Ndërlidhjet

A po i rikthehet Kosova opsionit të gazit? 


Një punëtor duke punuar në ndërtimin e tubacioneve të gazit. Fotografi ilustruese.
Një punëtor duke punuar në ndërtimin e tubacioneve të gazit. Fotografi ilustruese.

Qeveria e Kosovës e ka lënë të hapur mundësinë e kyçjes në rrjetin e Gazsjellësit të Trans-Adriatikut (TAP), pasi vitin e kaluar nuk e kishte shtyrë përpara një projekt të tillë, duke u thirrur në koston e lartë të tij.

Ndërkaq, ekspertët e energjisë dhe organizatat joqeveritare po i bëjnë thirrje Qeverisë, të udhëhequr nga Albin Kurti, që të diversifikojë burimet e energjisë, përfshirë edhe gazin, si mundësi për rritje të sigurisë energjetike.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, tha se Ministria e Ekonomisë, përmes Strategjisë së Energjisë 2022-2031 – që është në proces të finalizimit – ka analizuar edhe opsionin e gazit.

Aktualisht, sipas tij, në proces të zhvillimit janë dy studime të fizibilitetit: gazsjellësi Maqedoni e Veriut- Kosovë, dhe master-plani i gazit natyror në Kosovë.

Kosova vitin e kaluar ndërpreu projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit.

Gazi, mundësi për diversifikimin e burimeve të energjisë

Kjo ndërprerje e projektit ishte bërë me arsyetimin se ka një kosto të lartë dhe se nuk ishte ekonomikisht i favorshëm. Korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) kishte thënë se do t’i jepte Kosovës një grant deri në 200 milionë dollarë, që do të mund të shtetëzohej për infrastrukturën e gazit.

Eksperti i fushës së energjisë, njëherësh ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi kosovar është dashur që tani të punojë se si ta shfrytëzojë mundësinë e gazit.

Ai thotë se është koha që Qeveria të intensifikojë proceset dhe të gjejë mundësitë të cilat mund t’i shfrytëzojë në këtë drejtim.

“Nëse [Qeveria] mendon të zhvillojë rrjetin sekondar është mirë të mendojë që të vijë gazsjellësi në Kosovë. Rrejti sekondar nënkupton që të vijë dhe të shfrytëzohet edhe për ngrohje, për industri e të tjera. Nëse mendon që mjafton që të ketë ndonjë gjenerator nga gazi për shfrytëzim të energjisë elektrike, atëherë mund të mendojë të ndërtojë një termocentral me marrëveshje me Shqipërinë, në mënyrë që të mos bëjë shpenzime për gazsjellësin, nëse i duhet vetëm energji elektrike”, thotë ai.

Ndërkaq, në një analizë të publikuar në prill të këtij viti, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) tha se linjat rajonale të furnizimit me gaz natyror janë një mundësi e rëndësishme për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të rritur sigurinë energjetike.

Ky institut kërkoi që autoritetet në Kosovë të intensifikojnë përpjekjet për të nxitur dhe zhvilluar procesin e projektit për ndërtimin e infrastrukturës së gazit.

Në kontekstin e Kosovës, aktualisht vendi nuk ka qasje në tregun e gazit, nuk ka infrastrukturë, dhe nuk ka furnizime me gaz natyror.

Korniza legjislative dhe rregulluese është në fillet e saj.

Por, sipas INDEP-it, ekzistojnë mundësi për të siguruar një rrugë të furnizimit me gaz natyror nga Maqedonia e Veriut ose nga Shqipëria nëpërmjet tubacioneve, si dhe me gaz të lëngshëm natyror nga terminalet e afërta kryesore.

Qeveria e Kosovës, sipas INDEP-it, duhet të fokusohet në krijimin e infrastrukturës së gazit dhe të themelojë një kompani të re publike, si dhe të konsiderojë si mundësi ndërtimin e një impianti të ri me gaz (250 MW) në një periudhë afatshkurte dhe afatmesme.

Termocentrali me gaz, sipas këtij instituti, mund të ndërtohet shumë më shpejt dhe do të mund të hynte në operim potencialisht në vitin 2027 ose 2028.

Dinamikat për kyçje në projektin e rrjetit të gazsjellësit TAP janë rritur pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Institucionet evropiane mbështesin projektin e TAP-it, pasi e shohin atë si një mundësi reale për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të diversifikuar me gaz tregjet evropiane, që kryesisht dominohet nga gazi rus.

Rusia mbulon mbi 43 për qind të tregut evropian të gazit.

Marrëveshja me MCC-në, për pavarësinë energjetike të Kosovës

Teksa rajoni dhe Evropa po tentojnë që të ulin varësinë nga gazi rus, Kosova, duke u mbështetur te MCC-ja, po mëton që të rrisë pavarësinë energjetike.

Gjatë vizitës në SHBA, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me përfaqësuesit e MCC-së dhe kjo e fundit më 13 maj njoftoi se është arritur një marrëveshje kompakt, në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, e cila ka për qëllim që të forcojë sektorin e energjisë së Kosovës.

Kjo marrëveshje, që duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës dhe më pas të miratohet nga bordi i MCC-së, sipas ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, ka në qendër dy projekte, atë të ndërtimit të kapaciteteve për akumulimin e energjisë dhe zhvillimin e aftësive punëtore për t’u përshtatur me nevojat e tregut si dhe përfaqësimin më të mirë të grave në sektorin e energjisë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Rizvanolli tha se 202 milionë dollarë janë grant nga MCC-ja, ndërkaq pjesa tjetër është bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës. Ajo tha se projekti i parë parasheh ndërtimin e kapaciteteve për 340 megavat në orë të akumulimit të energjisë.

“Është projekt mjaft inovativ i cili sheh drejt së ardhmes e cila do të ketë në njërën anë pavarësimin energjetik dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në sistemin tonë energjetik, pjesë në të cilën momentalisht po çalojmë, mirëpo këtë synojmë ta ndryshojmë me strategjinë e re”, tha ajo.

Projekti synon që përmes baterive, energjia e prodhuar në një periudhë të caktuar kohore të akumulohet, në mënyrë që të mund të shfrytëzohet në orët e ditës, kur çmimi dhe kërkesa për energji janë më të larta.

“Që do të thotë se kjo në një masë do ta reduktojë nevojën për import, çka është shumë me rëndësi në kohët që po jetojmë, kur çmimi i importit të energjisë është rritur shumë”, tha Rizvanolli për Zërin e Amerikës.

Pse Kosova nuk e shtyu përpara ndërtimin e infrastrukturës së gazit?

Vitin e kaluar, duke u thirrur në kosto të lartë të ndërtimit të rrjetit të gazsjellësit si dhe të një termocentrali për prodhimin e energjisë, Kosova vendosi të mos shtyjë përpara një projekt të tillë.

Qeveria kishte thënë se ndërtimi i rrjetit të gazsjellësit dhe termocentralit parashihej të kushtonte rreth 600 milionë euro. MCC-ja ishte zotuar për një grant prej 200 milionë eurosh për këtë projekt.

Refuzimin e këtij projekti e kishin kundërshtuar partitë opozitare.

Nënkryetarja e subjektit më të madh opozitar në Kuvend, Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 7 maj, tha se vendimi i Qeverisë për të mos shtyrë përpara projektin e gazit vitin e kaluar ishte gabim, pasi ajo e vlerësoi këtë projekt me rëndësi gjeopolitike.

“Mënyra më e mirë dhe e drejtpërdrejtë për t’iu kundërvënë dominimit të gazit rus në Evropë, ka qenë ky projekt, i cili, siç e pamë, ka një mbështetje të gjerë në kontinentin tonë. Por, ka edhe një mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, është gabim, jo vetëm me pasoja ekonomike, por edhe me pasoja politike”, tha Çitaku.

Ajo ka thënë se partitë opozitare nuk kanë ndonjë përgjigje të qartë nga Qeveria rreth këtij projekti. Por, ministrja Rizvanolli tha për Zërin e Amerikës se ai projekt nuk është refuzuar, por nuk është shtyrë përpara “në mungesë të informatave”.

Por, përderisa lufta në Ukrainë po vazhdon dhe po rriten pasiguritë energjetike, sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, sfidë mbetet gjetja e një ekuilibri midis përgjigjeve afatshkurtra ndaj krizës aktuale energjetike pa kompromentuar qëllimet dhe ambiciet e tranzicionit të energjisë dhe veprimit klimatik.

“Përderisa sistemet dhe dizajnimi i politikave energjetike mund të jenë të ndryshme në të dy anët e Atlantikut, qëllimet tona janë të përbashkëta: sigurimi i furnizimit të rregullt me çmime të arsyeshme dhe të përballueshme nëpërmjet promovimit të politikave të qëndrueshme, mbështetjes së inovacionit dhe arritjes së objektivave në luftimin e ndryshimeve klimatike", ka deklaruar Osmani gjatë konferencës së sigurisë së Mynihut, me temën ‘Bashkëpunimi Transatlantik për Sigurinë Energjetike’, që është mbajtur në Uashington.

Çfarë është gazsjellësi TAP?

Projekti i rrjetit të gazit natyror, i njohur si Gazsjellësi i Trans-Adriatikut (TAP), kishte marrë mbështetje në vitin 2003.

Ndërtimi i projektit të TAP-it filloi në vitin 2016.

Tubacionet e gazsjellësit nisin në fushën Shah Deniz II në Azerbajxhan, kalojnë në veri të Greqisë, më pas një pjesë të konsiderueshme të territorit të Shqipërisë nga ku futen nën Detin Adriatik për të dalë sërish në sipërfaqe në jug të Italisë.

Aty, tubacionet e gazsjellësit TAP lidhen me rrjetin italian të gazit natyror.

Nga pika ku fillon në Azerbajxhan e deri në Itali, tubacionet e gazsjellësit TAP, përshkojnë afër 3,000 kilometra rrugë.

Për herë të parë në fund të vitit 2020, pas shumë përgatitjeve dhe testimeve, në tubacionet e TAP-it, filloi të rrjedhë gazi i lëngshëm e që arriti në Itali në fillim të muajit janar të vitit 2021.

Ky projekt kishte marrë mbështetje të madhe nga institucionet e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si “projekt i interesave të përbashkëta”.

Gazsjellësi TAP në të ardhmen pritet të furnizojë me gaz natyror edhe shtetet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, që tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me Greqinë për ndërtimin e një objekti grumbullues të gazit.

Më vonë, Shqipëria pritet të kyçet, vend që tashmë ka kryer studimet e fizibilitetit dhe po punon në ndërtimin e rrjetit të gazit brenda shtetit.

Pas shtrirjes së gypave të gazit në Maqedoni të Veriut, qeveritë e kaluara në Kosovë kishin planifikuar që të ndërtonin rrjetin e gazsjellësit për t’u lidhur me këtë shtet.

Kjo do t’i mundësonte Kosovës që të blinte sasi të gazit në të ardhmen nga Gazsjellësi i Trans-Adriatikut.

Për të mos qenë krejtësisht e varur nga gazi rus, Bullgaria nisi ndërtimin e infrastrukturë së gazit në distancë prej 182 kilometrash në drejtim të Greqisë.

Projekti ishte paraparë të përfundonte në fund të vitit 2020, mirëpo ka pasur vonesa dhe pritet të jetë funksional në qershor të vitit 2022.

Serbia është krejtësisht e varur nga gazi rus. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vitin e kaluar zyrtarisht përuroi një linjë të re të gazit rus që kalon përmes Turqisë dhe Bullgarisë e që për qëllim ka “sjelljen e më shumë gazi rus në Ballkan”.

Këtë, Serbia e bëri në kundërshtim me rekomandimin amerikan që të ulë varësinë nga gazi rus.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG