Ndërlidhjet

Kriptomonedhat s’janë kurë për Iranin, Rusinë dhe shtetet tjera të sanksionuara


Një grua kalon pranë pajisjeve për prodhimin e bitcoin-it gjatë një prezantimi të qendrës më të madhe të kriptomonedhave në Rusi, Kriptoyunivers, më 2018.
Një grua kalon pranë pajisjeve për prodhimin e bitcoin-it gjatë një prezantimi të qendrës më të madhe të kriptomonedhave në Rusi, Kriptoyunivers, më 2018.

Irani, Rusia dhe shtetet e tjera të sanksionuara i shohin kriptomonedhat si mënyrë për t’iu shmangur barrierave në tregtinë ndërkombëtare, por varësia prej tyre i bën ato streha të sigurta për pagesat e paligjshme.

Kripto gëzon reputacionin e të qenët “e pagjurmueshme” dhe nga Moska e Teherani shihet si kurë.

Ekspertët thonë se ka gjithmonë vend për shkëmbime mashtruese të kriptomonedhave nga ata që janë të gatshëm të tregtojnë me persona dhe subjekte të sanksionuara, por tregtia ndërkombëtare mbështetet ende në besim dhe pagesa që mund të konvertohen në monedha të besueshme, të tilla si euro dhe dollari amerikan.

Kjo do të thotë që transaksionet e kriptove bëhen përmes sistemit bankar ndërkombëtar si çdo transaksion tjetër dhe rreziqet për shkelje të rregulloreve të pajtueshmërisë janë të larta.

“Kripto ka një reputacion të tmerrshëm, sepse fillimisht ka qenë shumë e popullarizuar në mesin e kriminelëve, sepse njerëzit kanë menduar se është e pagjurmueshme...”, thotë Peter Piatetsky, ish-zyrtar i Thesarit të SHBA-së, i cili udhëheq firmën e konsulencave Castellum.AI.

Por, shton ai, “kripto është shumë më e gjurmueshme se financat tradicionale”.

Sfida e Iranit

Çështja e përdorimit të kriptomonedhave për të anashkaluar sanksionet ka dalë në pah në fillim të këtij muaji, kur një zyrtar i lartë i tregtisë iraniane ka njoftuar se Teherani ka përdorur për herë të parë një kriptomonedhë të paidentifikuar për të paguar një faturë importi, në vlerë prej 10 milionë dollarësh, për një partner të paidentifikuar tregtar.

Në një postim në Twitter më 9 gusht, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Alireza Peyman-Pak, ka premtuar se transaksione të tilla do të bëhen edhe më shumë.

Deri në fund të shtatorit, “përdorimi i kriptomonedhave do të përhapet në tregtinë e jashtme”, ka thënë ai.

Ky njoftim është parë si mesazh nga Teherani se ai ka gjetur mënyra për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare, të cilat e kanë shkëputur nga SWIFT-i - sistemi më i madh i transfereve bankare në botë - dhe e kanë penguar të importojë armë dhe teknologji të huaja tash e sa dekada.

Vizitorët qëndrojnë para një ekrani që shfaq promovimim e kriptomonedhave në Tajlandë. 12 maj 2022.
Vizitorët qëndrojnë para një ekrani që shfaq promovimim e kriptomonedhave në Tajlandë. 12 maj 2022.

Për shkak të shqetësimeve globale për programin e diskutueshëm bërthamor, OKB-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë vënë sanksione të reja Iranit, duke e izoluar edhe më shumë nga tregtia ndërkombëtare.

Për rrjedhojë, Irani ka kërkuar vazhdimisht mënyra për të bërë transaksione të pagjurmueshme, ose marrëveshje me ato vende që rregullatorët nuk mund t’iu bëjnë gjë.

Partnerja e mundshme tregtare, Rusia - e cila vetë është subjekt i sanksioneve të ashpra ndërkombëtare për shkak të okupimit dhe aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe pushtimit të plotë të Ukrainës nga shkurti i këtij viti - ka shprehur gjithashtu interesim për të përdorur kriptomonedha, si mënyrë për anashkalimin e barrierave tregtare.

Marrë parasysh gjurmët e gjata që lënë monedhat virtuale, Piatetsky pyetet se përse ndonjë subjekt do t’i përdorte ato për të bërë tregti me shtetet e sanksionuara.

“Cili njeri i shëndoshë në kokë është i gatshëm të paguhet nga Irani me kriptomonedha”, thotë ai.

“Edhe në botën kriminale, njerëzit duan të paguhen me [një monedhë] që është e vlefshme. Nëse paguheni me kripto nga një palë që është e sanksionuar, ju rrezikoni t’i humbni paratë tuaja”, shton Piatetsky.

Çfarë ka në portofolin tuaj virtual?

Banka tradicionale ofron, në njëfarë mënyre, mburojë më të mirë nga rregullatorët, sepse paratë dërgohen nga llogaria në llogari dhe vështirë shihet se ku arrijnë përfundimisht.

Sipas Piatetskyt, me kriptovalutat ndodh e kundërta.

“Dallimi më i madh midis kriptos dhe financave tradicionale është gjurmimi”.

“Me kripto, nëse e dini numrin e portofolit të dikujt, mund të shihni se sa para ka në të. Gjithashtu mund të shihni se kujt i kanë dërguar para dhe nga i kanë marrë paratë”, shpjegon Piatetsky.

Ai dyshon se Irani ka bërë transaksionin prej 10 milionë dollarësh këtë muaj, por thotë se edhe nëse e ka bërë, ai nuk ka gjasa të ketë qenë për teknologji të huaja.

“A po blen aeroplan? A po blen anije? A ka ndonjë shitës anijesh që është i gatshëm të pranojë kripto? Nuk e di. Por, është një gjë të njoftosh për transaksionin prej 10 milionë dollarësh dhe gjë tjetër ta realizosh atë”, thotë Piatetsky.

Përpjekjet për rregullim

Rregullatorët ndërkombëtarë, organet dhe vendet perëndimore janë të vetëdijshme për mundësinë që kriptovalutat të përdoren për tregti të paligjshme.

Në muajin mars, Bashkimi Evropian - duke ashpërsuar sanksionet kundër Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë - ka adresuar përdorimin e mundshëm të kriptomonedhave në tregtinë e paligjshme dhe, në qershor, ka prezantuar një legjislacion të ri, i cili siguron se “kripto-asetet do të gjurmohen dhe identifikohen për të parandaluar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimet e tjera”.

Departamenti amerikan i Thesarit ka ndërmarrë, po ashtu, hapa për të parandaluar përdorimin e paligjshëm të kriptomonedhave.

Kraken, një shkëmbimore kriptomonedhash me bazë në SHBA, thuhet se është nën hetime federale, pasi dyshohet se ka shkelur sanksionet, duke i lejuar përdoruesit në Iran të tregtojnë monedha virtuale.

Tornado Cash, një “kripto mikser” që u mundëson përdoruesve të tij një element anonimiteti gjatë transferimit të aseteve kripto, është shtuar këtë muaj në listën e organizatave të sanksionuara të Thesarit amerikan.

Tornado Cash akuzohet nga SHBA-ja për pastrimin e më shumë se 7 miliardë dollarëve në monedha virtuale, përfshirë fonde të vjedhura nga një grup hakerësh në Korenë e Veriut.

Në mars, ndërkaq, shkëmbimorja e kriptomonedhave me bazë në SHBA, Coinbase, duke iu përgjigjur kërkesës së Qeverisë amerikane që të sigurojë se kriptot nuk përdoren për t’iu shmangur sanksioneve, ka njoftuar se ka bllokuar më shumë se 25.000 portofole kriptomonedhash, “të lidhura me individë ose subjekte ruse”, që besohet se janë të përfshirë në “veprimtari të paligjshme”.

Rusia dhe Irani, për ironi, kanë ndaluar përdorimin e kriptomonedhave brenda vendeve të tyre, duke shprehur shqetësim se ato mund të përdoren për të financuar aktivitete të paligjshme.

Megjithatë, kreu i Departamentit të Politikave Financiare në Ministrinë e Financave të Rusisë, Ivan Chebeskov, ka thënë në muajin maj se “ideja e përdorimit të monedhave digjitale në transaksionet për shlyerjet e borxheve ndërkombëtare po diskutohet në mënyrë aktive”. Ai, po ashtu, ka sugjeruar se kriptot mund të ndihmojnë kundër ndikimit të sanksioneve perëndimore.

Irani, në anën tjetër, i ndalon kriptovalutat brenda vendit, pasi ato mund të përdoren si “mjet për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit”, por kreu i komisionit ekonomik të Parlamentit, Mohammad Reza Pour Ebrahimi, ka thënë më herët se ligjvënësit po i shqyrtojnë “kufizimet nga sanksionet” dhe se kriptomonedhat po i shohin si mënyrë për të ndihmuar vendin të bëjë tregti ndërkombëtare.

Zyrtarët, ndërkohë, kanë miratuar hapur edhe minierën e kriptove në tokën iraniane, si mënyrë për të anashkaluar sanksionet.

Por, ekspertët e sanksioneve dyshojnë se kriptomonedhat mund të funksionojnë për tregti apo për të krijuar një grup të partnerëve tregtarë. Sa partnerë mund të gjejë Irani apo Rusia, pyetet Piatetsky.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG