Vritet një gazetar amerikan në Ukrainë
Një gazetar amerikan është qëlluar për vdekje dhe një tjetër është plagosur në Irpin, në veri të Kievit, kanë raportuar disa media.
Autoritetet ukrainase kanë thënë se ai është vrarë nga forcat ruse.
Danylo Shapovalov, mjek vullnetar për mbrojtjen territoriale të Ukrainës, ka thënë se njëri nga amerikanët ka vdekur dhe tjetri është trajtuar.
Gazetarët e agjencisë së lajmeve, AFP në Irpin, e kanë parë trupin, i cili është identifikuar si Brent Renaud, fotograf dhe regjisor, i cili ka kontribuar për të përditshmen amerikane, New York Times në të kaluarën.
Gazeta ka thënë se është “thellësisht e mërzitur për lajmin e vdekjes së Brent Renaudit”, duke shtuar se ai nuk ka qenë i angazhuar për këtë medium.
Në ditën e 18-të të pushtimit rus, luftimet janë duke vazhduar në pjesë të ndryshme të Ukrainës.
- Një gazetar amerikan është qëlluar për vdekje dhe një tjetër është plagosur në Irpin, në veri të Kievit, kanë raportuar disa media. Gazetarët e agjencisë së lajmeve, AFP në Irpin e kanë identifikuar viktimën si Brent Renaud, fotograf dhe regjisor, i cili ka kontribuar për të përditshmen amerikane, New York Times në të kaluarën
- Sulmet e Rusisë kanë pasur shënjestër perëndimin e Ukrainës. Disa raketa ruse kanë rënë në bazën ushtarake në Javoriv, afër kufirit me Poloninë, duke lënë të vdekur 35 persona
- Kryetari i qytetit tjetër perëndimor, Ivano-Franvisk, ka thënë se trupat ruse po vazhdojnë të sulmojnë aeroportin. Në Lviv – qytet ku janë strehuar ukrainasit e larguar nga qytetet tjera – janë dëgjuar sirenat ajrore
- Luftime tjera ka edhe në veri të kryeqytetit ukrainas, Kiev, i cili bëhet gati për ndonjë rrethim të mundshëm të forcave ruse
- Në Çernihiv, të paktën një person është vrarë pasi një ndërtesë banimi është shkatërruar tërësisht nga forcat ruse, kanë thënë autoritetet
- Në lindje të Ukrainës, trupat ruse po tentojnë të rrethojnë forcat ukrainase, teksa avancojnë në Mariupol dhe Harkiv, ka thënë inteligjenca britanike
- Në shumë vende të Evropës po protestohet sërish kundër luftës në Ukrainë. Protesta po mbahen edhe në Rusi, ndonëse ato po shtypen nga autoritetet
OKB: Mbi 2.6 milionë persona janë larguar nga Ukraina
Kombet e Bashkuara thanë të dielën se ka arritur në pothuajse në 2.7 milionë numri i refugjatëve që janë larguar nga Ukraina qëkur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi nisjen e pushtimit të shtetit fqinj më 24 shkurt.
Komisionari i Lartë për Refugjatë i OKB-së tha se 2,698,280 refugjatë janë larguar nga Ukraina deri më tani.
Kjo shifër paraqet rritje prej 100,700 krahasuar me një ditë më parë.
Shefi i Agjencisë për Refugjatë i OKB-së, Filippo Grandi, ka thënë se ky është eksodi më i madh i refugjatëve në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Katër milionë persona mund të largohen nga Ukraina për shkak të dhunës, ka vlerësuar OKB-së. Por, sipas Agjencisë për Refugjatë (UNHCR), ky numër mund të rritet.
Polonia aktualisht ka pranuar mbi gjysmën e refugjatëve, apo 1,655,503 kanë hyrë në këtë shtet që prej nisjes së pushtimit, ka thënë UNHCR.
Kryetari i Lvivit: Duhet ta mbyllni qiellin mbi Ukrainë
Kryetari i Lvivit, Andriy Sadovyi, ka thënë se duhet të krijohet një zonë e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.
Lviv, që gjendet në perëndim të Ukrainës, është shndërruar në qytetin ku po strehohen ukrainasit që po ikin nga zonat e tjera të luftës.
“Lvivi sot është një qendër e madhe për refugjatët e luftës, mbi 200,000 persona kanë ardhur në Lviv”, tha ai për BCC.
Ai foli edhe për sulmin që ndodhi në një bazë ushtarake në Lviv, pranë kufirit me Poloninë dhe tha se sulmi i mëngjesit të së dielës ishte “shokues”.
I pyetur nëse Lviv, një qytet që gjendet pranë shteteve të NATO-s, është shënjestër e trupave ruse, ai tha se situata është e ngjashme sikurse në qytetet e tjera ukrainase dhe shtoi se ishte e vështirë të parashikohej se cili do të jetë caku i radhës i trupave ruse.
Ai kishte një mesazh për NATO-n, teksa lufta është afruar shumë pranë kufijve të kësaj aleance.
“Na duhen qiej të mbyllur, na duhen pajisje ushtarake... Ne na duhet një vendim sot. Sot na duhen jelek anti-plumb, jo nesër. Nesër raketat ruse mund ta godasin Bashkimin Evropian”, tha ai.