në të kaluarën i kanë refuzuar azilkërkuesit, i kanë hapur dyert për refugjatët ukrainas për dy arsye: e para, afërsia kulturore dhe shoqërore, dhe e dyta, vetë Rusia. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Jacob Kurtzer, drejtor i Agjendës Humanitare pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Sipas tij, vendet që mirëpresin sot refugjatët ukrainas, e kanë përvojën e përballjes me agresionin rus.
Lexojeni intervistën e plotë.