Ndërlidhjet

Stoltenberg: S'ka anëtarësim në NATO pa kaluar referendumi për emrin


Jens Stoltenberg gjatë vizitës në Maqedoni
Jens Stoltenberg gjatë vizitës në Maqedoni

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar të enjten në Shkup se, Maqedonia mund të bëhet anëtare e aleancës veri-atlantike nëse e zbaton marrëveshjen për emrin me Greqinë.

“Nëse e implementoni marrëveshjen për emrin, ju do të bëheni shtet anëtar i NATO-s. Shpresoj se herën tjetër kur do të jem këtu, do të vij në një vend anëtar të aleancës”, ka deklaruar Stoltenberg.

Zyrtari i lartë i NATO-s ka nënvizuar se e ardhmja e Maqedonisë është në duart e vetë qytetarëve të saj.

“Për disa javë do të keni referendum, ku duhet të vendosni për ardhmërinë, për anëtarësim në NATO dhe në Bashkim Evropian. Ju duhet të vendosni si do të votoni në atë referendum. NATO-ja është e gatshme t’iu pranojë si anëtaren e 30-të saj”, ka theksuar ai.

Por, nga kabineti i presidentit të Maqedonisë, njoftojnë se gjatë takimit që ka pasur sekretari i Përgjithshëm i NATO-s me presidentin e shtetit, Gjorgje Ivanov, ky i fundit i ka thënë zyrtarit të lartë të NATO-s se Maqedonia mbetet e përkushtuar për t’u integruar në NATO dhe BE, por kjo nuk duhet të merret si alibi për një marrëveshje të keqe duke e cilësuar kështu marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit.

“Besoj që vendi i vërtetë i Maqedonisë është në Bashkimin Evropian dhe NATO. Por, BE dhe NATO në asnjë rast nuk guxojnë që të jenë alibi për marrëveshje të keqe”, theksohet në njoftimin me shkrim nga kabineti i presidentit Ivanov.

Në pyetjen e gazetarëve për këtë çështje, zyrtari i lartë i NATO-s tha se gjatë takimit që ka pasur me liderin e opozitës maqedonase, Hristian Mickoski, dhe presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, të cilët janë kundër marrëveshjes Maqedoni-Greqi për çështjen e emrit, u ka dhënë një porosi të qartë se “Maqedonia nuk mund të bëhet pjesë e Aleancës Veri-Atlantike nëse nuk e zbaton marrëveshjen për emrin”.

“Mesazhi im në këto takime ishte se kjo është një mundësi historike për këtë shtet. Është mundësi e shansit jetësor, mundësi që vjen një herë në jetë për t’u bërë pjesë e komunitetit ndërkombëtar, për t’u bërë anëtare e NATO-s, për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Por, për të arritur këtu, ju duhet ta përmbushni marrëveshjen e emrit. Nuk ka rrugë tjetër, nuk ka rrugë alternative për në NATO.

“Nuk ka asnjë mundësi që të anëtarësoheni në NATO pa marrëveshjen e emrit. Pra, ju ose mund t’i thoni po marrëveshjes dhe po NATO-s, ose jo marrëveshjes, por ashtu i thoni jo edhe anëtarësimit”, ka sqaruar Stoltenberg.

Ai ka shtuar se “është iluzion të shpresohet në integrimet euroatlantike duke e refuzuar marrëveshjen në fjalë”

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka theksuar se pret që edhe opozita të bëhet pjesë e këtij procesi shumë të rëndësishëm, duke marrë pjesë në referendum.

Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Zaevi është shprehur i bindur se referendumi do të jetë i suksesshëm, pas së cilit do të pasojnë dhe ndryshimet kushtetuese, si pjesë e marrëveshjes Maqedoni-Greqi.

“Pres që partitë politike relevante, veçanërisht opozita, do të jetë e bashkuar dhe do të bëhet pjesë e procesit”, ka thënë Zaev.

Edhe ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, është shprehur e bindur se më 30 shtator qytetarët e Maqedonisë do të votojnë në referendum pro marrëveshjes Maqedoni -Greqi.

“Më 30 shtatorë jam e bindurse qytetarët e Maqedonisë do të na mbështesin që Maqedonia të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës”, ka theksuar ajo .

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i cili në Shkup vjen për herë të dytë gjatë këtij viti, është takuar dhe me kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi.

Gjatë ditës, Stoltenberg e ka vizituar edhe kazermën Ilinden, me ç`rast ka marrë pjesë në ushtrimin demonstrues të pjesëtarëve të Forcave Speciale.

Po ashtu, Stoltenberg ka vizituar dhe rajonin e Stajkovcit, i cili ishte goditur nga përmbytjet më 2016, kur ushtarë të NATO-s ishin angazhuar për tejkalimin e pasojave.

Pas vizitës së kreut të NATO-s, të premten në Maqedoni do të arrijë për vizitë edhe kancelari austriak, Sebastian Kurz, ndërsa të shtunën, kancelarja gjermane, Angela Merkel, vizita e së cilës konsiderohet si historike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG