Ndërlidhjet

Koreja V: Testim i suksesshëm i raketës balistike interkontinentale


Raketa balistike interkontinentale e testuar sot nga Koreja e Veriut
Raketa balistike interkontinentale e testuar sot nga Koreja e Veriut

Koreja Veriore ka deklaruar se me sukses është kryer testimi i një rakete balistike interkontinentale (ICBM), e cila ka kapacitet të shënjestrojë secilin vend në botë.

Televizioni shtetëror në Korenë Veriore ka thënë se gjatë testimit më 4 korrik, raketa Hwasong-14 ka arritur një lartësi prej 2,8000 kilometrash dhe ka goditur cakun e përcaktuar pas 39 minutash.

Ekspertët perëndimorë të armëve kanë thënë se ky mund të jetë testimi më i suksesshëm i Koresë Veriore për raketa balistike.

Ata kanë thënë se raketa ka kapacitet të mjaftueshëm për të arritur në Alaskë.

Ky test është hapi i fundit i Koresë Veriore drejt zhvillimit të sistemit të armëve bërthamore, i cili mund të godasë çdo vend në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Frikë nga lufta bërthamore
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:05:56 0:00

Ushtria e Koresë Jugore ka thënë se raketa ka udhëtuar 930 kilometra para se të binte në Detin e Japonisë.

Qeveria japoneze ka konfirmuar se raketa “ka tejkaluar” lartësinë prej 2,500 kilometrave, që nënkupton se raketa ka qenë në hapësirë përpara se të bënte rikthimin në atmosferën e Tokës.

Shkencëtari amerikan për raketa, David Wright, ka thënë se nëse koha e raportuar dhe distanca që ka kaluar raketa janë në rregull, atëherë raketa mund të ketë arritur një trajektore të lakuar shumë lartë.

Bazuar në kohën e raportuar dhe distancën, Wright ka vlerësuar se raketa mund të ketë përshkuar 6,700 kilometra nëse ka kaluar nëpër një trajektore normale.

Në këtë hapësirë mund të përfshihet edhe Alaska.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se raketa e testuar ka qenë me rreze të mesme dhe nuk ka qenë raketë interkontinentale.

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar përmes Twitterit duke kërkuar nga Kina, si aleati më i madh i Koresë Veriore “të ushtrojë një lëvizje të rëndë në Korenë Veriore dhe t’i jap fund kësaj marrëzie, njëherë e përgjithmonë”.

​Ministria e Jashtme e Rusisë i ka hedhur poshtë analizat e bëra nga Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja Jugore, duke thënë se raketa ka arritur një lartësi prej vetëm 535 kilometrash dhe ka përshkuar vetëm 510 kilometra nga pika e nisjes para se të binte në Detin e Japonisë.

Japonia ka protestuar ndaj këtij veprimi që e ka quajtur si shkelje të qartë të rezolutës së Kombeve të Bashkuara.

Ministria e Jashtme e Koresë Jugore e ka dënuar këtë testim duke e quajtur si provokim “të pamatur” i cili shkel rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe kërkesën globale për denuklearizimin e Koresë Veriore.

Raketa është nisur nga një zonë në veri të kryeqytetit të Koresë Veriore, Phenjan.

Ky është testimi i fundit pas disa testimeve të raketave në fillim të qershorit.

Ky veprim vjen pak para fillimit të samitit G20, në të cilin do të takohen fuqitë ekonomike botërore në Hamburg të Gjermanisë.

Në mesin e pjesëmarrësve janë Koreja Jugore, Japonia dhe aleatët e tyre perëndimorë.

Testimi i kësaj rakete vjen vetëm disa ditë pas takimit në Uashington, në mes të presidentit të Koresë Jugore, Moon Jae-in dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të cilët lanë dyert e hapura për mundësinë e bisedimeve rreth denuklearizimit të Koresë Veriore.

Ky hap i Koresë Veriore lidhet po ashtu edhe në ditën e festimeve të pavarësisë në SHBA.

Phenjani është duke punuar me vite në zhvillimin e armëve bërthamore, të llojit të raketave të cilat kanë kapacitet të godasin SHBA-në.

Përgatiti: Krenare Cubolli

XS
SM
MD
LG