Ndërlidhjet

Mbështetje ndërkombëtare për referendumin në Maqedoni


Bashkësia Ndërkombëtare, para se gjithash Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, inkurajojnë institucionet dhe faktorët e tjerë në vend, përfshirë dhe opozitën që të mbështesin referendumin për marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Kjo është dëshmuar që nga momenti i arritjes së marrëveshjes në Prespë, më 17 qershor, ashtu edhe pas shpalljes së referendumit, që do të mbahet më 30 shtator. Se SHBA-të mbështesin referendumin u bë e ditur edhe nga vizita, të mërkurën në Shkup e zëvendës ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, thotë Selim Ibrahimi, nga Qendra për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim në Maqedoni.

“Vizita e fundit e diplomatit të lartë amerikan Palmer në fakt ka të bëjë me gjetjen e një kompromisi ndërmjet pushtetit dhe opozitës që referendumi jetë i suksesshëm, mirëpo antagonizmat politike në Maqedoni kanë marrë kaheje negative dhe bojkotimi i referendumit nga ana e opozitës është një veprim jo i mirë që jep një pasqyrë negative për proceset demokratike...Faktori tjetër është se Bashkimi Evropian dhe SBA-të janë të interesuara që të përfundojnë konfliktet e ngrira të përfundojnë dhe të kemi marrëveshje afatgjate dhe stabile”, thotë Ibrahimi

Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve politike thotë se marrëveshja me Greqinë nuk do të arrihej pa ndihmës e bashkësisë ndërkombëtare, andaj edhe mbështetja do të jetë e madhe për zbatimin e saj

“Republika e Maqedonisë aspak nuk është vetë në këtë rrugë. As kryeministri Zaev dhe partnerët e koalicionit vet kanë vendosur që të negociojnë me Greqinë për të gjetur zgjidhje për kontestin, e as do të lihen vet në zbatimin e marrëveshjes".

"Këtë nuk e kemi bërë vetëm për veten tonë. Gjithçka është bërë në konsultim të gjerë me bashkësinë ndërkombëtare pasi në këtë fazë Maqedonia është një partnerë shumë i rëndësishëm si për NATO-në ashtu edhe për BE-në dhe SHBA-të, andaj edhe nuk duhet të befasohemi nga mbështetja që po marrim. Ndoshta ne nuk jemi të vetëdijshëm, por Evropa është e lodhur nga ky kontest tani më 30 vjeçar. Tani kur kemi zgjidhje, nuk besoj se do të na lënë vet që të vazhdojmë rrugë për atje ku jemi nisur”, thotë Dujoski.

Ai beson se vizita si kjo e fundit e zyrtarit të lartë të departamentit amerikan të shtetit, do të ketë edhe në të ardhmen, në veçanti në periudhës afër referendumit për të inkurajuar qytetarët e Maqedoni për të dalë në votime, si alternativa e vetme për të realizuar synimet për anëtarësim në NATO dhe BE.

Pas marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit me Greqinë, qëndrojnë edhe synime tjera të bashkësisë ndërkombëtare, si eliminimi i ndikimit rus në Ballkan, thotë Selim Ibrahimi nga Qendra për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim në Maqedoni

“Maqedonia me vite të tëra ka qenë nën një influencë hibride nga fushata informative ruse, por tani e tutje perëndimi do të tentoj që me mjete konkrete ketë dezinformim ta mënjanoj. Këtë do ta arrijë nëse klasa politike në Maqedoni arrin konsensus që të mos bojkotohet referendumi dhe të realizohen të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja me Greqinë. Pra, me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE krijohet një bllok i fuqishëm kundër Rusisë dhe pro perëndimit”, thotë Ibrahimi.

Përfaqësuesit ndërkombëtar gjatë vizitave të tyre kanë takuar edhe drejtuesit e opozitës nga të cilët kanë kërkuar që të mos bëjnë thirrje për bojkot, por të jetë konstruktiv në këtë proces të rëndësishëm nëpër të cilin po kalon Maqedonia. Opozita marrëveshjen me Greqinë që parasheh ndërrimin e emrin të shtetit në Maqedonia Veriore e vlerëson të dëmshëm për identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase.

XS
SM
MD
LG