Ndërlidhjet

Kosova pritet të nisë negociata të reja me Pfizerin


Një dozë e vaksinës Pfizer.
Një dozë e vaksinës Pfizer.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovës ka bërë të ditur se brenda pak ditësh, do të nisin zyrtarisht negociatat me kompaninë Pfizer/BioNTech për një kontratë të re për furnizim me vaksina kundër koronavirusit.

Deri në publikimin e këtij teksti, nga Pfizer/BionTech nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë.

Zyrtarët në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se negociatat me kompaninë Pfizer nuk janë të lehta për shkak të kërkesave të shumta në botë për vaksina, por sipas tyre, ministria do të bëjë të gjitha përgatitjet e nevojshme.

Këto negociata do të udhëhiqen nga një komision për vlerësimin e situatës për vaksina dhe negocim.

"Meqë tash kemi edhe një rekomandim nga Instituti i Kombëtar i Shëndetësisë Publike për dhënien edhe të dozës së tretë, atëherë komision veç se do të fillojë negociata me kompaninë me të cilën kemi kontratë, po pa përjashtuar edhe prodhues të tjerë në mënyrë që të sigurohen edhe dozat e treta të cilat tashmë disa vendet kanë filluar t'i aplikojnë", tha për Radion Evropa e Lirë, Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Kosova në muajin maj nënshkroi kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer për sigurimin e mbi 1 milion vaksinave kundër koronavirusit. Çdo javë në Kosovë vijnë mesatarisht rreth 55,000 doza të Pfizerit. Deri tani janë administruar gjysma e vaksinave nga kjo kontratë.

Kosova po ashtu merr vaksina edhe përmes mekanizmit COVAX e nga partnerët e tjerë në formë të donacioneve. Ndër to është edhe vaksina e Oxfordit, AstraZeneca, por të cilën, qytetarët e Kosovës po hezitojnë ta marrin. Si rezultat i këtij hezitimi, Kosova largoi nga përdorimi mbi 133,000 vaksina AstraZeneca për shkak të skadimit të afatit. Këto vaksina ishin donacion nga Norvegjia.

Në shtatë ditët e fundit, Kosova ka regjistruar 11,440 raste të reja dhe 170 viktima.

Edhe pse kohë pas kohe, qytetarët e Kosovës po e kanë të pamundur të rezervojnë terminë për vaksinim, në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se Kosova ka vaksina të mjaftueshme. Zyrtarë të këtij institucioni kanë deklaruar se nga fillimi i javës së ardhme pritet të vijnë edhe 465,000 vaksina Pfizer, donacion nga Shtetet e Bashkuara dhe 150,000 vaksina AstraZeneca nga Gjermania. Kurse deri në fund të muajit shtator, Kosova pret të ketë në dispozicion gati një milion vaksina.

“Në ditët dhe javët në vijim, sigurisht që intensiteti i diskutimeve për dozën e tretë do të rritet edhe në nivele të ekspertëve, por edhe në nivel të angazhimeve për të siguruar sa më shumë doza”, tha Faik Hoti.

Deri paraditen e të enjtes, në Kosovë janë vaksinuar 295,000 qytetarë me dy doza të vaksinës. Dozën e parë ndërkaq e kanë marrë rreth 280,000 persona. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 31 për qind e popullatës së Kosovës u vaksinua kundër koronavirusit deri në fund të muajit gusht.

Ekspertët shëndetësorë: Shpërndarje të barabartë të vaksinave

Skender Syla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Bullgari, tha për Radion Evropa e Lirë se tani për tani, mekanizmat shëndetësorë duhet të rrisin përqindjen e të vaksinuarve me dozën e parë dhe të dytë kundër koronavirusit.

“Duke pasur parasysh se vaksinimi ka filluar në Kosovë shumë më vonë se në vendet e tjera, synimi është që të arrihet një përqindje sa më e lartë. OBSH-ja rekomandon që të ketë shpërndarje të barabartë të vaksinave. Kjo është pandemi dhe nuk duhet të shikohet vetëm në nivel shteti, duhet të ketë një qasje të barabartë të vaksinave para se të mendohet për dozën e tretë. Absolutisht ne nuk e përjashtojmë dozën e tretë”, tha Syla.

Kurse Hana Xhemajli, specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore, tha për Radion Evropa e Lirë se fokusi i institucioneve duhet të jetë bindja e qytetarëve që të vaksinohen sa më shumë.

Xhemajli tha se vaksinat që përdoren në Kosovë janë të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe sipas saj, qytetarët nuk duhet të hezitojnë që të vaksinohen nëse nuk ka vaksina të kompanisë Pfizer.

“E kuptoj aspektin e ministrisë, që mund të nisë negociata për blerjen e vaksinave të tjera nga Pfizer, për shkak se dozat e treta, SHBA-ja, Izraeli dhe shtetet e tjera kanë vendosur që t’i japin diku gjashtë deri në nëntë muaj pas dozës së dytë, që nënkupton se ne mund të fillojmë ta shikojmë këtë dozë të tretë diku në janar apo shkurt të vitit tjetër, deri në muajin maj”, tha Xhemajli.

“Ne na pret një kohë tjetër për ta paramenduar atë proces, për shkak se kemi një hezitim të madh të qytetarëve për marrjen e vaksinës AstraZeneca, hezitim ky që duhet të largohet nga të gjithë”, shtoi ajo.

Nga ana tjetër, infektologu Shemsedin Dreshaj, anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie sociale në Kuvendin e Kosovës, tha se sigurimi i vaksinave shtesë duhet të jetë ndër prioritetet e para të Ministrisë së Shëndetësisë, në kohën kur në Kosovë është rënduar situata epidemiologjike.

“Negociatat për blerjen e vaksinave duhet të jenë prioritet i vendit, prioritet i qeverisë dhe ministrisë. Mendoj që çdo vonesë në orë është vonë, e mos të flasim për situatën aktuale në të cilën jemi, ku evidentojmë dhjetëra të vdekur dhe mijëra raste të reja në ditë, shumë raste aktive që po e përhapin virusin në rang vendi”, tha Dreshaj i cili vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Dreshaj tha se për të siguruar më shumë vaksina duhet të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat institucionale, por edhe të shikohen edhe mundësitë zyrtare dhe jozyrtare.

“Ka shumëçka që mund të bëhet më mirë e më shpejt, që qytetarët të vaksinohen dhe të mbrohen”, tha ai.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se deri në fund të vitit 2021, sipas planit shtetëror të imunizimit, më shumë se 60 për qind e qytetarëve do të vaksinohen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG