Ndërlidhjet

Çfarë i bën njerëzit t’iu binden ose t’i refuzojnë kufizimet nga koronavirusi?


Një shenjë e vendosur, ku ju kërkohet njerëzve që të qëndrojnë dy metra larg nga njëri-tjetri për shkak të pandemisë COVID-19.

Disa hulumtime rreth koronavirusit janë duke u përqendruar edhe në faktorët që i nxisin njerëzit të sillen në përputhje me masat emergjente të shëndetit publik.

Frika nga ndëshkimi i ashpër është një motiv i fuqishëm për t'iu bindur urdhrave në shtetet autoritare.

Por, hulumtimet e fundit sugjerojnë se çështja është më e ndërlikuar në vendet, ku liritë civile dhe të drejtat e njeriut janë pjesë thelbësore e strukturës së shoqërisë.

Kufizimet e detyrueshme kundrejt kufizimeve vullnetare

Kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19, "emergjencë të shëndetit publik me përmasa ndërkombëtare" në janar, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i ka vlerësuar përpjekjet e Qeverisë kineze për të kontrolluar sëmundjen, "përkundër ndikimit të rëndë social dhe ekonomik" të masave të saj kufizuese.

Megjithatë, kritikët në Perëndim kanë pyetur nëse masat e rrepta të Kinës janë të realizueshme në vendet ku frika dhe ndëshkimi nuk i bindin njerëzit.

"Asnjë vend tjetër, perëndimor ose tjetër, nuk mund ose nuk duhet të përpiqet t’i përsërisë veprimet e Kinës", ka thënë Thomas Bollyky, drejtor i Programit të Shëndetit Global në Këshillin për Marrëdhëniet e Jashtme, në mes të marsit.

Bollyky ka kritikuar "mosrespektimin e lirive civile dhe të të drejtave të njeriut", të demonstruar nga "karantina dhe aktivitetet censuruese të Kinës".

Disa ditë pas vërejtjeve të Bollykyt, OBSH-ja e ka shpallur COVID-19 pandemi globale dhe qeveritë në mbarë botën kanë filluar të zbatojnë një sërë kufizimesh, për të frenuar koronavirusin.

Irani dhe Italia kanë qenë ndër vendet e para që kanë vendosur masa të detyrueshme izolimi.

Të tjerat kanë pasuar shpejt ose kanë urdhëruar izolime të pjesshme, të kombinuara me udhëzime vullnetare për dezinfektim, distancim fizik dhe veshje të maskave.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka dhënë disa rekomandime të përgjithshme për sjellje gjatë pandemisë, ndërsa zyrtarët shtetërorë dhe lokalë kanë pasur të drejtë të vendosin për izolimin ose veshjen e maskave.

Këto vendime janë bërë shpejt politike në SHBA dhe debati për to është ndarë përgjatë vijave partiake.

Në Suedi, ku ka një nivel të lartë të besimit në autoritetet publike, shumica e njerëzve janë lejuar të vazhdojnë rutinën e përditshme, pa u përballur me karantinë, mbyllje biznesesh ose detyrimin për të veshur maska mbrojtëse.

Ministrja e Shëndetësisë e Suedisë, Lena Hallengren, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në muajin prill se modeli i Suedisë bazohet në “besimin” se individët "do të marrin përgjegjësi personale" dhe do t'iu binden rekomandimeve vullnetare.

Një studim i udhëhequr nga Alexander Chudik, këshilltar i politikave ekonomike dhe analist në Bankën e Rezervave Federale në Dallas, ka zbuluar se distancimi social vullnetar është më pak efektiv se politikat e miratuara nga qeveritë.

Chudik ka thënë se rezultati është "çuditërisht i ndryshëm" kur urdhrat e qëndrimit në shtëpi janë të detyrueshëm dhe jo rekomandime që i lejojnë individët të zgjedhin vetë shkallën e vetizolimit.

Nga të dhënat që kanë mbledhur në shumë vende, ekonomistët e sjelljes, Paola Giuliano (UCLA) dhe Imran Rasul (Kolegji Universitar në Londër), kanë thënë në një shkrim të publikuar më 18 qershor, se është e rëndësishme për politikëbërësit që "të dinë se çfarë i bën individët t’i respektojnë në mënyrë efektive" masat, si: distancimi shoqëror ose veshja e maskave në vendet e mbyllura publike.

"Fuqia e strukturës sociale të shoqërisë, por edhe shkalla e besimit në institucione janë elemente thelbësore në përcaktimin e sjelljes së individëve", kanë thënë ata.

Së voni, ekspertët e shëndetit në Evropë kanë paralajmëruar se ndjenja kolektive e lodhjes po bën që shumë njerëz që u janë bindur rregullave, të kthehen te zakonet parapandemike – siç është përshëndetja me njëri-tjetrin me një puthje në faqe ose me shtrëngim duarsh.

Sipas tyre, evropianët, në përgjithësi, u janë bindur izolimeve, distancimit shoqëror dhe veshjes së maskave, pavarësisht ndryshimit të vazhdueshëm të rregullave dhe udhëzimeve.

Por, sipas ekspertëve, lodhja nga maskat është e dukshme, pavarësisht nëse rregullat për maska janë të detyrueshme ose jo.

Isabella Annesi-Maesano, epidemiologe në Institutin e Francës për Shëndetësi dhe Kërkime Mjekësore, i ka thënë gazetës Wall Street Journal më 21 korrik se "njerëzit kanë vuajtur dhe kjo shihet".

“Kapitali shoqëror”

Termi "kapitali shoqëror" është përdorur nga ekonomistët për më shumë se një shekull. Idetë pas tij datojnë edhe më herët.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, me seli në Paris, e përkufizon "kapitalin shoqëror" si "rrjet me norma, vlera dhe mirëkuptime të përbashkëta, që e lehtësojnë bashkëpunimin brenda ose ndërmjet grupeve" të njerëzve.

Studiuesit e kësaj organizate thonë se kapitali shoqëror ndikohet nga marrëdhëniet personale dhe rrjetet sociale, si dhe nga angazhimi qytetar.

Ekonomistët dhe sociologët thonë se "besimi dhe normat bashkëpunuese" ndikojnë po ashtu në kapitalin shoqëror.

"Sociologët nganjëherë flasin për norma si rregulla të pashprehura dhe kryesisht të padiskutueshme të shoqërisë. Vlerat – si respektimi i sigurisë së njerëzve – janë një element kryesor në secilin grup shoqëror", ka vlerësuar në një raport Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

"Së bashku, këto rrjete dhe mirëkuptime krijojnë besim dhe kështu u mundësojnë njerëzve të punojnë së bashku", ka thënë ajo.

Presioni social

Qendra Ndërkombëtare e Rritjes, një rrjet global i financuar nga Qeveria britanike, thotë se izolimet nga koronavirusi në disa vende i kanë ndryshuar normat sociale në mënyra të tilla që e inkurajojnë bindjen.

“Adoptimi i një norme shoqërore mbi një tjetër varet kryesisht nga lidershipi i fortë, që thur një narrativë, pas së cilës mund të bashkohen komunitetet", kanë thënë studiuesit nga Qendra Ndërkombëtare e Rritjes, Oliver Harman dhe Victoria Delbridge.

Një vaksinë jep shenja premtuese, kur do të jetë gati?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:05:16 0:00

"Udhëheqja e fortë, me një narrativë të qëndrueshme, gjithashtu mund t’i bashkojë komunitetet në adoptimin e një norme shoqërore mbi një tjetër dhe t’i nxisë qytetarët që të inkurajojnë vetë bindjen, duke zvogëluar nevojën për zbatim zyrtar nga autoritetet shtetërore”.

"Kjo, jo vetëm që do të nxisë një normë pozitive shoqërore, por do të bëjë që qytetarët ta kryejnë punën e zbatimit, gjithashtu përmes presionit ndaj të tjerëve. Në disa raste, ky presion shoqëror është më efektiv sesa dënimi zyrtar", kanë thënë Harman dhe Delbridge.

Qëndrimet politike

Hulumtimet e fundit tregojnë se ndikimi i qëndrimeve politike në të bindurit ndaj kufizimeve të shëndetit publik është veçanërisht i fuqishëm në Shtetet e Bashkuara, por është i rëndësishëm në vendet e tjera.

"Dëshmitë nga vende të ndryshme tregojnë se bindjet politike, së bashku me dallimet në konsumin e mediave, kanë implikime të rëndësishme në perceptimin e rrezikut dhe bindjen ndaj distancimit shoqëror", kanë thënë Giuliano dhe Rasul.

Hulumtimi i Chudikut sugjeron se "besueshmëria e perceptuar e një zyrtari publik që lëshon një urdhër për distancimin shoqëror, është një ndikim i rëndësishëm" nëse njerëzit pajtohen.

Chudik ka thënë se të dhënat nga studimi i tij janë "në përputhje me idenë se republikanët ndjekin kryesisht këshillat e presidentit [të SHBA-së, Donald] Trump, përballë çdo zyrtari shtetëror", përfshirë republikanët lokalë.

"Pandemia e koronavirusit – si shumë tema të tjera – është bërë një çështje partiake në Shtetet e Bashkuara, duke i bërë bindjet politike faktorë të mundshëm që ndikojnë në pajtueshmërinë me distancën sociale", ka thënë Chudik.

"Rezultatet tona sugjerojnë se polarizimi politik është pengesa kryesore në rrugën drejt respektimit të plotë të masave të distancimit shoqëror", ka thënë ai.

Faktori i besimit

Edhe para pandemisë COVID-19, një gamë e gjerë hulumtimesh kanë treguar se besimi i individëve në qeveri dhe institucione ndikon në gatishmërinë e tyre për t'u pajtuar me masat emergjente të shëndetit publik.

Kjo, nga ana tjetër, ka ndikim të rëndësishëm në përhapjen e sëmundjeve.

“Life with Corona” (Jeta me koronën), një punim i publikuar në qershor nga Instituti Botëror i Kombeve të Bashkuara për Kërkime të Ekonomisë së Zhvillimit, analizon se si " besimi lidhet me përvojat individuale të pandemisë".

Studiuesit kanë zbuluar se "besimi institucional" nuk ndikon vetëm në bindjen ndaj izolimit, distancimit shoqëror dhe rregullave për maska.

Bazuar në një studim global, ata po ashtu kanë thënë se përvoja personale me COVID-19 gjithashtu ndikon në nivelet e besimit.

"Ata që kanë pasur kontakte me njerëz të sëmurë dhe ata që janë të papunë kanë besim më të ulët te njerëzit, institucionet dhe në përgjithësi", kanë thënë studiuesit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG