Kryenegociatori i Ukrainës: Rusia ka ende iluzion se dhuna është strategji e duhur
Mykhaylo Podolyak, këshilltar i lartë i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se është gati për një “diskutim të vështirë” me Rusinë.
Delegacionet e dy vendeve mbajnë sot, përmes video-konferencës, rundin e katërt të bisedimeve për paqe.
“Për paqen - një armëpushim, një tërheqje e menjëhershme e trupave dhe garanci për sigurinë. Një diskutim i vështirë është përpara”, tha kryenegociatori i Ukrainës në bisedime, Podolyak.
“Megjithëse Rusia e kupton marrëzinë e veprimeve të saj agresive, ajo ende ka një iluzion se 19 ditë dhune kundër qyteteve paqësore [ukrainase] janë strategjia e duhur”, shkroi ai në Twitter.
Diskutimet zhvillohen në kohën kur Rusia ka intensifikuar sulmet në të gjithë Ukrainën.
Daçiq: Me sanksione kundër Rusisë, Serbia do ta dëmtonte veten
Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se sikur Serbia t’i vendoste sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, ajo “nuk do ta dëmtonte Moskën, por interesat e veta”.
Daçiq tha se Rusia po ndihmon në “mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare të Serbisë”, sepse, sipas tij, ajo nuk po e lejon Kosovën që të “kalojë” në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Rusia është i vetmi vend që do të vendosë veto ndaj njohjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit, ndërsa vendet perëndimore nuk do ta tërheqin njohjen, por do të vazhdojnë ta shtyjnë tutje. A ia vlen që ne t’i vendosim sanksione Rusisë? Me to nuk do ta dëmtonim Rusinë, por veten”, tha Daçiq për Televizionin Prva të Serbisë.
Ai tha se në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia ka marrë përsipër që gradualisht ta harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me BE-në, por shtoi se Beogradi “do të harmonizohet menjëherë” nëse bëhet nesër anëtar i BE-së.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, e kanë harmonizuar politikën e sanksioneve kundër Rusisë me Bashkimin Evropian.
Serbia është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në BE që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë.
Përshëndetje për të gjithë ju që sapo jeni kyçur në blogun tonë!
Disa nga lajmet e këtij mëngjesi janë:
- Negociatorët rusë dhe ukrainas nisën rundin e katërt të bisedimeve që synojnë ndalimin e konfliktit. Negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak, tha se këto bisedime do të fokusohen në vendosjen e armëpushimit, tërheqjen e trupave ruse dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
- Rusia vazhdoi bombardimet në disa pjesë të Ukrainës. Në kryeqytetin Kiev, sulmet ruse goditën një bllok banesash. Së paku një person u konfirmua i vrarë.
- Autoritetet ukrainase thanë se do të bëjnë përpjekje të evakuojnë civilë përmes dhjetë “korridoreve humanitare”, përfshirë nga qytetet pranë Kievit dhe nga rajoni lindor, Luhansk.
- Kina i cilësoi si “dezinformata” pohimet e zyrtarëve amerikanë se Rusia i kërkoi Pekinit ndihmë ushtarake për të luftuar në Ukrainë. SHBA-ja e paralajmëroi Pekinin se do të përballet me “pasoja” të ashpra nëse mbështet Moskën.
- Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se India po konsideron të pranojë një ofertë ruse, për të blerë naftën e saj të papërpunuar dhe mallra të tjera me çmime të zbritura. Rusia është e goditur rëndë nga sanksionet e Perëndimit. Javën e kaluar, SHBA-ja ka ndaluar importet e naftës ruse.
Escobar: Mali i Zi mbetet një objektiv tërheqës për Moskën
Mali i Zi mbetet një objektiv tërheqës për Moskën dhe kjo është arsyeja përse Shtetet e Bashkuara dhe partnerët euroatlantikë duhet t’i shtojnë përpjekjet kolektive për të kundërshtuar veprimet armiqësore të presidentit rus, Vladimir Putin, tha i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
E njëjta ideologji e gabuar po e shtyn Kremlinin të parandalojë dhe ngadalësojë integrimin euroatlantik të Ballkanit, tha Escobar për të përditshmen malazeze, Vijesti.
Ai u bëri thirrje të gjithëve në Ballkanin Perëndimor që ta mbajnë Putinin përgjegjës për pushtimin e Ukrainës.
“Derisa shpaloset kjo katastrofë humanitare, ju duhet ta pyesni veten se për çfarë është gati Putin gjetkë në botë, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor”, tha Escobar.
Duke ndjekur politikën e Bashkimit Evropian, Qeveria e Malit të Zi ka vendosur sanksione kundër Rusisë më 1 mars, por nuk i ka marrë vendimet e nevojshme për t’i zbatuar ato.
Ndër të tjera, Qeveria nuk ka marrë vendim për ndalimin e mediave ruse, Russia Today dhe Sputnik, në Mal të Zi - për të cilën gjë është paralajmëruar nga BE-ja, e cila i ka ndaluar ato qysh më 2 mars.
Më 2 mars, Mali i Zi ka votuar për një rezolutë në Kombet e Bashkuara, e cila ka dënuar ashpër agresionin rus dhe ka kërkuar fundin e përdorimit të forcës në Ukrainë.