Ndërlidhjet

Scaparrotti: Pres që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s


Ministrja e Mborjtjes e Maqedonisë, Radmila Shekerinska dhe komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, Curtis M. Scaparrotti në Kazermën "Ilinden" në Shkup.

Me padurim presim që Maqedonia të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s, ka deklaruar në Shkup, komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, gjenerali Curtis Scaparrotti, i cili ka ndjekur dhe një stërvitje demonstruese të Armatës së Maqedonisë në Kazermën ‘Ilinden’ të Shkupit.

Gjenerali Scaparrotti, i cili udhëheq forcat ushtarake amerikane në Evropë dhe është komandant i forcave të NATO-s, ka thënë se Maqedonia është në rrugën e duhur për ndërtimin e një të ardhmeje të ndritur, duke theksuar se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, do të jetë në të mirë të rajonit, gjithashtu edhe në të mirë të të gjithë Evropës.

“Janë bërë reforma të mëdha drejt rrugës për anëtarësim në NATO. Jemi të bindur se anëtarësimi në NATO do të jetë në të mirë të vendit tuaj. Të gjitha vendet, të cilat janë bërë pjesë e Aleancës, kanë arritur që ta përforcojnë demokracinë e tyre, ta avancojnë sigurinë dhe ta bëjnë jetën e qytetarëve të tyre më të sigurt”, ka deklaruar gjenerali Curtis Scaparrotti.

Nga ana tjetër, ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, ka thënë se vizita e së enjtes e gjeneralit Curtis Scaparrottit, njëherësh e para e komandantit të forcave amerikane në Evropë dhe komandës së lartë të NATO-s për Evropë, tregon se sa shumë gjëra në Maqedoni po ndryshojnë që nga marrja e ftesës për anëtarësim, që u bë më 11 korrik.

Shekerinska ka theksuar se gjatë referendumit, qytetarët e Maqedonisë do të kenë mundësi të zgjedhin mes së ardhmes dhe izolimit.

“Është me shumë rëndësi që këtë orientim që tanimë më shumë se dy dekada e kanë shprehur qytetarët e Maqedonisë për anëtarësimin e vendit në NATO, ta konfirmojmë dhe sigurojmë. Ne, si Qeveri, si Ministri e Mbrojtjes po bëjmë gjithçka që është e mundur që ky proces të ecë pa pengesa dhe të ketë rezultat të suksesshëm. Si hap i parë kryesor do të jetë referendumi më 30 shtator”.

"Në referendum presim që qytetarët të shohin interesin e tyre, interesin e Republikës së Maqedonisë, interesin e shtetit dhe interesin e gjeneratave të tjera dhe të votojnë pozitivisht. Zgjedhja është e qartë, për të ardhme apo izolim! Anëtarësim në NATO dhe BE apo edhe një dekadë e humbur”, është shprehur Radmilla Shekerinsa, ministre e Mbrojtjes së Maqedonisë, ndërsa ka shtuar se anëtarësimi në NATO, inkurajon investitorët e huaj të investojnë në Maqedoni.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG