Ndërlidhjet

Skandali me ish kryeprokuroren Speciale, ende pa epilog


Ish kryeprokurorja Speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva

Skandali me ish kryeprokuroren Speciale të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, e dyshuar për përfshirje në rastin e quajtur “reket”, ka mbetur ende pa epilog nga organet e ndjekjes. Për këtë vepër penale të marrjes së 1.5 milion eurove të një afaristi për t’i lehtësuar atij gjykimin në një aferë tjetër korruptive, deri tani ndaj dy personave po zhvillohet procedurë para-hetimore ndërsa të njëjtit ndodhen në paraburgim 30 ditësh.

Kryeministri Zoran Zaev, në një mesazh drejtuar qytetarëve ka theksuar përkushtimin e qeverisë që drejton për të zbardhur të gjitha rastet dhe për të liruar siç ka thënë, "drejtësinë e robëruar nga regjimi i kaluar".

“Askush nuk është i privilegjuar dhe askush nuk do të amnistohet. Inkurajojmë Prokurorinë që të vazhdojnë luftën, pa marrë parasysh se deri ku do të arrijë hetimi. Jemi para hapit final për lirimin e sistemit të drejtësisë nga kthetrat e regjimit të kaluar. Tani është koha që të lirohet shteti dhe në këtë betejë duhet të përfshihen të gjithë, para se gjithash opozita”, ka thënë kryeministri Zoran Zaev.

Opozita ndërkohë kërkon zgjerimin e hetimeve edhe me organizatën e dy të arrestuarve, që mban emrin “Lidhja Ndërkombëtare”, ku siç bëhet e ditur ka edhe zyrtarë të lartë të LSDM-së, së kryeministrit, Zoran Zaev.

“Nëse vërtetë prokurorja Vilma Ruskoska dëshiron zbardhjen e rastit, atëherë duhet të hetojnë tërë punën e organizatës “Lidhja Ndërkombëtare”. Por, ajo këtë nuk e bënë. A thua frikësohet të prek në punën e kësaj organizate, se mos vallë dalin në sipërfaqe zyrtarë të LSDM-së, apo ndoshta edhe vet Zoran Zaev”, ka thënë zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

Ndërkohë, zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit amerikan Matthew Palmer, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe se mbetja e pezull e këtij rasti mund të mund të minojë perspektivat për bisedimet e pritura për një kohë të gjatë të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

"Këto janë akuza serioze dhe të gjitha akuzat e tilla serioze kërkojnë një përgjigje serioze," i ka thënë Palmer Shërbimit Serb të Zërit të Amerikës.

"Ne mbështesim një hetim të plotë, transparent të këtyre akuzave dhe nëse provat ekzistojnë, atëherë ndjekja të vazhdojë. Kjo është me të vërtetë një mundësi për autoritetet në Maqedoninë e Veriut për të demonstruar përkushtim ndaj respektimit të sundimit të ligjit”, ka thënë Palmer duke inkurajuar partitë që të punojnë për zgjidhjen edhe të mosmarrëveshjeve për Ligjin e Prokurorisë publike.

Partitë politike tani një kohë nuk po gjejnë kompromisin për të ardhmen e Prokurorisë Speciale e cila sipas një draft-ligji të Qeverisë duhet të përfshihet në kuadër të një Prokurorie të re për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, që do të drejtohej nga prokurorja Vilma Ruskoska, por që nuk pranohet nga opozita, e cila konteston edhe disa përcaktime të draftit, kryesisht që ndërlidhen me aferën e përgjimeve.

XS
SM
MD
LG