Ndërlidhjet

Kalimi i pragut në referendum, sfidë për Maqedoninë


Bilborde në Maqedoni, ku i bëhet thirrje qytetarëve që të bojkotojnë referendumin e 30 shtatorit.
Bilborde në Maqedoni, ku i bëhet thirrje qytetarëve që të bojkotojnë referendumin e 30 shtatorit.

Qeveria e Maqedonisë ka bërë të ditur se fushata për referendumin do të ketë më shumë karakter informativ sesa që do të jetë e orientuar që të binden qytetarët të votojnë pro.

Njohësit e çështjeve politike thonë se për të qenë i suksesshëm referendumi, sfidë do të jetë arritja e pragut të daljes në votim prej 50 për qind të votuesve, sasa bindja e qytetarëve për të votuar pro.

Në listën zgjedhore të Maqedonisë janë të regjistruar 1 milion e 800 mijë votues. Ndërkohë që ekspertët në vazhdimësi kanë theksuar se ky numër është joreal për një shtet që ka 2 milionë banorë. Kjo, sipas tyre, e bën e problematike arritjen e pragut prej 50 plus një për qind e trupit elektoral, që referendumi të jetë i suksesshëm dhe se gjysma e tyre që dalin në votim, duhet të shprehen pozitivisht.

Albert Musliu nga Asociacioni për Zhvillimin e Demokracisë kujton se për arritjen e pragut prej 50 për qind, ka paraqitur vështirësi edhe në zgjedhjet presidenciale, andaj partitë këtë fakt e përdorën si argument dhe gjatë miratimit të ndryshimeve ligjore, e ulën atë në 40 për qind.

“Mos të harrojmë se për zgjedhjen e presidentit të shtetit, cenzusi, përkatësisht i trupit elektoral që duhet të dalë për të votuar u ulë nga 50 për qind në 40. Arritja e cenzusit prej 50 për qind mund të paraqesë shqetësim”, thotë Musliu.

Partia opozitare, VMRO-DPMNE ende nuk është prononcuar se çfarë qëndrimi do të mbajë lidhur me referendumin.

Nga kjo parti thonë se pasi të konsultohen me anëtarësinë do të vendosë se a do të ftojnë elektoratin të votojë kundër apo do ta bojkotojnë referendumin në tërësi.

VMRO-DPMNE vlerëson se pyetja e referendumit se “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e Marrëveshjes me Greqinë”, është manipulative dhe ka kërkuar që ajo të jetë e qartë, duke i pyetur qytetarët se “A janë për ndryshimin e emrit të shtetit në Maqedonia e Veriut”.

Njohësit e çështjeve politike thonë se në masë të madhe, suksesi i referendumit do të varet nga qëndrimi i VMRO DPMNE-së.

“Ndaj mendimin se VMRO-DPMNE, pavarësisht se mund të bëjë thirrje që qytetarët të votojnë kundër, megjithatë besoj se nuk do t’ia lejojë vetës luksin që për një çështje që është me kaq peshë të madhe për të ardhmen e vendit, të ftojë për bojkot dhe pastaj të sulmohet si parti se ka qëndruar jashtë procesit. Kështu që besoj se cenzusi realisht mund të arrihet dhe nga ana tjetër, duket se Qeveria nuk ka shqetësim për rezultatin e referendumit, sepse të gjitha anketat tregojnë se qytetarët janë shprehur pro pyetjes së shtruar në referendum”, thotë Musliu.

Nga ana tjetër, ish-diplomati Denko Malevski thotë se qarqe të caktuara pro-ruse dëshirojnë të minojnë procesin e referendumit me hedhjen e tezës në opinion se pro referendumit janë shqiptarët me mbi 90 për qind, ndërkohë që maqedonasit pothuajse kanë qëndrim të barabartë pro dhe kundër ndryshimit të emrit të shtetit, në funksion të perspektivave euroatlantike të vendit, duke theksuar se fatin e Maqedonisë do ta vendosin shqiptarët.

“Duhet kuptuar qartë se të gjithë qytetarët e Maqedonisë e ndajnë fatin e njëjtë në këtë shtet dhe ajo që është më me rëndësi është se si do të përcaktohet shumica e qytetarëve të Maqedonisë për të votuar”, thotë Malevski.

Ai thotë se nuk mban teza që imponohet në media dhe rrjetet sociale në prag të referendumit, duke paraqitur qëndrimet e personave të caktuar se Maqedonia detyrohet nga qendrat vendimmarrëse me çdo kusht të bëjë lëshime që të futet në NATO dhe BE, nuk qëndron.

“Mendoj se Maqedonia ndodhet para një shansi historik dhe në asnjë mënyrë nuk guxon ta lëshojë këtë shans. Besoj se qytetarët do ta njohin këtë dhe do të dalin në referendum”, thotë Maleski.

Lista zgjedhore në Maqedoni në vazhdimësi është apostrofuar si problematike nga organizatat joqeveritare dhe faktoi ndërkombëtar, duke nxitur mosbesim te qytetarët, ndërkohë që shteti futet në organizmin e referendumit më 30 shtator pa i zbatuat rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it.

XS
SM
MD
LG