Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
14:09 14.3.2022

Rusia: 20 persona të vrarë në Donjeck

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se 20 persona janë vrarë dhe nëntë janë plagosur në një sulm me raketa në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck.

REL nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Kremlini e ka përshkruar sulmin si “tragjedi ndaj civilëve”.

“Duket se bosët e Ukrainës përtej oqeanit po i japin urdhra ushtrisë ukrainase”, tha Ministria ruse.

Donjeck, Ukrainë
Donjeck, Ukrainë

Ukraina i mohoi akuzat për sulmin.

Donjecku është një nga zonat separatiste në lindje të Ukrainës, ku luftimet midis separatistëve pro-rusë dhe forcave ukrainase vazhdojnë qysh në vitin 2014.

Një nga kërkesat e presidentit rus, Vladimir Putin, për të ndalur luftën në Ukrainë është njohja e pavarësisë së Donjeckut.

14:22 14.3.2022

Kremlini s’e përjashton marrjen e kontrollit të qyteteve të Ukrainës

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska ka planifikuar të shmangë viktimat civile dhe të përmbahet nga sulmet në qendrat kryesore të popullsisë, përfshirë Kievin.

Por, në komentet e transmetuara nga Televizioni Rossiya 24, Peskov tha se lufta urbane “do të çojë në mënyrë të pashmangshme në një numër të madh viktimash midis civilëve”.

“Ministria e Mbrojtjes, duke garantuar sigurinë maksimale të popullatës paqësore, nuk e përjashton mundësinë e vendosjes nën kontroll të plotë të qendrave të mëdha të popullsisë... me përjashtim të zonave që përdoren për evakuime humanitare”, tha Peskov.

Ai shtoi se zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së “po e shtyjnë Rusinë drejt sulmeve në qytetet kryesore në Ukrainë, me qëllim që të hedhin përgjegjësinë për vdekjet e civilëve mbi vendin tonë”.

“Ne mendojmë se një qëndrim i tillë është provokues”, tha Peskov.

14:59 14.3.2022

EULEX-i përforcon njësinë policore në Kosovë

Misioni evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, njoftoi të hënën se do të përforcojë njësinë e tij të specializuar policore me një njësi rezervë.

Në një komunikatë dërguar mediave, EULEX tha se kjo njësi, e përbërë prej 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmerisë, nga Portugalia, Franca dhe Italia, “do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim” për të përforcuar, siç tha, “kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it”.

“Njësia Policore e Specializuar Rezervë do të mbështesë EULEX-in për përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse është e nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Njësia e Specializuar e rregullt e EULEX-it përbëhet prej 105 zyrtarësh policorë nga Polonia, që janë të stacionuar në Mitrovicë.

Në Kosovë, reaguese e parë e sigurisë është Policia e Kosovës; EULEX-i është i dyti, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i, është i treti.

Selia e EULEX-it në Prishtinë
Selia e EULEX-it në Prishtinë

Javën e kaluar, misioni i Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë, EUFOR, ka dërguar 500 ushtarë shtesë në këtë vend.

Komandanti i EUFOR-it në Bosnje, Anton Wessely, ka thënë se trupat shtesë janë vendosur si masë paraprake dhe se nuk ka informacione për kërcënime të sigurisë në këtë vend.

Trupat e EUFOR-it kanë mbërritur në Bosnje në kohën e luftës në Ukrainë, e cila, sipas Wessleyt, është një çështje shqetësuese për të gjithë Evropën.

15:23 14.3.2022

Rreth 160 makina private janë larguar nga Mariupoli

Makinat private kanë arritur të dalin nga qyteti i rrethuar ukrainas, Mariupol, ka njoftuar Këshilli i qytetit.

Rreth 160 makina është thënë se janë larguar përmes korridoreve humanitare, të cilat çojnë në qytezën e pushtuar nga forcat ruse, Berdjansk, ka thënë Këshilli i qytetit përmes një postimi në Telegram.

Deri më tani kanë dështuar disa tentime për të larguar civilët nga Mariupoli, i cili ka pasur rreth 400,000 banorë në periudhën paqësore.

Banorët e këtij qyteti - të rrethuar nga forcat ruse - është thënë se kanë jetuar ditëve të fundit në temperatura të ulëta, pa rrymë, dhe me pak furnizime të ushqimit dhe ujit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG