Me vetura, serbët në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës
Në Beograd të Serbisë më 13 mars u mbajt një ngjarje në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës.
Kjo protestë u organizua nga grupi i krahut të djathtë “Patrulla Popullore”.
Sipas Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, disa vetura, që kishin simbolin ‘Z’ dhe me flamuj rusë dhe serbë, protestuan duke parakaluar pranë qendrës “Sava” në Beograd.
Simboli ‘Z’ është parë në tanket ruse gjatë luftimeve në Ukrainë. Ky simbol po përdoret edhe nga personat që po e mbështesin vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për pushtimin e Ukrainës.
Protestuesit, së bashku me veturat e tyre, parakaluan në disa rrugë të kryeqytetit rusë, dhe pjesëmarrësit brohoritën “serbët dhe rusët janë vëllezër përgjithmonë”.
Më poshtë mund të shikoni disa fotografi nga kjo protestë në mbështetje të pushtimit rus:
Ukraina: 140,000 civilë janë evakuuar nga zonat e luftës
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se mbi 140,000 civilë janë evakuuar nga zonat e konfliktit përmes korridoreve humanitare.
Të dielën, disa qindra persona u evakuuan nga qytetet në rajonin e Kievit dhe rreth 5,000 të tjerë janë evakuuar nga rajoni lindor i Luhanskut, tha ajo gjatë një interviste për televizionin shtetëror ukrainas.
Megjithatë, Vereshchuk thoi se konvojet humanitare edhe një herë kanë dështuar që të arrijnë në qytetin e rrethuar të Mariupolit, për shkak të granatimeve ruse.
“Konvoji ka qëndruar në Berdiansk [qytet i okupuar nga rusët] dhe nesër sërish do të tentojë të arrijë në Mariupol”, citohet të ketë thënë Vereshchuk.
Rusia pretendon se luftëtarë të huaj janë vrarë në sulmin në Lviv
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka vlerësuar se në sulmin ndaj bazës stërvitore në Javoriv në perëndim të Ukrainës “janë vrarë deri në 180 mercenarë të huaj” dhe janë shkatërruar një numër i konsiderueshëm i armëve, që Ukraina i ka marrë nga shtetet e tjera.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Igor Konashenkov, tha se Rusia do të vazhdojë sulmet ndaj luftëtarëve të huaj të cilët i bashkohen forcave ukrainase, raportuan mediat ruse.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se në sulmin në bazën ushtarake në Lviv, në perëndim të Ukrainës, janë vrarë 35 persona dhe 130 të tjerë janë plagosur.
Çfarë qëndron pas mbështetjes ruse për luftën e Putinit në Ukrainë?
Një grua që po largohej nga granatimet e forcave në qytetin verilindor ukrainas, Harkiv, më 6 mars, u ndal për një moment dhe pyeti popullin rus një pyetje që shumë ukrainas dhe të huaj e kanë bërë: Pse rusët nuk protestojnë për të kundërshtuar atë që po bëhet në emër të tyre?
“Ju keni mundur ta bëni këtë më parë”, tha kjo grua për Radion Evropa e Lirë teksa foli mes lotësh dhe zemërimit dhe derisa djali i saj po shikonte, ajo reflektoi mbi “historinë tonë të përbashkët në vitet ’90. Në Bashkimin Sovjetik, të gjithë ngriheshin. Të gjithë. Ku jeni ju tani? Pse nuk ngriheni të protestoni? Pse i besoni [presidentit rus, Vladimir Putin]? Pse nuk i mbroni djemtë tuaj, fëmijët tuaj? Ngrihuni, ju lutem. Mbroni ata. Po ju përgjërohem”.
*Artikullin e plotë mund ta lexoni KËTU