Ndërlidhjet

Kurti bën thirrje për kompromis teksa afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po soset

E përditësuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur në Kuvend.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur në Kuvend.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje të hënën për kompromis mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit të vendit, pasi një afat kushtetues mbi njëmujor për këtë çështje do të skadojë në fillim të javës së ardhshme.

Duke folur në një mbledhje të kabinetit të tij në mëngjes herët në Prishtinë, Kurti tha se shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare “besoj se nuk është opsion”.

“Zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit, dhe kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis e vendime jo të lehta”, tha Kurti.

Deklaratat e tij vijnë mes raportimeve se ai do të takohet të hënën më vonë me Lumir Abdixhikun, kryetarin e subjektit opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Ky do të ishte takimi i dytë me mes tyre, pasi ai i fillimuajit përfundoi pa ndonjë marrëveshje për presidentin.

Në fund të marsit, Gjykata Kushtetuese u dha kohë ligjvënësve deri më 28 prill për ta zgjedhur një president të ri.

Që prej atëherë, ka pasur pak lëvizje në drejtim të një marrëveshjeje të mundshme dhe Kurti nuk e ka zhvilluar asnjë takim deri tani me partinë kryesore opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila thotë se po pret shkresë zyrtare nga kryeministri për takim.

Kurti e ka kritikuar PDK-në se në bisedimet e mëparshme kishte kërkuar që dikush nga partia opozitare të zgjidhej president pa treguar emrin e kandidatit të mundshëm.

Edhe ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se partitë opozitare nuk kanë propozuar emra për president në takimet e deritanishme me kryeministrin.

“Në asnjë rast deri tani, nga LDK-ja apo PDK-ja nuk ka pasur propozime apo nismë për të zgjidhur çështjen e presidentit apo për të propozuar emra”, tha ministrja e Kurtit në një konferencë për media të hënën.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti - madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë - nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Nëse presidenti i ri nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues deri më 28 prill, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.

Edhe vetë Haxhiu u bëri thirrje të dielën partive për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime.

Partia në pushtet në një seancë më 5 mars kishte paraqitur dy emra për president: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku, por seanca s’u mbajt në mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën.

Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria.

Gjykata tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit.

XS
SM
MD
LG