Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
16:59 13.3.2022

Zyrtarët ukrainas: Mbi 2,100 banorë të Mariupolit janë vrarë

Këshilli i qytetit të Mariupolit tha se 2,187 banorë janë vrarë deri më tani. Ky qytet, që është rrethuar nga trupat ruse, po përballet me bombardime të vazhdueshme, duke lënë banorët pa furnizime thelbësore për pothuajse dy javë.

Zyrtarët lokalë thanë se një ditë më parë, të paktën 22 sulme ajrore ruse kanë goditur qytetin.

“Banorët janë në një situatë të vështirë tash e 12 ditë. Nuk ka rrymë, ujë, apo ngrohje në qytet. Po ashtu, nuk ka pothuajse as komunikime telefonike. Furnizimet e fundit me ushqim dhe ujë janë duke u harxhuar”, tha këshilli i qytetit përmes një deklarate.

Forcat ruse kanë arritur të marrin kontrollin e pjesës lindore të periferisë së Mariupolit.

Ndërkaq, sipas imazheve satelitore, të publikuara së fundmi, në këtë qytet granatimet dhe bombardimet ruse kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën civile.

17:21 13.3.2022

Kievi dhe Moska paralajmërojnë rezultate pozitive në bisedimet për luftën në Ukrainë

Zyrtarët ukrainas dhe ata rusë janë shprehur optimistë për bisedimet që po zhvillojnë për luftën në Ukrainë, duke sugjeruar se mund të ketë rezultate pozitive brenda ditësh.

Ukraina tha se është e gatshme për negociata, por nuk do të pranojë asnjë ultimatum.

“Në parim, ne nuk do të pranojmë asnjë lëvizje qëndrimi. Rusia tashmë e kupton këtë. Rusia veçse ka nisur të bisedojë në mënyrë konstruktive”, tha negaciatori ukrainas, njëherësh këshilltar i Presidencës, Mykhailo Podolyak.

“Mendoj se do të arrijmë disa rezultate brenda ditësh”, tha ai përmes një video-mesazhi.

Ndërkaq, agjencia e lajmeve ruse RIA, ka cituar zyrtarin e delegacionit rus, Leonid Slutsky, të ketë thënë se në bisedime është arritur përparim substancial.

“Sipas pritjeve të mia personale, ky përparim mund të rritet në ditët e ardhshme dhe të arrihet deri te një qëndrim i përbashkët i të dy delegacioneve, duke nënshkruar edhe dokumente”, tha Slutsky.

*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

17:44 13.3.2022

SHBA-ja e paralajmëron Putinin kundër sulmeve me armë kimike

Më herët gjatë kësaj jave, Rusia bëri një pretendim të pambështetur se armë bërthamore po zhvillohen në laboratorë në Ukrainë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Ky pretendim është hedhur poshtë nga Ukraina dhe SHBA-ja, që kanë argumentuar se Rusia po tenton që të justifikojë përdorimin e mundshëm të armëve kimike për të sulmuar qytetet në Ukrainë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së paralajmëroi të dielën Rusinë se do të paguante “çmim të lartë” nëse kryen ndonjë sulm me armë kimike.

Jake Sullivan tha se SHBA-ja dhe aleatët po konsultohen lidhur me rritjen e kërcënimit. Ai shtoi se çdo sulm ndaj një shteti të NATO-s do të nxiste përgjigje të plotë të aleancës.

Këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.
Këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.

 

18:08 13.3.2022

Gazetarëve u ndalohet hyrja në Irpin

Gazetarët më nuk do të lejohen të hyjnë në qytetin Irpin, që gjendet pranë Kievit, tha kryetari i këtij qyteti, Oleksandr Markushyn.

Ky njoftim i bërë përmes Telegramit, vjen pasi gjatë ditës në këtë qytet u vra gazetari amerikan, Brent Renaud.

“Duke filluar nga sot, ne do t’ua ndalojmë gazetarëve hyrjen në Irpin. Ne duam të shpëtojmë edhe jetën e tyre dhe të mbrojtësve tanë”, tha Markushyn.

Ai po ashtu u bëri thirrje gazetarëve dhe civilëve ukrainas që të mos postojnë informacione në internet për personelin ushtarak, pajisjet e tyre, apo çfarëdo informacioni për vendndodhjen e tyre.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG