Ndërlidhjet

Polonisë i kërkohet të lejojë hyrjen e afganëve të bllokuar në kufi


Migrantë afganë në kufirin Bjellorusi-Poloni.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, i bëri thirrje Polonisë që të lejojë hyrjen dhe të sigurojë ndihmë humanitare për një grup prej 32 personash nga Afganistani, të cilët po mbahen në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë pa ushqim të duhur, ujë të pastër, strehim dhe ilaçe, tash e dy javë.

Amnesty International tha të mërkurën se ka marrë raporte për përdorim të forcës dhe kërcënimeve për dhunë nga rojet kufitare polake.

“Këta njerëz po ikin nga një situatë e pashpresë në Afganistan. Duke i rrethuar me roje kufitare të armatosura, Polonia po reagon ashpër ndaj gjendjes së tyre”, tha organizata me seli në Londër.

Rojet kufitare polake dhe bjelloruse po i mbajnë migrantët të bllokuar në një zonë të vogël në kufi, pasi të dyja vendet po e shmangin përgjegjësinë për ta.

Bjellorusia tash e sa kohë akuzohet për dërgimin e migrantëve përtej kufijve të Bashkimit Evropian - një pretendim ky që hidhet poshtë nga Minsku.

Zyrtarët polakë këmbëngulin se grupi i migrantëve nuk do të lejohet të hyjë në Poloni, duke thënë se një gjë e tillë do të inkurajonte migrimin e mëtejshëm ilegal.

Muajt e fundit, mijëra migrantë - shumica nga Iraku dhe Afganistani - kanë kaluar ilegalisht nga Bjellorusia në Lituani, Letoni dhe Poloni.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se ky është një “sulm hibrid” i Bjellorusisë kundër BE-së, në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve.

BE-ja ka ndërmarrë një varg sanksionesh kundër Bjellorusisë, për shkak të shtypjes së dhunshme të një lëvizjeje pro-demokratike.

XS
SM
MD
LG