Zyrtari ukrainas: Bisedimet me Rusinë po vazhdojnë pandërprerë
Këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhailo Podolyak, tha se të hënën, më 14 mars, do të paraqesin rezultatet e para të bisedimeve me delegacionin rus.
Podolyak, që është pjesë e delegacionit ukrainas në bisedimet me Rusinë, tha se bisedimet me Moskën po vazhdojnë pandërprerë.
“Sërish. Negociatat po vazhdojnë pandërprerë përmes video-konferencave. Grupet punuese po punojnë vazhdimisht. Një numër i madh i çështjeve kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Të hënën, më 14 mars, një sesion negociues do të mbahet për të përmbledhur rezultatet paraprake”, shkroi ai në Twitter.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Kadyrov raportohet se ka shkuar në Ukrainë
Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov raportohet se ka udhëtuar për në Ukrainë, ku anëtarë e milicisë së tij besohet se po luftojnë përkrah forcave të rregullta ruse.
Një televizion, që kontrollohet nga administrata e Kadyovit në Çeçeni ka postuar një video në Telegram më 13 mars, duke thënë se Kadyrov ishte në Ukrainë edhe pse nuk tregoi vendndodhjen e saktë se ku ishte bërë videoja.
Kadryrov ende nuk e ka konfirmuar se gjendet në Ukrainë. Megjithatë, dihet se njësitë e tij të Gardës Kombëtare të Çeçenisë janë dërguar në Ukrainë.
Në video, Kadyrov shfaqet duke u takuar me ushtarë të cilët i tregojnë për luftimet. Ndërkaq, në prapavijë shihet fotografia e babait të Kadyrovit, Akhmadit.
Në këtë video, Kadyrov flet pak, teksa ushtarët tregojnë se si njësia ka marrë kontrollin e një jetimoreje shtatë kilometra larg Kievit.
Videoja është titulluar: “Kreu i Republikës Çeçene Ramzan Kadyrov së bashku me luftëtarët që po marrin pjesë në operacionin e posaçëm ushtarak në Ukrainë”.
Mediat raportojnë se Moska po i kërkon ndihmë ushtarake Pekinit
Rusia po i kërkon Kinës ndihmë ushtarake dhe ekonomike, kanë raportuar gazetat Financial Times dhe New York Times.
Moska dëshiron që Pekini t’i ofrojë furnizime ushtarake që t’i përdorë në Ukrainë, shkroi Financial Times.
Duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, kjo gazetë raportoi se Rusia që prej fillimit të pushtimit të Ukrainës i ka kërkuar Kinës pajisje. Zyrtarët nuk kanë pranuar të specifikojnë se çfarë pajisjes po kërkon Rusia nga Kina.
Në artikullin e Financial Times thuhet se ka tregues që Kina mund të jetë e gatshme t’i ndihmojë Rusisë.
Ndërkaq, në një artikull të New York Times, që ka cituar zyrtarë amerikanë, pretendohet se Rusia po kërkon ndihmë ekonomike në mënyrë që të zbusë ndikimin e sanksioneve perëndimore.
Deri më tani, Kina ka tentuar që ta paraqesë veten neutrale sa i përket luftës Rusi-Ukrainë dhe nuk e ka dënuar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Të hënën, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan pritet që të mbajë takime në Rmë me zyrtarin kryesor të politikës së jashtme kineze, Yang Jiechi.
Duke folur për NBC të dielën, Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara do të sigurohen “që Kina, apo kushdo tjetër” nuk do të kompensojë humbjet ekonomike të Rusisë.
SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera kanë vendosur sanksione të ashpra kundër Rusisë, pasi Moska më 24 shkurt nisi pushtimin e Ukrainës.
Agjencia e OKB-së: Stafi i Çernobilit është lodhur fizikisht dhe mendërisht
Stafi i centralit bërthamor të Çernobilit në Ukrainë më nuk mund të kryejnë disa punë për shkak se “janë fizikisht me mendërisht të lodhur”, tha agjencia e Kombeve të Bashkuara që mbikëqyrë punën e centraleve bërthamore.
Përmes një postimi në Twitter, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, tha se stafi në këtë central ka punuar “pandërprerë” për pothuajse tri javë.
Në ditën e parë të nisjes së pushtimit të Ukrainës, forcat ruse morën nën kontroll këtë central bërthamor, ku më 1986 ka ndodhur katastrofa më e rëndë bërthamore në botë.
Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi po ashtu tha se stafi po përballet me një “situatë të rëndë” dhe shtoi se duhen të ndërmerren përpjekje “urgjente” që të garantohet siguria e ndërtesave bërthamore të Ukrainës.
Autoritetet ukrainase kanë shprehur shqetësime për pasoja të mundshme pas dëmtimeve në centralin bërthamor të Çernobilit, që janë shkaktuar gjatë luftimeve.