Ndërlidhjet

Kampionati i ri në futboll, me apo pa tifozë? 


Stadiumi i Prishtinës, foto nga arkivi.
Stadiumi i Prishtinës, foto nga arkivi.

Më 12 shtator pritet që të fillojë Superliga e Kosovës në Futboll, por sërish ndeshjet në mes të skuadrave që luajnë në këtë garë do të jenë të mbyllura për publik.

Tifozët nuk do të kenë mundësinë që t’i shohin ekipet e tyre për shkak të rrezikut nga përhapja e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri.

Derisa vendet si Anglia, Spanja, Gjermania dhe Italia që kanë ligat më të forta të futbollit në botë po planifikojnë që sezonin 2020-2021 të fillojnë me një numër të reduktuar të tifozëve, në Kosovë, një gjë e tillë duket e pamundur aktualisht.

Këtë e pohon Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbolli të Kosovës, Eroll Salihu.

“Me shikues momentalisht as që është në plan te ne”, thotë Salihu.

Pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë, në muajin mars, asokohe qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Albin Kurti, anuloi për një afat të pacaktuar të gjitha ngjarjet sportive.

Për gati tre muaj, ndeshjet e futbollit, në asnjë ligë të Kosovës nuk u lejua të zhvillohet.

Ekipet e Superligës së Kosovës në Futboll, u lejuan që të luajnë sërish pas gati tre muajsh, në fillim të muajit qershorit.

Të gjitha ndeshjet pasuese deri në fund të kampionatit u zhvilluan pa tifozë.

Tifozët duan të kthehen në stadium

Liridon Sopi, tifoz i klubit të futbollit “FC Prishtina” është i mërzitur që edhe për një kohë nuk do të mund ta shohë ekipin e tij të zemrës duke luajtur në fushë.

Sopi kërkon nga Federata e Futbollit të Kosovës që të mendojnë për rikthimin e tifozerisë në stadiume, gjithmonë duke respektuar rekomandimet për vendosjen e maskës dhe mbajtjen e distancës fizike.

“Është dashur një numër i kufizuar i tifozëve që të kthehen në tribuna sepse ka mjaftueshëm stadiume në Kosovë në të cilat mund të mbahet distanca. Nuk po më pritet që të kthehem në stadium për t’i përcjell ndeshjet. Definitivisht, pa tifozë nuk ka kuptim futbolli e as kampionati”, shprehet Sopi.

Por, pavarësisht kësaj që thotë Liridoni, njohësit e sportit në Kosovë nuk besojnë se rikthimi i tifozëve në stadiume është një veprim i mençur.

Kampionat për t’u harruar

Analisti sportiv Ardian Llumnica thotë se në këto rrethana, me numër kaq të lartë të personave të infektuar me koronavirus, është e pamundur prania e tifozëve në garat sportive.

Sipas tij, vetëm pak stadiume që Kosova i plotësojnë kriteret për të respektuar rekomandimet e UEFA-s dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

“Më këtë infrastrukturë që kemi, hiq një stadium, dy apo tre që mund të improvizohen tifozët, distanca dhe gjërat e tjera, në shumë stadiume problem që menaxhohet kjo situatë”, thotë Llumnica.

Rikthimi i tifozerisë sipas Lluminices është i vështirë edhe për faktin se që nga shfaqja e rasteve të para të personave të infektuar me koronavirus, vetë zyrtarët e klubeve të futbollit nuk i kanë respektuar rekomandimet.

“As klubet vetë, as stafet teknike, as bankinat nuk po i respektojnë krejt masat dhe Federata dhe institucionet kanë pasur problem edhe me staf zyrtarë, e lërë më me tifozë nëse i lënë 500 të hynë në një stadium”, thotë Llumnica në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.

Se mungesa e infrastrukturës sportive është problem e pohon edhe sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Por, problemi kryesor sipas Salihut mbetet fakti se Kosova ka shënuar shifra drastike të rritjes të numrit të personave të infektuar me koronavirus, gjë që ka bërë që të rrezikohen edhe garat evropiane.

“Ne kemi problem tani që t’i zhvillojmë edhe ndeshjet e ekipeve në Kosovë sepse shumica e shteteve evropiane, së fundmi edhe SHBA-ja ka bërë ndalesë që të udhëtohet në Kosovë ose të hyhet në shtetet e tyre pa karantinë”, thotë Salihu.

Kjo ka bërë që klubet sportive nga Kosova të përballen me telashe në udhëtim.

Aktualisht problemet më të mëdha i kanë klubet apo sportistët që marrin pjesë në gara ndërkombëtare.

Testet për koronavirus që kryhen në Kosovë, nuk pranohen nga shumica e shteteve të Bashkimit Evropian e as nga shtëpia e futbollit evropian, UEFA.

Institucionet ende pa vendim

Institucionet në Kosovë ende nuk kanë një vendim të qartë sa i takon lehtësimit të masave në raport me lejimin e ngjarjeve sportive.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, pas një takimi me zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës, njoftuan janë duke shikuar mundësinë lehtësimit të masave për këto aktivitete.

Mirëpo aktualisht, nuk ka një strategji të qartë për lejimin ose jo të pjesëmarrjes së tifozëve në ngjarje sportive.

Përmes masave të reja të prezantuara nga qeveria në fund të muajit korrik, u ndaluan veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura, që përfshinë, ndalimin e fazave përgatitore për klubet e ligave të ndryshme si dhe shkollat e futbollit.

Planet e ligave evropiane

Ligat më të forta evropiane në futboll si Premierliga në Angli, La Liga në Spanjë, Bundesiga në Gjermani dhe Seria A në Itali po ashtu ndaluan pjesëmarrjen e tifozerisë.

Edhe në këto shtete u ndërprenë kampionatet e futbollit për t’u kthyer sërish, por pa praninë e tifozëve.

Shumica e këtyre ligave i përfunduan kampionatet gjatë muajit korrik dhe pritet që të rikthehen në muajin shtator për kampionatin e ri 2020-2021.

Siç raportohet në Angli, hapin më të guximshëm drejt kthimit të tifozëve në stadiume pritet që ta marrë pikërisht ky shtet.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka deklaruar se ndeshjet e Premierligës në Angli pritet të luhen me praninë e tifozëve nga muaji tetor, pasi qeveria atje planifikon që të vazhdojë hapjen në vjeshtë.

Spanja kishte deklaruar se do të niste kampionatet e reja me praninë e tifozëve, mirëpo, një gjë të tillë e ka vënë në pikëpyetje ministri i Shëndetësisë në këtë vend, Santiago Illa. Ai ka deklaruar së fundmi se gjendja rreth pandemisë nuk e bën shumë optimist për një vendim pozitiv.

Edhe në Gjermani, zyrtarët e Federatës Gjermane të Futbollit kanë plane për kthimin e pjesshëm të tifozëve në stadiume, porse, të hënën më 11 gusht, ministri i Shëndetësisë në këtë vend, Jens Spahn, deklaroi se duke parë numrin e të infektuarave duhet pasur shumë kujdes.

Edhe zyrtarët e ligës italiane të futbollit, Seria A, planifikojnë rikthimin e një numri të kufizuar të tifozëve, porse, qeveria ende nuk ka marrë ndonjë vendim atje.

Koronavirusi: Kosova me situatë të rënduar

Javëve të fundit Kosova ka pasur shtim të numrit të personave të prekur nga koronavirusi i ri.

Që nga 13 marsi, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 10,590 të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Aktualisht janë 3,988 raste aktive ndërsa numrin total i personave të vdekur nga kjo sëmundje ka arritur në 354.

XS
SM
MD
LG