Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
09:04 14.3.2022

Ukraina pretendon se ka rrëzuar katër avionë rusë brenda një dite

Shtabi i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se, në 24 orët e fundit, ka goditur me sukses katër avionë, tre helikopterë dhe disa avionë pa pilot, që u përkisnin forcave ruse.

Ai tha ka kryer “sulme dërrmuese” në bazat fushore dhe magazinat e Rusisë, për të ndërprerë, siç tha, sistemin e saj të furnizimit logjistik në territorin e Ukrainës.

Sipas ushtrisë ukrainase, forcat ruse nuk kanë bërë ndonjë avancim të mëtejshëm, por janë fokusuar në “konsolidimin dhe ruajtjen e kufijve të pushtuar më parë”.

Ajo gjithashtu tha se “gjendja morale dhe psikologjike” e forcave ruse mbetet në një “nivel të ulët” dhe se ato “refuzojnë” t'iu binden komandave për të marrë pjesë në luftime.

REL nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.

09:11 14.3.2022

Ukraina: Mbi 2,500 banorë të Mariupolit, të vrarë

Më shumë se 2,500 banorë të qytetit port të Mariupolit në Ukrainë janë vrarë, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, tha këshilltari i Presidencës së Ukrainës, Oleksiy Arestovych.

Ai tha se po citonte shifra nga administrata e qytetit të Mariupolit dhe akuzoi forcat ruse për pengimin e ndihmave humanitare në këtë rajon.

Ushtria e Rusisë thotë se nuk i sulmon civilët.

Më 9 mars, një sulm ajror rus ka goditur një spital të lindjes në Mariupol, duke shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e disa personave.

Kjo fotografi, e nxjerrë nga një video e publikuar nga Këshilli i Qytetit të Mariupolit, shfaq pasojat e sulmit rus ndaj spitalit të lindjes, më 9 mars.
Kjo fotografi, e nxjerrë nga një video e publikuar nga Këshilli i Qytetit të Mariupolit, shfaq pasojat e sulmit rus ndaj spitalit të lindjes, më 9 mars.

 

09:47 14.3.2022

SHBA paralajmëron Kinën që të mos e ndihmojë Rusinë

Shtetet e Bashkuara thanë se Kina do të përballet me “pasoja të ashpra” nëse e ndihmon Rusinë në pushtimin e Ukrainës, raportojnë mediat amerikane.

Zyrtarë të paidentifikuar raportohet se u kanë thënë mediave të shumta amerikane se Rusia i ka kërkuar Kinës t’i ofrojë ndihmë ushtarake.

Ambasada kineze në Uashington tha se nuk është në dijeni për këtë kërkesë.

Në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha se Uashingtoni “po komunikon drejtpërdrejt dhe privatisht me Pekinin” dhe se ai do të ketë “pasoja të ashpra” nëse mbështet Rusinë.

Paralajmërimi vjen përpara një takimi që Sullivan pritet të zhvillojë sot në Romë me zyrtarë të lartë kinezë.

Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan.
Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt, Pekini ka shprehur mbështetje retorike për aleatën e tij, Moskën, por nuk është e qartë publikisht nëse i ka ofruar ndonjë mbështetje ushtarake ose ekonomike.

Pekini, në të njëjtën kohë, ka shprehur “mbështetje të palëkundur” edhe për sovranitetin e Ukrainës.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për paqe dhe ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë në përfundimin e luftës përmes diplomacisë.

Mediat në SHBA, ditëve të fundit, kanë cituar zyrtarë amerikanë të kenë thënë se Rusia i ka kërkuar Kinës në mënyrë specifike pajisje ushtarake, përfshirë dronë.

Përgjigjja e Kinës ndaj kësaj kërkese nuk dihet.

09:56 14.3.2022

Australia sanksionon Abramovichin dhe 32 miliarderë të tjerë rusë

Qeveria e Australisë ndoqi Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në dhe shpalli “sanksione të reja kundër 33 oligarkëve rusë, biznesmenëve të shquar dhe familjarëve të tyre të ngushtë”.

Roman Abramovich, pronar i klubit të futbollit Chelsea, është një nga personat e sanksionuar, ashtu si edhe Alexey Miller, Dmitri Lebedev, Sergey Chemezov, Nikolay Tokarev, Igor Shuvalov, Kirill Dmitriev dhe disa të tjerë.

Australia tha se sanksionet e shpallura sot përforcojnë “angazhimin e vendit për t’i sanksionuar ata njerëz që kanë grumbulluar pasuri të madhe personale dhe janë me rëndësi ekonomike dhe strategjike për Rusinë”.

“Qeveria australiane përsërit mbështetjen e fortë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe për popullin e Ukrainës”, thuhet në deklaratë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG