Ndërlidhjet

Kosova, sytë nga donatorët për vaksina  


Një punëtor shëndetësor në Kosovë duke u përgatitur që të administrojë një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që ende nuk ka mundur të nënshkruajë ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër COVID-19 dhe çdo vaksinë e siguruar deri tash, është donacion nga Bashkimi Evropian ose nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Në Kosovë, të mërkurën, më 5 maj, rinisi procesi i imunizimit me 4,680 dozat e vaksinës së kompanive Pfizer dhe BioNTech. Kjo është pjesa e parë e 95,000 dozave që Bashkimi Evropian ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Edhe në fund të muajit mars, në formë donacioni, Kosova kishte pranuar 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, si donacion përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra. Këto doza u harxhuan në fund të muajit mars.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se donacionet janë të mirëseardhura dhe vijnë në bazë të mundësive të shteteve të tjera. Por, Qeveria e Kosovës, thotë ai, duhet të angazhohet për të blerë vaksina me paratë e buxhetit të Kosovës dhe në këtë drejtim, ekzekutivi duhet të jetë transparent.

“Ne shumë pak jemi të informuar. Javën e kaluar kemi biseduar me ministrin e Shëndetësisë (Arben Vitia). Ai ka treguar disa dëshmi se janë në rrugë të mirë dhe në fazën përfundimtare për kontraktim nga buxheti dhe blerjen e këtyre vaksinave. Në një mënyrë është dëshmuar se kjo do të ndodhë gjatë muajve të vijim”, shprehet Sejdiu.

Rifillon vaksinimi i stafit shëndetësor
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:30 0:00

Me dozat e deritashme të vaksinave janë imunizuar një numër i punonjësve shëndetësorë, të sëmurët kronikë dhe të moshuarit mbi moshën 75-vjeçare.

Haxhiu: Qeveria po injoron situatën më pandemi

Qeveria e Kosovës është duke neglizhuar procesin e sigurimit të vaksinave kundër koronavirusit për shkak të paaftësisë së saj, thotë Bekim Haxhiu, anëtar në Komisionin për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, nga Partia Demokratike e Kosovës. Imunizimi i masës, thotë ai, nuk mund të ndodhë me donacione.

“Qeveria është duke injoruar situatën dhe po tregohet neglizhente në sigurimin e kontratës për vaksina. Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka kontratë me asnjë prodhues të vaksinave ose partnerë të tyre për furnizim më vaksina”, tha Haxhiu për Radion Evropa e Lirë.

Deputeti Bekim Haxhiu, në mesin e muajit të kaluar është takuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Haxhiu tha se takimi ka pasur për qëllim shqyrtimin e ofertës dhe kontakteve me akterët që mund të ndihmojë në sigurimin e vaksinës së kompanisë amerikane, Pfizer. Që nga ky takim mes Haxhiut dhe Vitisë, ende nuk ka ndonjë njoftim për marrëveshje konkrete.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë ndonjë informacion nëse janë afër arritjes së ndonjë kontrate me kompani që prodhojnë vaksina kundër sëmundjes COVID-19.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me komisionerin e lartë të Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, kanë parë nga afër procesin e vaksinimit kundër koronavirusit të stafit shëndetësor në Kosovë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Komisionari Varhelyi tha se ka qenë detyrë e rëndë për të siguruar vaksina, por është i lumtur që sheh njerëzit duke u vaksinuar.

Ai tha se dërgesa e 4 majit është e para në mesin e 95,000 dozave që Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, dërgesa e radhës do të arrijë në Kosovë në muajin qershor dhe me këto doza do të mund të vaksinohet i gjithë stafi shëndetësor.

Kurti: Qeveria është duke u angazhuar në sigurimin e vaksinës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq tha se Qeveria e Kosovës është duke u angazhuar për sigurimin vaksinave për të imunizuar 60 për qind të popullsisë. Sipas Kurtit, synohet që deri para verës të vaksinohen grupet e rrezikuara.

“Qeveria është duke punuar pa u ndaluar për të rritur sigurimin me vaksina dhe jemi në rrugë të drejtë në përmbushjen e këtij qëllimi. Ne jemi të bindur se në bashkëpunim më vendet tjera anëtare të Bashkimit Evropian, do të mund të vazhdojmë të përfitojmë nga ky mekanizëm i pakos ndihmëse përmes marrëveshjeve të mëtejme”, theksoi Kurti.

Kosova hyn në vendet me një ekonomi të pazhvilluar. Buxheti i saj për vitin 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove.

Nga ky buxhet, janë ndarë 40 milionë euro për blerjen e vaksinave dhe për nevoja që lidhen me pandeminë e koronavirusit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG