Ndërlidhjet

Kosova, ndër vendet lidere për nga përdorimi i antibiotikëve


Ilustrim.

Përdorimi i shpeshtë dhe në disa raste i panevojshëm i antibiotikëve, sipas profesionistëve shëndetësorë, ka bërë që rezistenca ndaj tyre të konsiderohet si sfida kryesore globale e shëndetësisë në shekullin XXI.

Kjo temë është shndërruar në problem global, ku Kosova nuk bën përjashtim. Ndonëse viteve të fundit është shënuar rënie e shkallës së lartë të përdorimit të tyre, megjithëkëtë Kosova mbetet kampione në Evropë për kah përdorimi i grupit të antibiotikëve të njohur si antibiotikëve injeksion të cef-reaksionit.

Lul Raka, mikrobiolog, njëherësh koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i tha Radios Evropa e Lirë, se Kosova vazhdon të jetë kampione në Evropë në përdorimin e një lloji të antibiotikut, derisa thotë se suksesi i këtij viti ka qenë vetëdijesimi i stafit shëndetësor, por edhe i popullatës për përdorimit të linjës së parë të antibiotikëve.

“Fatkeqësisht ende në fushën e shitjes së antibiotikëve pa recetë nuk ka ndonjë përparim, ato mund t’i blesh pa recetë të mjekut. Shpresoj se do të ketë përshpejtim të zbatimit të ligjit, pasi Kosova me ligj e ndalon shitjen pa recetë të antibiotikëve. Ne nuk e dimë me përqindje se sa përdoret antibiotiku, por nga përvoja e njerëzve, përqindja është e lartë, pasi vetë farmacistët i shesin pa recetë”, thotë Raka.

“Ne jemi duke punuar me Odën e Farmacistëve dhe besoj se do të kërkojmë bashkërisht alternativa që të fuqizojmë punën e inspektoratit farmaceutik dhe t’i përfshijmë gjitha instrumentet e shtetit për ta adresuar këtë problem”, theksoi ai.

Kosova ka ligj që e ndalon blerjen e barnave pa recetë, por ky ligj nuk është zbatuar asnjëherë.

Në përpjekje që të zbatohet ligji përkatës, i cili ndalon shitjen e barnave pa udhëzim apo recetë të mjekut, në dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë ka miratuar një plan veprimi për ‘Rezistencën Antimikrobike’, i cili do të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjitha spitalet publike, partnerët shëndetësorë, veterinarë e mjedisorë për të ulur rezistencën ndaj antibiotikëve dhe për të rritur sigurinë shëndetësore të popullatës.

Megjithëkëtë shitja e antibiotikëve ndër vite, ka vazhduar me ritëm të njëjtë.

Tringa Kelmendi, 28-vjeçare, qytetare nga Prishtina, thotë se antibiotikë mund të blesh në secilën barnatore të Kosovës pa recetë të mjekut dhe pa asnjë pyetje nga ana e farmacistëve se për çka i duhet qytetarëve antibiotiku.

“Po më ka ndodhur shumë shpesh të blej dhe përdorë antibiotikë. Nuk është asnjë vështirësi në barnatore që ta sigurosh një antibiotik pa recetë të mjekut. Asnjë pyetje nga farmacisti, mundesh kurdo, në secilën barnatore të Kosovës të blesh antibiotikët”, tha Kelmendi.

Sipas një hulumtimi të bërë mes spitaleve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Kosovës, ka rezultuar se në spitalet e pediatrisë ku trajtohen fëmijët e moshës nën 18 vjeç, antibiotikë marrin 36 për qind e fëmijëve në vendet e BE-së, derisa në Kosovë kjo përqindje arrin në 67 për qind, kanë deklaruar zyrtarë shëndetësorë të kësaj fushe.

Ndërkaq ë farmacistët thonë se antibiotikët vazhdojnë t’i shesin pa recetë të mjekut. Njëra nga farmacistet Besa Kadriu, tha se shpeshherë antibiotiku kërkohet pa arsye dhe me insistim të qytetarëve, siç tha ajo, farmacistët ua shesin antibiotikun atyre.

“Po ka interesim nga qytetarët për blerje të antibiotikëve pa recetë. Ne si farmacistë po mundohemi që të mos i japim pa recetë, po flas për vete. Pacientët megjithatë insistojnë dhe ne nuk kemi ndonjë vendim që ka ardhur nga Ministria e Shëndetësisë. Zakonisht e kërkojnë për grip, ftohje dhe ne ua shpjegojmë se antibiotiku përdoret për infeksioni bakteriale, dhe jo për virale siç e kërkojnë ata. Por, pacientët dhe qytetarët në përgjithësi janë mësuar ashtu dhe vazhdojnë t’i përdorin pa arsye”, tha ajo.

Sidoqoftë, java botërore e ndërgjegjësimit për antibiotikët po shënohet edhe në Kosovë. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se po synon të rrisë ndërgjegjësimin global për rezistencën anti-mikrobike dhe të inkurajojë praktikat më të mira në mesin e publikut të gjerë, punonjësve shëndetësorë dhe krijuesve të politikave, për të shmangur shfaqjen e mëtejshme dhe përhapjen e rezistencës anti-mikrobike.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG