Ukraina, thirrje Perëndimit për më shumë armë
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i bëri thirrje Perëndimit që ta furnizojë Ukrainën me armë dhe të zbatojë më shumë sanksione kundër Rusisë, me qëllim që të parandalohet, siç tha, përfshirja e vendeve të tjera në një konflikt më të gjerë.
Ukraina u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve të saj që të bëjnë më shumë për ta ndihmuar atë që t’i rezistojë pushtimit rus.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhrin për pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Disa qeveri perëndimore kanë shprehur frikën se një veprim i tillë mund të tërheqë vende të tjera në luftë, përfshirë vendet anëtare të NATO-s.
“Për ata jashtë vendit [Ukrainës] që kanë frikë se mund të tërhiqen në një luftë të tretë botërore... Ukraina po lufton me sukses. Ne kemi nevojë që ju të na ndihmoni të luftojmë. Na i siguroni të gjitha armët e nevojshme”, shkroi Kuleba në Twitter.
“Zbatoni më shumë sanksione kundër Rusisë dhe izolojeni atë plotësisht! Ndihmojeni Ukrainën që ta detyrojë Putinin të dështojë dhe do ta shmangni një luftë më të madhe”, tha Kuleba.
Perëndimi është duke e ndihmuar Ukrainën me armatim dhe financa.
Përkundër thirrjeve të Ukrainës, Perëndimi e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, nga frika se një gjë e tillë do të mund të shkaktonte një luftë të tretë botërore.
Evropa me rritjen më të madhe të importeve të armëve
Rajoni i Evropës ka shënuar rritjen më të madhe të importeve të armëve: për 19 për qind në periudhën 2017-2021, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë eksportuar më shumë armë sesa Rusia.
Në raportin e publikuar më 14 mars nga Instituti Ndërkombëtar i Paqes (SIPRI), me seli në Stokholm, thuhet se krahasuar me periudhën 2012-2016, kjo rritje e importeve të armëve në Evropë përbën 13 për qind të të gjitha transfereve globale të armëve.
Sipas raportit, importuesit kryesorë të armëve në Evropë janë: Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Holanda.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Mbi 1.7 milion refugjatë ukrainas në Poloni
Më shumë se 1.75 milion njerëz janë larguar nga Ukraina në Poloni, që nga fillimi i luftës, tha të hënën Agjencia e Gardës Kufitare polake.
Megjithatë, jo të gjithë prej tyre mendohet se janë aktualisht në Poloni.
Sipas autoriteteve atje, rreth një milion refugjatë mbeten në Poloni, ndërsa të tjerët janë larguar tashmë në vende të tjera.
Sipas Gardës Kufitare polake, mbi 82,000 njerëz kanë kaluar kufirin të dielën.
Polonia është vendi me numrin më të madh të refugjatëve ukrainas, ndërsa destinacione të tjera për ta janë edhe Rumania, Moldavia, Sllovakia etj.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se numri total i refugjatëve ukrainas ka arritur në gati 2.7 milionë.
Shifra e të zhvendosurve të dielën është rritur për më shumë se 100,000 krahasuar me një ditë më herët.
Shefi i Agjencisë së OKB-së për Refugjatë, Filippo Grandi, ka thënë se ky është eksodi më i madh i refugjatëve në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Pretendimet se Rusia i kërkoi ndihmë Kinës “janë dezinformata”
Kina i cilësoi si “dezinformata” pohimet e zyrtarëve amerikanë se Rusia i kërkoi Pekinit ndihmë ushtarake për të luftuar në Ukrainë.
Zyrtarë të paidentifikuar u thanë mediave të shumta amerikane se Rusia i kërkoi Kinës pajisje ushtarake, përfshirë dronë.
Kjo bëri që SHBA-ja ta paralajmërojë Pekinin se do të përballet me “pasoja” të ashpra nëse mbështet Moskën.
Por, duke folur në një konferencë për media në Pekin, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze e akuzoi Uashingtonin për përhapje të gënjeshtrave “dashakeqe” rreth rolit të Kinës në luftë.
Zëdhënësi këmbënguli se Kina “ka luajtur një rol konstruktiv në nxitjen e paqes dhe thirrjen për negociata”.