Ndërlidhjet

Kush po i tërheq 'vijat e kuqe’ për Kosovën dhe Serbinë?


Tonet pjesërisht të papajtueshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë, lidhur me mënyrën e zgjidhjes së kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund ta zgjasin, por jo edhe ta rrezikojnë procesin negociues ndërmjet këtyre dy vendeve, proces ky i cili po lehtësohet dhe mbështetet nga Bashkimi Evropian, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, në Kosovë dhe Serbi.

Gjermania dhe Britania e Madhe e kundërshtojnë fuqishëm konceptin e ndryshimit të kufijve, ndërkaq që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç është thënë disa herë, mbështesin zgjidhjet që arrihen nga të dyja palët në kontest.

Senatori amerikan dhe kryesuesi i Komisionit për Siguri Kombëtare i Senatit të Shteteve të Bashkuara, Ron Jonson, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se “Gjermania ka vija të kuqe, ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo”.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se në rast se Kosova dhe Serbia do të bënin marrëveshje për ndryshim të kufirit, pa pasur një konsensus të vendeve perëndimore lidhur me modalitetin e epilogut të dialogut të Brukselit, marrëveshja e tillë do të prodhonte pasoja të rrezikshme.

“Nëse nuk ka pajtim ndërmjet SHBA-së dhe Gjermanisë, në rastin ku edhe Franca do ishte e padeklaruar, çdo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që synon ndryshimin e kufijve aktual, do të shoqërohet me dhunë dhe tragjedi njerëzore, përkatësish, zhvendosje të dhunshme të popullsisë në jug të lumit Ibër dhe në pjesën e Luginës së Preshevës".

"Kjo, jam shumë i sigurt, që do të jetë pasojë e pashmangshme, në rast se nuk ka një veprim të harmonizuar në mes të dy anëve të Atlantikut, përkatësisht SHBA-së dhe Gjermanisë”, tha Hasani.

Por, ish ambasadori i Serbisë në Gjermani, Milovan Bozhinoviq, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë se, ka shprehur mendimin se gjithçka që mund të pasojë pas epilogut të dialogut në Bruksel, varet nga, siç i ka quajtur ai, fuqitë e mëdha.

“Çfarëdo që të bëhet në Kosovë, madje edhe ndarjet apo përkufizimet dhe të tjera, është tepër vështirë që çfarëdo qoftë të prodhojë në rast se fuqitë e mëdha nuk duan diçka të tillë”, tha Bozinoviq.

Në anën tjetër, për mosekzistimin e “vijave të kuqe” lidhur me modalitetet e arritjes së një marrëveshje juridikisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe ndryshimin e kufirit, janë shprehur edhe presidentët e të dy vendeve, Hashim Thaçi, i cili e ka quajtur “korrigjim të kufirit” dhe Aleksandar Vuçiq, i cili e ka quajtur “kufizim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”.

Se nuk do të përfillen “vijat e kuqe” në temat që do të shtrohen në dialogun e Brukselit, më 28 qershor, e pati konfirmuar presidenti i Kosovës, Thaçi.

“Nuk do të ketë vija të kuqe, sikurse që ka pasur nga Grupi i kontaktit në rastin e bisedimeve të Vjenës”, pati thënë Thaçi.

Qëndrim të ngjashëm pati shprehur edhe homologu i tij, Vuçiq. Por, pas reagimit të kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila është shprehur kundër ndryshimit të kufijve, Vuçiq, të hënën, ka thënë se pa fuqitë e mëdha, nuk mund të ketë marrëveshje.

“Unë mendoj që nuk ka zgjidhje as pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as pa Gjermaninë e as pa Rusinë. Do të ishte e rëndësishme që fuqitë e mëdha, para së gjithash, t’i nxisin bisedimet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, ka thënë Vuçiq, dhe ka shtuar se arritja e një marrëveshje do të jetë vështirë apo gati e pamundur.

Megjithëkëtë, koncepti i pandryshueshmërisë të kufijve, të cilin një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare - në radhë të parë Gjermania dhe Britania e Madhe- e garantojnë dhe mbrojnë, tashmë është gjetur para testimit. Kjo për shkakun se Shtetet e bashkuara të Amerikës, si fuqia më e madhe në botë, ka treguar mirëkuptim për zgjidhjet që arrihen nga të dyja palët në kontest, pa e përjashtuar ndryshimin e kufirit.

Por, a mund të arrihet një konsensus ndërmjet aleatëve perëndimorë apo do të theksohen më tepër përplasjet e koncepteve lidhur me modalitetin e epilogut të dialogut të Brukselit?

Pavle Jevremoviq, ish-ambasador i Serbisë në Kombet e Bashkuara, vlerëson se nuk mund të ketë përplasje të mëdha.

“Gjermania edhe më tej mbetet partneri kyç në Evropë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos, marrë parasysh se po ofrohet ‘Breksiti’”, theksoi Jevremoviq.

Ish-ambasadori tjetër, Bozhinoviq, thotë se edhe Gjermania dëshiron ta ruajë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Te Gjermania, deri në atë masë është vetëdijesuar shoqëria dhe politika që nga Amerika nuk guxon të largohet, sa që (presidenti i SHBA-së, Donald) Tump, me siguri që ka ende hapësirë për disa manovra të njëanshme të tij dhe që diçka e tillë të mos e rrezikojë marrëdhënien e afërt me Gjermaninë”, tha Bozhinoviq.

Por, profesor Hasani, shpreh mendimin se në rast se nuk arrihet një konsensus i vendeve udhëheqëse perëndimore që zgjidhja e kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bëhet me ndryshim të kufirit, atëherë zbatimi i këtij modaliteti do të dështojë.

“Do të dështojë qind për qind, sepse nuk ka asnjë arsye që Perëndimi të prishet rreth çështjes së Kosovës. Nuk ka asnjë arsye që ajo të jetë ‘mollë sherri’, sepse Kosova është problem në marrëdhëniet e Perëndimit me rusët dhe nuk është problem i vendeve perëndimore. Fundja, edhe po të bëheshin koncesionet më absolute, ta zëmë, më të favorshme për Rusinë dhe Serbinë, cilado qofshin ato që i dëshirojnë ata, megjithatë, politika ruse në Lindje të Mesme, ndaj Iranit, ndaj Sirisë dhe ndaj vendeve ku amerikanët dhe Perëndimi kanë interesa vitale, nuk ndryshon dukshëm”, tha Hasani.

Sipas tij, implikimet e çështjes së zgjedhjes së modalitetit për arritjen e një marrëveshje juridikisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të pushojnë tash për tash, deri sa Maqedonia ta rregullojë çështjen e emrit dhe me këtë ta përafrojë hyrjen në NATO dhe në rrugën e stabilitetit të vazhdueshëm.

Ndërkaq, siç ka thënë ai, çfarëdo qofshin modalitetet e zgjidhjes së kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ato nuk mund të ndikojnë në Bosnjë dhe të hapin rrugë drejt prishjes së tërësishme të “Marrëveshjes së Dejtonit”, sepse një gjë e tillë do të shkaktonte implikime të tjera në Evropë dhe në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG