Ndërlidhjet

Liberalizimi i vizave më 2017, vetëm në teori


Ilustrim
Ilustrim

Për shkak të mosarritjes së përmbushjes së dy kushteve të fundit, ratifikimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, si dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit, procesi i liberalizimin e vizave për Kosovën është i bllokuar, thonë njohësit e integrimeve evropiane në vend.

Ata shprehen mjaft skeptik se liberalizimi i vizave për Kosovën do të mund të realizohet brenda këtij viti, për shkak të proceseve të brendshme në vend, por edhe për shkak të afateve procedurale në vendet e Bashkimit Evropian.

Aktualisht Kosova është në proces të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 11 qershor. Pas shpalljes së rezultateve zyrtare të këtyre zgjedhjeve, brenda 30 ditësh duhet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane thotë se procesi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të zhbllokohet vetëm atëherë kur nga Kuvendi i Kosovës do të ratifikohet Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, e që në legjislativin e kaluar nuk ka pasur vullnet politik për ratifikimin e versionit aktual të marrëveshjes.

Unë jam skeptik që Kosova këtë vit mund ta realizojë regjimin e lëvizjes së lirë në zonën Schengen. Për afate të caktuara strikte, ne nuk mund të flasim aktualisht, për vet faktin se vet procesi është aktualisht i bllokuar. Vetëm kur ky proces të zhbllokohet, atëherë fillon procedura normale e procedimit të kësaj çështje në strukturat vendimmarrëse të Bashkimit Evropian, përkatësisht në institucionet e BE-së. Madje, as atëherë, pa e pasur një përfaqësim të drejtë të kësaj çështjeje në shtetet përkatëse, të cilat kanë për të votuar për këtë çështje, nuk mund të prejudikohet të themi një datë precize, të saktë, se kur ky vendim do të merret definitivisht”.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrë parasysh që Kosova aktualisht gjendet në proces zgjedhor, qytetarët nuk duhet t’i marrin shumë seriozisht premtimet e politikanëve se liberalizimi i vizave do të arrihet brenda këtij viti me siguri.

Prej momentit kur plotësohen të gjitha kushtet (nga Kosova), për t’i përfunduar procedurat vet Bashkimi Evropian, nevojiten tre deri në gjashtë muaj. Kështu që, varësisht kur ne t’i kryejmë edhe dy kushtet e mbetura, mendoj që Bashkimit Evropian do t’i duhen tre deri gjashtë muaj. Në rast të Kosovës, nëse eventualisht kanë sadopak simpati, do të mund të bëhej ndonjë procedurë më e shpejtë që të përfundohej ky izolim. Por, deri më tash, praktika ka treguar, jo vetëm për liberalizim të vizave, por për secilin proces, Kosova ka pasur periudha të stërzgjatura”.

Profesor Mazreku thekson që edhe në rast se Kosova do të arrijë ta përmbushë kushtin për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, mbetet mjaft pikëpyetje nëse do të arrijë që brenda këtij viti ta marrë liberalizimin e vizave.

Çështja e Kosovës nuk ka shkuar në Këshillin e Bashkimit Evropian. Këshilli i Bashkimit Evropian është organ ndërqeveritarë. Kjo nënkupton se varet nga qëndrimi shteteve, që kanë një procedurë shumë specifike të votimit, që quhet sistemi i shumicës së kualifikuar. Nga ai moment kur merret vendimi e deri në zbatimin e plotë të atij vendimi, është çështje e disa muajve. Mirëpo, deri te arritja e procedimit të kësaj çështjeje në Këshillin e Bashkimit Evropian janë po ashtu disa muaj. Pra, po flasim për një situatë hipotetike, kur procesi zhbllokohet. Të themi se situata ose versioni më optimist i mundshëm, në qoftë se gjatë kësaj vere do të zhbllokohej procesi, do të jetë marsi i vitit 2018, atëherë kur qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm”, thotë Mazreku.

Por, Muharremi nuk e sheh të pamundur mundësinë që Kosova ta marrë liberalizimin e vizave deri në fund të këtij viti.

Faktikisht, është vështirë, por nuk është e pamundur, në aspektin që nëse bëhet diçka shpejt dhe i përfundojnë obligimet që kanë mbetur, si dhe punojnë shumë me diplomaci, ka gjasa. Por, duke marrë parasysh që qeveritë tona, së pari po kanë vështirësi t’i themelojnë qeveritë, pastaj nuk po janë shumë të mirë në diplomaci që të punojnë me shtetet anëtare, atëherë gjasat janë shumë minimale”.

Sidoqoftë, njohësit e integrimeve evropiane, vlerësojnë se Kosova gjendet në një situatë konfuze dhe jo mjaft shpresëdhënëse se do të mund ta realizojë këtë vit liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG