Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Kuvendi i Kosovës u konstituua më 11 shkurt me zgjedhjen e kryetares Albulena Haxhiu dhe pesë nënkryetarëve: Ardian Gola, Vlora Çitaku, Kujtim Shala, Sllavko Simiq dhe Emillija Rexhepi.
- Në fjalimin e saj të parë, Haxhiu tha se do të sigurojë funksionim me dinjitet të Kuvendit, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.
- Presidentja Vjosa Osmani bëri thirrje për bashkëpunim konstruktiv dhe një Kuvend plotësisht funksional, në shërbim të shtetit të së drejtës dhe agjendës euroatlantike.
- Sonte pritet të mbahet edhe një seancë tjetër për votimin e Qeverisë.
- Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar te presidentja propozimin për caktimin e Albin Kurtit si mandatar për formimin e Qeverisë së re.
Nagavci dorëzon te Osmani emrin e Kurtit për mandatar
Kryesuesja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se i ka dorëzuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, propozimin për caktimin e Albin Kurtit si mandatar për formimin e Qeverisë së re.
Në një postim në Facebook, Nagavci theksoi se ky veprim bazohet në vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Osmani uron Haxhiun për zgjedhjen në krye të Kuvendit, bën thirrje për bashkëpunim institucional
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi Albulena Haxhiun për zgjedhjen e saj në postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, si dhe nënkryetarët për përgjegjësinë e re që u është besuar.
Osmani theksoi se Kuvendi është themeli i demokracisë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve.
Ajo shprehu besimin se udhëheqja e re do ta ushtrojë mandatin me përgjegjësi demokratike, në respektim të Kushtetutës dhe në shërbim të interesit të Republikës.
Në mesazhin e saj të postuar në Facebook, presidentja ritheksoi nevojën për bashkëpunim konstruktiv ndërinstitucional dhe për një Kuvend plotësisht funksional, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik dhe avancimit të agjendës euroatlantike të Kosovës.
Çfarë pritet tash?
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentja - në këtë rast Vjosa Osmani - cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit nga partia ose koalicioni që ka shumicën në Kuvend.
Kandidati për kryeministër duhet që brenda 15 ditësh nga emërimi, të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin e deputetëve.
Megjithatë, në rrethanat aktuale, votimi për Qeverinë pritet të ndodhë që sonte.
Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse siguron të paktën 61 vota - pra shumicën e të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ka 57 ulëse. Kabineti i Albin Kurtit pritet të mbështetet edhe nga disa deputetë të komuniteteve joserbe, të cilët janë gjithsej dhjetë, si dhe nga deputeti i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq.