Deputetët hyjnë në sallë për votimin e Qeverisë së re
Deputetët e Kuvendit të Kosovës po hyjnë në sallë për seancën ku pritet të votohet Qeveria e re.
Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si mandatar për formimin e Qeverisë së re.
Qëndroni me Radion Evropa e Lirë për zhvillimet e fundit.
Kurti u drejtohet deputetëve
Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, Albin Kurti, nisi një fjalim para deputetëve, duke i përgëzuar ata për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës.
Kurti flet për procesin në Hagë
Kurti u ndal fillimisht te procesi në Hagë kundër ish-eprorëve të UÇK-së, duke theksuar se përpjekjet e prokurorisë atje janë "një orvatje që bie ndesh me të vërtetën".
Ai theksoi se në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare dhe se ato janë kryer nga regjimi jugosllav nën udhëheqjen e Millosheviqit.
Kurti për mandatin e kaluar: Arritje në ekonomi, siguri dhe demokraci
Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, bëri një bilanc të mandatit të kaluar gjatë fjalimit të tij përpara deputetëve.
Ai theksoi se gjatë këtyre viteve Kosova ka përparuar në ekonomi, ka forcuar bizneset dhe ka rritur mirëqenien sociale, përfshirë rritjen e pagave dhe shtesave për fëmijë.
"Ne besojmë thellësisht se një ekomomi e fuqishme dhe një shoqëri e barabartë janë të ndërlidhura", tha ai.
Kurti vlerësoi se Kosova sot është më demokratike dhe më e sigurt dhe se institucionet e saj janë më të qëndrueshme se kurrë më parë.
Bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe NATO-n, tha se mbetet i palëkundur.