Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme më 15 janar


Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se me 15 janar, në orën 14:00, do të mbajë seancë t jashtëzakonshme.

Në njoftimin për media është thënë se në rend të ditës është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar mbajtjen e kësaj seance.

Partia Demokratike e Kosovës, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë.

Të premten, 14 janar, zyrtarë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, kanë thënë se me keqardhje kanë pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, është thënë në deklaratë.

Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar. Kosova ka thënë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të mos rrisin tensionet lidhur me referendumin, të cilin e kanë cilësuar si “hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit” dhe për të rritur transparencën e institucioneve të shtetit dhe sundimit të ligjit.

“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, është thënë mes tjerash në reagim.

Institucionet e Kosovës kanë thënë të premten se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë, përbën shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Udhëheqësit e Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, kanë dalë me deklaratë të përbashkët, pas takimit me zyrtarët e vendeve të Kuintit dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë më 13 janar se votimi në referendumin e një shteti tjetër, në një territor sovran, “nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”.

Ai ka thënë se serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të ketë “pasoja të mëdha dhe më të gjera se sa pritej” nëse nuk do të hapen qendrat e votimit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG