Berisha: Do të votojmë për kryetarin e Kuvendit dhe presim të jemi në Qeveri
Deputeti i zgjedhur nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha, tha se do të votojë për propozimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ashtu si ka bërë edhe më parë.
Ai tha se nuk ka diskutuar ende për pjesëmarrjen në kabinetin qeveritar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, por beson se do të jetë pjesë e tij.
LDK paralajmëron: Nuk do të votojmë pa marrëveshje politike
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se i takon partisë fituese - Lëvizjes Vetëvendosje - të sigurojë votat për formimin e institucioneve dhe të mos vazhdojë me bllokada si vitin e kaluar.
Ai paralajmëroi se LDK-ja nuk do të mbështesë asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit pa një marrëveshje politike mes partive.
“Asnjëherë nuk i kemi lidhur vendimet tona me emra të përveçëm; krejt çka kemi thënë është se pa marrëveshje politike ne nuk votojmë asnjë kandidat”, tha Zemaj para nisjes së seancës konstituive.
Haxhiu në garë pas dështimit të vitit të kaluar?
Albulena Haxhiu, e cila po përflitet si kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, kishte qenë në garë edhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të kaluar.
Megjithatë, ajo nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme, pavarësisht dhjetëra tentimeve.
Për këtë arsye, Lëvizja Vetëvendosje propozoi emra të tjerë, duke çuar në zgjedhjen e Dimal Bashës si kryeparlamentar.
Mandati i tij, megjithatë, zgjati pak, pasi Kuvendi u shpërnda, për shkak të pamundësisë për të formuar Qeverinë e re, dhe u shpallën zgjedhjet e reja.
Haxhiu pritet të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit
Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, pritet të kandidojë për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Emri i saj ka qarkulluar në disa media, ndërsa u përmend edhe nga kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq.
“Sa di unë, Haxhiu do të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit”, u tha ai gazetarëve para fillimit të seancës konstituive.
Rashiq, po ashtu, paralajmëroi se mund të jetë sërish ministër për Komunitete dhe Kthim.