Ndërlidhjet

Kurz fton qytetarët të dalin në referendum


Kancelari austriak, Sebastian Kurz, dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev, 7 shtator 2018.
Kancelari austriak, Sebastian Kurz, dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev, 7 shtator 2018.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, vendi i të cilit kryeson aktualisht me Bashkimin Evropian, gjatë qëndrimit zyrtar në Shkup, i ka ftuar qytetarët e Maqedonisë që në mënyrë masive të marrin pjesë në referendum dhe të votojnë “pro” marrëveshjes së Maqedonisë me Greqinë dhe me këtë votë, të kontribuojnë që vendi të bëhet pjesë e familjes evropiane.

Kurz ka theksuar se “zgjidhja e çështjes së emrit është shans i madh për Maqedoninë, por edhe për gjithë rajonin”.

“Ftoj qytetarët që të marrin pjesë në referendum dhe të votojnë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Qytetarët e dinë vendimin e tyre, por si mik i Maqedonisë dhe si vend anëtar i Bashkimit Evropian ne mendojmë se dalja do të jetë e madhe në referendum”, ka porositur Kurz në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Kurz i është drejtuar dhe partisë maqedonase në opozitë me ç`rast ka theksuar se “VMRO DPMNE-ja duhet të ketë perspektivë evropiane dhe të mbështetë zgjidhjen për çështjen e emrit”.

Gjatë qëndrimit në Shkup, kancelari austriak tha se “të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin e tyre në Bashkimin Evropian”.

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, e ka falënderuar Austrinë në kryeqendrën e të cilit shtet, siç është shprehur Zaev, u skicua marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Zaev ka thënë se “Austria si çdo vend anëtare e BE-së, do që ta shohë Maqedoninë në organizatat evropiane”.

“Vizita e juaj përçon porosinë se Republika e Maqedonisë është kthyer në rrugën e drejtë, në rrugën evropiane”, ka theksuar Zaev.

Ai njëherësh ka falënderuar kancelarin austriak, Sebastian Kurz, për mbështetjen ekonomike të Austrisë ndaj Maqedonisë si shtet që synon të bëhet pjesë e familjes evropiane.

“Më lejoni që të shpreh falënderimin tonë për faktin që Austrinë e numërojmë në mesin aleatëve më të mëdhenj ekonomik ”, ka thënëZaev.

Kancelari austriak, Kurz, gjatë qëndrimit zyrtar në Shkup në mbështetje të referendumit, ka realizuar edhe shumë takime zyrtare nivelesh të ndryshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG