Borrell: Pushtimi i Ukrainës, moment për ringjalljen e zgjerimit të BE-së
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se blloku duhet të fillojë bisedimet zyrtare për pranimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Duke folur në një konferencë për media në Shkup, Borrell tha se pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia është “një moment për ringjalljen e procesit të zgjerimit të BE-së”.
Borrell shtoi se blloku do t’i vazhdojë diskutimet me Bullgarinë, e cila ka kërcënuar se do t’i pengojë përpjekjet e Shkupit për integrimin evropian.
Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, prej dekadash, kanë mospajtime për çështje gjuhësore dhe historike.
Mosmarrëveshjet e tyre kanë arritur kulmin në vitin 2020, kur Bullgaria - anëtare e BE-së - i ka vënë veto propozimit për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.
Sipas Sofjes, Maqedonia e Veriut ka dështuar të respektojë marrëveshjet që ka bërë me një traktat dypalësh të miqësisë, në vitin 2017.
Një person i vrarë nga rrënojat e një rakete që ranë në Kiev
Një person u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën pasi rrënojat e një rakete ruse ranë në një rrugë në Kiev, thanë autoritetet ukrainase.
Mbetjet e raketës shkatërruan një autobus dhe i vunë flakën një ndërtese banimi në lagjen Kurenivka të kryeqytetit, tha Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës.
Sipas tij, autobusi nuk po transportonte asnjë pasagjer, por u shkatërrua plotësisht.
Çernobili mbetet sërish pa rrymë
Ish-termocentrali bërthamor i Çernobilit në Ukrainë ka mbetur sërish pa energji elektrike, pasi forcat ruse dëmtuan - për herë të dytë - linjën e tensionit të lartë në termocentral, tha kompania kombëtare e energjisë në Ukrainë, Ukrenergo.
Kompania tha përmes një deklarate se linja, e cila furnizon me energji elektrike edhe qytetin Sllavutiç, është dëmtuar përsëri nga forcat ruse, pasi ekuipazhi i Ukrenergo-s e ka riparuar atë.
Termocentrali është shkëputur plotësisht nga rrjeti elektrik javën e kaluar.
Kjo ndërprerje ka vënë në rrezik rreth 20 tonë mbeturina bërthamore, që duhet të ftohen vazhdimisht, për të penguar rrjedhjen e tyre nga uzina, e cila ndodhet rreth 100 kilometra larg kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.
Javën e kaluar, gjeneratorët emergjentë u aktivizuan menjëherë.
Forcat ruse morën kontrollin e Çernobilit menjëherë pasi shteti rus nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ukrenergo kërkoi qasje në zonë për të bërë riparime.
Ukrenergo tha se Çernobili “është një strukturë e rëndësishme, që nuk mund të lihet pa furnizim të besueshëm me energji”.
Qyteti i Ukrainës, Kiev, në ditën e 19-të të luftës: