Lexues të nderuar, këtu po e përfundojmë mbulimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve në Ukrainë. Do të rikthehemi nga ora 07:00.
Ndërkaq, më poshtë mund të lexoni ngjarjet kryesore që ndodhën më 13 mars në Ukrainë:
- Të paktën 35 persona u vranë dhe 134 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi rus në një bazë ushtarake në afërsi të kufirit me Poloninë. Ukraina tha se Rusia e goditi bazën e trajnimeve Yavoriv me 30 raketa. Rusia e pranoi se e ka kryer sulmin ndaj kësaj baze dhe pretendoi se ka vrarë “mercenarë të huaj”.
- Autoritetet ukrainase thanë se më 14 mars do të prezantojnë rezultatet e para të bisedimeve me Rusinë. Anëtarë të delegacionit ukrainas thanë se bisedimet me palën ruse po vazhdojnë “pandërprerë” përmes video-lidhjeve
- Gazetari amerikan, Brent Renaud, u vra në Irpin, në afërsi të Kievit. Ai është gazetari i parë i huaj që është vrarë në luftën në Ukrainë. Pas kësaj, zyrtarët e Irpinit thanë se ua kanë ndaluar hyrjen në qytet gazetarëve, ndërkaq Shtetet e Bashkuara u zotuan se Rusia do të ketë pasoja për vrasjen e gazetarit
- Autoritetet lokale në Mariupol kanë konfirmuar se mbi 2,100 banorë të këtij qyteti të rrethuar ukrainas, janë vrarë që prej nisjes së pushtimit rus. Kryqi i Kuq tha se banorët e këtij qyteti janë pa rrymë dhe ngrohje, ndërkaq furnizimet ushqimore dhe uji po iu harxhohen, andaj bëri thirrje që palët në konflikt të arrijnë marrëveshje që të dërgohet ndihmë humanitare në këtë qytet
- Autoritetet ukrainase thanë se 140,000 persona janë evakuuar nga zonat e konfliktit përmes korridoreve humanitare
- Financial Times dhe New York Times kanë raportuar se Rusia po i kërkon Kinës ndihmë ushtarake dhe ekonomike. Financial Times tha se ka tregues se Kina është e gatshme që ta ndihmojë Rusinë
- Kievi tha se në centralin bërthamor është rikthyer furnizimi me energji elektrike, duke shtuar se me këtë është parandaluar një katastrofë bërthamore që do ta kërcënonte gjithë Evropën. Por, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore tha se stafi në këtë central – që është nën kontrollin e forcave ruse – është lodhur mendërisht dhe fizikisht pasi po punon për gati tri javë pa u ndaluar. Kjo agjenci tha se për shkak të kësaj, punëtorët në Çernobil nuk po mund të kryejnë disa detyra
- Në Rusi, qindra persona u arrestuan gjatë protestave kundër luftës në Ukrainë
- Në Beograd të Serbisë, disa qytetarë organizuan një protestë në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës. Ata parakaluan me veturat e tyre nëpër rrugët e Beogradit, teksa në vetura kishin vendosur simbolin ‘Z’, flamuj rusë dhe serbë
Mirëmëngjesi të gjithëve dhe faleminderit që ndiqni blogun e REL-it për zhvillimet në Ukrainë!
Ora në Kiev shënon 8:00.
Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë pritet të zhvillojnë sot një rund të ri bisedimesh për paqe.
Dmitry Peskov, negociator i Rusisë dhe sekretar për media i presidentit rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se bisedimet do të zhvillohen përmes video-konferencës.
Mykhailo Podolyak, negociator i Ukrainës dhe këshilltar i presidentit të këtij vendi, Volodymyr Zelensky, e konfirmoi deklaratën e Kremlinit.
Në një video të postuar në mediat sociale, Podolyak tha se Rusia po fillon të angazhohet në mënyrë konstruktive në bisedime.
“Rusia tani e percepton në mënyrë shumë më adekuate botën përreth saj. Ajo është shumë më e ndjeshme ndaj pozicionit të Ukrainës, që është dëshmuar në fushën e betejës, dhe në veprimet e Ukrainës në drejtim të mbrojtjes së interesave të saj”, tha Podolyak.
Të dielën, Zelensky tha se delegacioni i tij është në bisedime me homologët rusë çdo ditë.
“Delegacioni ynë ka një detyrë të qartë - të bëjë gjithçka për të siguruar një takim të presidentëve. Takim që jam i sigurt se njerëzit po e presin”, tha Zelensky në një video-adresim.
Rusia ka thënë më herët se Kremlini nuk do të refuzonte një takim të tillë, për të diskutuar çështje “specifike”, por nuk ka pasur detaje të mëtejshme në këtë drejtim.
Lufta në Ukrainë hyn sot në ditën e 19-të.
Tri zhvillimet kryesore të një dite më parë kanë qenë:
- Ushtria ruse ka sulmuar një bazë stërvitore ushtarake në qytetin perëndimor të Ukrainës, Javoriv. Së paku 35 njerëz janë vrarë dhe mbi 130 janë plagosur.
- Luftimet në zonat jashtë kryeqytetit Kiev kanë vazhduar. Një gazetar amerikan është qëlluar për vdekje në qytetin pranë, Irpin. Brent Renaud, 50 vjeç, ka punuar më herët për gazetën New York Times. Shefi i policisë së Kievit, Andriy Nebytov, ka thënë se ai është qëlluar nga ushtarët rusë.
- Kombet e Bashkuara kanë thënë se numri i refugjatëve ukrainas ka arritur në gati 2.7 milionë. Shifra e të zhvendosurve të dielën është rritur për më shumë se 100,000 krahasuar me një ditë më herët. Shefi i Agjencisë së OKB-së për Refugjatë, Filippo Grandi, ka thënë se ky është eksodi më i madh i refugjatëve në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Zelensky përsërit thirrjet për zonë ndalim-fluturimi
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri sërish thirrje udhëheqësve të NATO-s që të vendosin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.
“Nëse nuk e mbyllni qiellin tonë, është çështje kohe kur raketat ruse do të bien në territorin tuaj, në territorin e NATO-s”, tha Zelensky në një video-adresim të postuar në mediat sociale.
Thirrja e tij vjen pasi raketat ruse qëlluan të dielën një bazë stërvitore ushtarake në Javoriv të Ukrainës.
Lokacioni ndodhet 25 kilometra larg Polonisë - vend anëtar i NATO-s.
Zyrtarët ukrainas thanë se së paku 35 njerëz u vranë dhe 134 u plagosën në sulm.
SHBA-ja e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, pasi, siç ka thënë, kjo mund të nënkuptojë që forcat e NATO-s t’i rrëzojnë aeroplanët rusë.
Sipas presidentit amerikan, Joe Biden, kjo do ta përkeqësonte situatën në shkallën e një lufte të tretë botërore.