Çfarë duhet të dini rreth luftës në Ukrainë?
- Ukraina ka thënë se mbi 30 raketa ruse kanë goditur një bazë për stërvitje ushtarake afër Polonisë – vend anëtar i NATO-s
- Zyrtarët ukrainas kanë thënë se të paktën 35 persona janë vrarë dhe 134 janë plagosur pas sulmit në bazën në Javoriv
- Kjo bazë ushtarake përdoret për t’u stërvitur me instruktorë të NATO-s
- Aeroporti afër qytetit perëndimor Ivano-Frankvisk është goditur po ashtu
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se 1,300 trupa ukrainase kanë vdekur prej shpërthimit të luftës
- Banorët e Mariupolit është thënë se janë duke jetuar në temperatura të ulëta, pa rrymë dhe me pak ushqim, teksa trupat ruse avancojnë në qytet
- Ukraina po ashtu pretendon se trupat ruse kanë qëlluar një konvoj me gra dhe fëmijë, të cilët kanë qenë duke u larguar nga Kievi. Zyrtarë ukrainas kanë thënë se shtatë persona kanë vdekur, mirëpo Moska nuk ka komentuar ende.
India bart përkohësisht ambasadën nga Ukraina në Poloni
India ka vendosur të ndërrojë përkohësisht lokacionin e ambasadës që ka në Ukrainë, duke dërguar stafin e saj në Poloni.
Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë përmes një deklarate se vendimi për të bartur ambasadën nga Kievi, është marrë pas përkeqësimit të situatës në Ukrainë.
“Situata do të rivlerësohet pas zhvillimeve tjera”, është thënë në deklaratë.
Më herët gjatë këtij muaji, Qeveria e Ukrainës ka thënë se ka ndihmuar në evakuimin e 20,000 studentëve indianë nga zonat e sulmuara prej forcave ruse, ndonëse ende disa janë të bllokuar.
Kryeministri indian, Narendra Modi i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, sipas një burimi të Qeverisë indiane, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.
Papa Françesku: Ndaleni masakrën
Papa Françesku ka dënuar ashpër sulmin rus në Ukrainë.
“Në emër të Zotit, le të dëgjohet britma e njerëzve që po vuajnë dhe le të ndalen bombardimet e sulmet”, ka thënë ai në lutjet e së dielës në Vatikan.
“Në emër të Zotit, po ju lus të ndalni këtë masakër”.
Bombardimi i spitaleve të fëmijëve dhe shënjestrimi i civilëve është gjë “barbare” dhe “nuk ka arsye valide strategjike”, ka thënë Papa.
'Z' – Simboli i luftës së Putinit në Ukrainë
E vendosur në tanke, në bluza, e vizatuar në mure ndërtesash e në shumë vende të tjera, shkronja 'Z' është shndërruar në simbolin e luftës së Rusisë në Ukrainë, që nisi më 24 shkurt.
Fillimisht, simboli 'Z' u pa në tanket që ishin nisur drejt kufirit të Ukrainës, disa ditë para se presidenti rus, Vladimir Putin, të urdhëronte pushtimin e shtetit fqinj.
Ky simbol shpejt u shndërrua në simbol për mbështetjen e luftës së Putinit në Ukrainë dhe është parë e vizatuar edhe në ndërtesa të ndryshme në Komunën e Mitrovicës së Veriut, të banuar me shumicë serbe, në protestat në mbështetje të Putinit në Beograd, e në shumë vende të tjera.
Tekstin e plotë e gjeni këtu.