Ndërlidhjet

Pajtim për të zhdukurit, mospajtim për Asociacionin


Bruksel, 2 maj 2023 
Bruksel, 2 maj 2023 

Qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por pajtueshmëri për Deklaratën e të Zhdukurve nga koha e luftës.

Ky ishte epilogu i rundit të fundit të bisedimeve midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u zhvillua të martën në Bruksel.

Ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve kërkuan nga palët qasje më konstruktive, derisa shprehën frikë për përshkallëzimin e mundshëm të situatës në veri të Kosovës.

Çfarë u tha për Asociacionin?

Në mesin e pikave të rendit të ditës ishte draft-statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili u prezantua nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

“Qartazi ekziston dëshira për një Republikë Sërpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut”, tha Kurti, duke iu referuar entitetit me shumicë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili gëzon kompetenca që e sfidojnë pushtetin qendror.

Kurti tha se dokumenti, si i tillë, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit.

“Unë kam propozuar një draft-vizion se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet dhe çfarë do të duhej të ishte korniza që e rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”, tha Kurti, duke shfaqur shpresën se ai “do të trajtohet me seriozitet” nga ana e ndërmjetësuesve evropianë të dialogut.

Në këtë dokument të Kurtit thuhet, mes tjerash, se ai do t'u ofrojë mundësi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t'u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se Kosova “ose do ta pranojë atë për të cilën është rënë dakord në vitin 2015, ose do të jetë fundi i gjithçkaje”.

“Në vitin 2015, unë dhe [kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa] Mustafa kemi nënshkruar parimet [për Asociacionin] dhe tani ata po heqin dorë nga të gjitha, duke thënë se askush nuk mund t’i pranojë ato, sepse kështu e thotë Gjykata Kushtetuese [e Kosovës]", tha Vuçiq.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar po atë vit se disa prej këtyre parimeve nuk janë në përputhje me frymën e Kushtetutës, por ka thënë se, nëse ato harmonizohen, Asociacioni mund të formohet.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se me paraqitjen e draft-statutit për Asociacionin në tryezë, Kosova dhe Serbia “morën një hap simbolik” drejt themelimit të tij.

“Pikëpamjet e palëve janë shumë të ndryshme për natyrën e këtij Asociacioni. Nuk kam pritur gjë tjetër... Por, edhe nëse nuk janë pajtuar, ato kanë rënë dakord për t’i filluar negociatat për të ardhmen e Asociacionit”, tha Borrell.

“Unë dua t’i nxis të dyja palët që të angazhohen në këtë proces në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim dhe të jenë të gatshme për të arritur kompromise. Procesi duhet të udhëhiqet nga marrëveshjet e kaluara të dialogut dhe të frymëzohet nga modelet ekzistuese të BE-së”, shtoi ai.

Për të zhdukurit nga lufta

Si pikë të rendit të parë të ditës, Kurti dhe Vuçiq miratuan fillimisht
Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.

Borell tha se BE-ja e mirëpret miratimin e saj dhe pret që “palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur”.

“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve”, tha, mes tjerash, Borrell.

Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, tha se Serbia, për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar, pranoi t'i hapë arkivat e saj shtetërore, përfshirë edhe ato të klasifikuara, në lidhje me çështjen e të zhdukurve.

Çfarë ndodhi tjetër në Bruksel?

Borrell tha se në takim u diskutua edhe për situatën në terren, sidomos në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe.

Ai tha se pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet lokale të 23 prillit, ka treguar se ky proces nuk ofron zgjidhje afatgjate të situatës dhe se ka potencial “të çojë në përshkallëzimin e saj”.

“Kjo nuk është ajo që duam. Shpresoj që askush nuk e do, por rreziku ekziston”, tha Borrell.

Komunat në veri të Kosovës - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq - shkuan në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi kryetarët e tyre, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë serbë, dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Pjesëmarrja ishte më pak se 4%, pasi Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit - e bojkotoi procesin.

Borrell u bëri thirrje palëve që të gjejnë një zgjidhje, e cila mundëson kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës në veri

“Kam frikë se mund të përballemi me situatë të keqe”, tha ai.

Përpara kësaj here, Kurti dhe Vuçiq janë takuar në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e një marrëveshjeje të re që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Deri më tash, pikë e përmbushur e marrëveshjes është vetëm themelimi i Komitetit të Përbashkët Monitorues që do të mbikëqyrë zbatimin e saj.

Shikojeni edhe këtë:

Sa herë u shkel Marrëveshja e Ohrit?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:36 0:00

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG