Ambasada amerikane u bën thirrje amerikanëve të largohen nga Ukraina
Ambasada amerikane në Kiev u bëri thirrje edhe një herë qytetarëve amerikanë që të largohen nga Ukraina, pasi, siç tha, sulmet e vazhdueshme ruse e kanë bërë situatën e sigurisë “të dhunshme dhe të paparashikueshme”.
Në një postim në Twitter, ambasada paralajmëroi qytetarët e mbetur amerikanë në Ukrainë që t’i “mendojnë me kujdes” rrugët dhe rreziqet e udhëtimit, pasi, sipas saj, rrugët mund të jenë të mbushura me njerëz dhe të ekspozuara ndaj operacioneve luftarake.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë në janar se nuk ka të dhëna të sakta të numrit të përgjithshëm të amerikanëve në Ukrainë, përveç personelit të mbetur të Qeverisë amerikane.
Britania furnizon Ukrainën me mbi 500 gjeneratorë
Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se Mbretëria e Bashkuar do ta furnizojë Ukrainën me më shumë se 500 gjeneratorë.
Gjeneratorët do të ofrojnë energji për shërbimet thelbësore, përfshirë strehimoret dhe spitalet.
Ata gjithashtu do të ofrojnë energji të mjaftueshme për të furnizuar me rrymë mbi 20,000 shtëpi.
Njoftimi vjen pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i bëri kërkesë të drejtpërdrejtë Britanisë së Madhe për gjeneratorët.
Johnson tha se gjeneratorët do të lehtësojnë menaxhimin e ndërprerjeve të energjisë elektrike në të gjithë Ukrainën.
Ai shtoi se ata “do të ndihmojë edhe në funksionimin e shërbimeve jetike, në mënyrë që njerëzit e Ukrainës të mund të vazhdojnë të mbrojnë vendin e tyre”.
Rusia bllokon qasjen në Instagram
Rusia duket se ka ndaluar funksionimin e aplikacionit Instagram për shpërndarjen e fotografive.
Në një postim në Twitter, NetBlocks - një organizatë që monitoron sigurinë kibernetike dhe qeverisjen e internetit - konfirmoi se të dhënat në kohë reale tregojnë se Instagram-i është kufizuar në Rusi nga shumë ofrues.
“Rrjeti social popullor është ndaluar nga rregullatori [rus] i internetit, Roskomnadzor, pas masave të ngjashme të marra kundër Twitter-it dhe Facebook-ut”, tha NetBlocks.
Qeveria ruse ka paralajmëruar qysh të premten se do të vendosë kufizime në qasjen në Instagram nisur nga 14 marsi.
Rusia ka marrë vendimin pasi kompania që posedon Instagram-in, Meta, ka vendosur t’i lehtësojë përkohësisht rregullat e saj të moderimit dhe t’i lejojë përdoruesit të postojnë mesazhe anti-ruse.
Në deklaratën e saj të premten, Rusia ka thënë se ka nisur procesin e njohjes së Metës si “organizatë ekstremiste”.
Së paku një i vrarë nga granatimet në Kiev
Së paku një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën pasi sulmet ruse goditën një ndërtesë banimi në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, raporton televizioni shtetëror i këtij vendi.
Në anën tjetër, Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës tha se gjeti dy trupa të pajetë, ndërsa tre persona u dërguan në spital.
Fotografitë e shpërndara nga ky shërbim tregojnë shtëllunga tymi mbi bllokun nëntëkatësh dhe zjarrfikës që përdorin shkallët për të shpëtuar banorët e tij.