Emërohet komisioni për verifikimin e mandateve
Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve u miratua nga të 118 deputetët e pranishëm në seancë.
Ky komision përbëhet nga një përfaqësues i secilës parti politike dhe formimi i tij ishte pika e parë e rendit të ditës.
Derisa Komisioni të përfundojë konsultimet dhe verifikimin e mandateve, seanca është në pauzë.
Përfundon takimi i Komisionit për verifikimin e mandateve
Kryesuesi i Komisionit për verifikimin e mandateve, Adnan Rrustemi, pas përfundimit të mbledhjes së komisionit, rekomandoi që seanca të vazhdojë punimet sipas agjendës së paraparë nga Rregullorja e Kuvendit.
Deputetët bëjnë betimin
Fjalën e betimit e lexoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërsa deputetët e pranishëm përsëritën pas tij: “Betohem”.
Pas leximit, të gjithë deputetët e nënshkruan personalisht deklaratën e betimit.
LVV propozon Haxhiun për kryeparlamentare
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.